Shqipëria, negociata me Spanjën për miqësore para Europianit

Filed under: Sporti shqiptar |

PicMonkey-Collage23-620x298 Shqipëri-Spanjë mund të jetë miqësorja e madhe në muajin maj për kuqezinjtë që luajnë në Europian. Lajmi është konfirmuar nga burime brenda FSHF-së. Kështu prej më shumë se një muaji Federata e futbollit është në negociata me federatën spanjolle për një miqësore të këtij niveli. Ndeshja pritet të luhet para fillimit të evropianit në një stadium afër Austrisë. Federatat janë duke diskutuar, detaje që mund ta realizojnë këtë miqësore. Mësohet se palët janë në bisedime të avancuara, por ende nuk ka asgjë zyrtare. Faktikisht veç Spanjës kuqezinjtë kanë mundësi të luajnë me Kanadanë dhe Hungarinë, ndonëse me spanjollët, De Biazit do të testonte ekipin sikur të ishte ndeshja me Francën. Më parë italiani deklaroi si ndeshje big Gjermaninë, që më pas u sfumua. Kuqezinjtë do të grumbullohen në Austri dhe vetëm pesë ditë më parë do të jenë në Francë për eliminatoret.

Kujtojmë që Shqipëria do të përballet me Spanjën edhe në eliminatoret e Botërorit. Mediat “iberike” e vlerësojnë shumë skuadrën kuqezi. Të shumta janë gazetat dhe analistët që e konsiderojnë Shqipërinë si e panjohura e grupit dhe pikërisht nga kjo skuadër duhen ruajtur të gjithë, pasi është një “minë në shpërthim”. Spanja kundër Shqipërisë, do të thotë një kundërshtar i frikshëm dhe që na ka shënuar “një thes me gola”. Jo më larg se viti 1990, në ndeshjen e luajtur në Madrid kemi pësuar 9 gola dhe nuk kemi shënuar asnjë. Kjo përballje ishte e vlefshme për Europianin e vitit 1992.

Ndërsa, shumë pak njerëz e dinë që “Furisë së Kuqe” Shqipëria i ka shënuar veç 2 gola, përkundrejt 24 që na kanë shënuar iberikët në pesë përballje të regjistruara në tapetin e blertë. Por, në ndeshjen e vitit 1991, ku Shqipëria do të ndeshej me Spanjën në “Qemal Stafa”, takimi nuk u luajt dhe u regjistrua në tavolinë humbja e radhës, 0-3. Kështu, me statistika, spanjollët na kanë shënuar 27 gola në 6 ndeshje zyrtare. Por tre prej golave janë shënuar në tavolinë dhe nuk llogariten zakonisht.

Nga ndeshja Spanjë-Shqipëri 9-0 e vitit 1990, gjërat kanë ndryshuar shumë. Duke parë që ekipi ynë kombëtar ka pësuar rritje nga ndeshja në ndeshje dhe sidomos për kualifikueset e Europianit të vitit 2016 po tregon ritëm të lart, ku regjistron tre fitore, një barazim dhe asnjë humbje, me golavarazhin më të mirë në grup, pritshmëritë janë që në eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018” Shqipëria të ndalë Spanjën, apo të marrë fitore. Me Spanjën Shqipëria ka një histori anullimi në sfidën e vitit 1991, kur vendi i “shqiponjave” po kalonte një situatë jo të mirë social-politike për shkak të ndërrimit të sistemit.

Spanja do të luante me Shqipërinë për llogari të kualifikueseve të Euro’92 që zhvillohej në Suedi, por ajo ndeshje u shty fillimisht, e më pas në marsin e 1992 u mor vendimi nga UEFA që ai takim nuk do të zhvillohej. Siguria në shtetin tonë nuk ishte shumë lartë, dhe autoritet e asaj kohe nuk morën përsipër sigurinë e ekipeve, tifozëve dhe UEFA vendosi ta anulojë ndeshjen e cila nuk kishte asnjë rëndësi, pasi Shqipëria nuk kishte asnjë shans të kualifikohej. Megjithatë, anulimi i ndeshjes kaloi disa peripeci, pasi për t’u zyrtarizuar anulimi, duhej edhe përgjigja e Shqipërisë. Për këtë, kombëtarja spanjolle dhe Shpresat ishin me “sy e veshë” nga komunikimi me Shqipërinë, ndërsa ata ishin bërë gati për të udhëtuar edhe pse nuk e dëshironin diçka të tillë.

Iberikët do të niseshin drejt aeroportit “Baraja” e për këtë kishin marrë edhe ushqime me vete për ato ditë. Spanjollët prisnin, ndërsa FSHF akoma nuk kishte raportuar situatën nëse kushtet ishin të pranueshme për të luajtur apo jo e kjo i trembte edhe më shumë spanjollët. FSHF-ja komunikoi me UEFA-n dhe përcolli shqetësimin dhe problematikën në Tiranë duke pranuar se kushtet ishin të papërshtatshme për të zhvilluar një ndeshje futbolli. UEFA më pas vendosi që ajo ndeshje të mos luhej. Është ndeshja e vetme post 1990 që kuqezinjtë nuk arritën ta luanin edhe pse historitë në këtë drejtim kanë qenë nga më të çuditshmet.

Si na vlerësojnë spanjollët pas shortit të Botërorit

Vlerësime pozitive dhe negative për ekipin shqiptar nga mediat spanjolle kur u hodh shorti për botëror. “Shqipëria është një kombëtare konkurruese dhe kohët e fundit ka arritur të fitojë në Portugali”. Ky është titulli që i vendos analizës që gazeta “AS” i bën skuadrës së drejtuar nga Xhani De Biazi në korrik. Në një shkrim të shkurtër, e përditshmja madrilene paralajmëron trajnerin Del Boske për eliminatoret e Kupës së Botës 2018. “Kohët e fundit shqiptarët kanë arritur të marrin një fitore në shtëpinë e Portugalisë dhe tani kanë mundësi reale për të arritur fazën finale të Euro 2016. Rritja e kësaj skuadre është shumë domethënëse, sidomos nëse e krahasojmë me vitet e shkuara. Me regji të Xhani De Biazit, ish trajneri që ka drejtuar edhe Levanten, skuadra është e përbërë nga lojtarë që luajnë në liga prestigjioze si Berisha e Cana te Lacio, Abrashi te Freiburg apo Lenjani te Renë”, nënvizon e përditshmja “AS” që e rendit Shqipërinë menjëherë pas analizës që i bën Italisë së Kontes.