Strakosha trashëgimtar i Buffon? Ja si përgjigjet portieri shqiptar

Filed under: Sporti,Sporti neper bote |

Sezoni që po luhet nga Thomas Strakosha me fanellën e Lazios, po lë të gjithë me “gojë hapur”. Nëse një vit më parë ai u konsiderua si një talent i thjeshtë në zhvillim dhe se po vëzhgohej në Seria A, portieri shqiptar këtë vit po tregon se është një nga portierët më të mirë në ligën italiane.

Këtë gjë e tregoi më së miri në ndeshjen kundër Juventusit, kur priti penalltinë e Dybalas. Portieri i Lazios tregoi emocionet e asaj ndeshjeje dhe foli edhe për të ardhëm e tij.

“Unë nuk mund t’ju them me fjalë atë që kam ndjerë të shtunën. Të presësh një penallti është një gjë e bukur, e ta bësh atë në momentet e fundit është speciale, akoma më shumë nëse mendoj se kemi marrë një fitore në rikthim kundër skuadrës kampione në Itali”, ka thënë Strakosha, shkruan “JuventusNews”.

“E ardhmja ime? Së pari dua të rritem akoma më shumë dhe të përmirësoj besueshmërinë time dita ditës. Kam dëgjuar për veten time si një trashëgimtar i mundshëm i Buffon në Juventus, por sinqerisht nuk di asgjë dhe nuk më intereson. Jam shumë mirë te Lazio dhe dua të qëndroj gjatë këtu”, shton ai.