Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Nga titulli te rënia e turpit, Kotorri tregon si u shkatërrua Elbasani

Filed under: Sporti shqiptar |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net


Elvis Kotorri është i vetmi futbollist i Elbasanit që përjetoi “parajsën” dhe “ferrin” me klubin verdheblu. Në maj të 2006-ës fitonte titullin kampion me këtë skuadër, ndërsa në maj të 2017-ës ishte pjesë e ekipit si kapiten kur ra në Kategorinë e Dytë.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, gardiani elbasanas flet për situatën e rëndë në klub, duke e konsideruar një turp rënien në Kategorinë e Dytë, por është i gatshëm të japë kontributin e tij për ringritjen.Sipas tij, të gjithë kanë pjesën e vet të fajit, por si gjithnjë ka shumë mundësi që faji të mbesë jetim. Në fund, Kotorri pohon se jeta vazhdon, ndërkohë që u kërkon falje tifozëve me rënien në Kategorinë e Dytë.

Elvis, si e përjetuat rënien e Elbasanit në Kategorinë e Dytë?
Personalisht ky ishte momenti i keq i karrierës sime futbollistike. Nuk di ta shpjegoj sesi ndihem. Moment shumë i vështirë.

Çfarë do të thotë për Elbasanin Kategoria e Dytë?
Kur e fillova karrierën nuk e mendoja Elbasanin në Kategorinë e Parë, jo më në të Dytën. Është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhte këtij klubi. Një ekip si Elbasani nuk duhet të luajë në këto nivele, madje as në Kategorinë e Parë, por në Superiore. Nuk po them të pretendojë gjithnjë titullin, por të mos diskutojë qëndrimin në Superiore. Kategoria e Dytë është një turp, por është fakt.U mësuat me idenë se këtë sezon do të luani në të Dytën? Si të mësohemi si jo, ky është realiteti tani. Nuk kemi çfarë të bëjmë më.

Pse ra Elbasani?
Dihen tanimë faktorët e rënies. Të gjithë jemi fajtorë që ra Elbasani. Duke filluar nga drejtuesit dhe te të gjithë me radhë. Faji është i përgjithshëm.

Dakord, po përgjegjësinë kryesore kush e ka?
Di të them se u këputën shumë hallka. Në fund, dihet që faji mbetet jetim si gjithmonë. Kemi pasur probleme me financat gjatë gjithë vitit
Pas rënies nga kategoria bëtë një status në “Facebook” kundër kritikëve, për cilët e kishit?

E kisha për disa njerëz, ku po e përmbledh me një shprehje: “Ngordhi kali, po s’të lënë rehat as mizat”. Dua të them që njerëzit duhet të shfaqen para se të bjerë skuadra, jo pasi ka rënë.
Njerëzit, e mira është që të ndihmojnë kur je në vështirësi dhe jo kur bie. Kur ra ekipi, të gjithë këta që nuk kishin pjesë në ekip, ishin të gatshëm të jepnin mend.
Si do të vijojë historia e Elbasanit tani?

Të them të drejtën nuk e di se çfarë do të bëhet. Por, personalisht, mund të them se jam i gatshëm të kontribuoj akoma për Elbasanin, edhe pse sapo më ka mbaruar kontrata.
Nëse ka një plan që për dy vjet skuadra të ngjitet në Superiore, jam i gatshëm të qëndroj. Në të kundërt do të shoh mundësi të tjera, por tani jam me pushime. Nuk e kam për turp të luaj për Elbasanin edhe në Kategorinë e Dytë.

Si mund të ringrihet Elbasani?
Mund të ringrihet me para dhe financa. Nuk ka alternativë tjetër, pasi po shohim edhe klube të tjera të mëdha që janë drejt rënies, kur i mungojnë financat.
Po pronarët e rinj anglezë si duken. Keni ndonjë informacion për ta?
Nuk di asgjë për anglezët, por shpresoj vetëm që të jenë seriozë dhe të investojnë në klub. Është situatë e paqartë edhe për ne futbollistët.

Kujt i kërkoni ndjesë për këtë rënie të klubit?
Tifozëve, më vjen keq për ta dhe personalisht u kërkoj ndjesë, por besoj edhe në emër të të gjithë të tjerëve. Elbasani është një qytet sportdashës dhe e nuk meriton të jetë në këto nivele. Por, jeta vazhdon…

VLADIMIR MEMA