Letra e Dukës: Qetësohuni. Presidenti i FSHF ka edhe nje mesazh për tifozët

Filed under: Sporti shqiptar |

1490959016dukaaaJava e fundit ka qenë shumë trazuar për kombëtaren shqiptare. Dështimeve në planin sportiv u bashkohen edhe problemet me tifozerinë apo dhe polemikat mes grupit.

Kritikat janë shtuar duke krijuar një atmosferë jo e këndshme, gjë që ka alarmuar Federatën Shqiptare të Futbollit. Presidenti Armand Duka nëpërmjet një letre të hapur u shpreh se asgjë nuk e justifikon frymën negative të krijuar rreth kësaj kombëtareje që vetëm 1 vit më parë i bëri të gjithë krenarë me pjesëmarrjen e saj në Europianin e Francës dhe se në këtë çast asaj i duhet më shumë mbështetje.

Çështja me e komentuar së fundmi ka qenë ajo e Taulant Xhakës dhe Duka e përmendi në letrën e tij pa e specifikuar emrin e futbollistit.“Ne kemi një grup lojtarësh të talentuar që luajnë me pasion dhe dëshirë për vendin e tyre. Edhe nëse ndonjëri prej tyre nuk luan mirë në një ose dy ndeshje, ose dhe nxitohet në ndonjë deklaratë, nuk ka pse të sulmohet dhe të cilësohet si “armik”. Nuk ka të drejtë askush të “përjashtojë” lojtarët nga studiot e televizioneve. Kjo është kompetencë ekskluzive e trajnerit. Ne duhet t’i ofrojmë gjithsecilit dorën e bashkëpunimit, jo vetëm për hir të kontributit të tyre, por edhe për të ardhmen e futbollit”, thotë Duka.

Ngjarja e rëndë e që ndodhi në Palermo kur tifozët hodhën flakadanë në fushën e lojës nuk u anashkalua nga presidenti Duka, i cili vuri theksin te nevoja që ka skuadra për tifozët.

“Ata tifozë, të cilët në Francë na bënë të gjithë krenarë, nuk mund të dalin kundër vetvetes dhe në dëm të interesave të futbollit. Ajo që ndodhi në Palermo nuk ndihmon askënd. Përkundrazi: Ka dëmtuar rëndë imazhin e ngritur me aq mund të futbollit tone. Tifozët duhet të kthehen ne stadium me dinjitet për të mbështetur kombëtaren e tyre. Kombëtarja ka nevoje për tifozët. Kombëtarja është e të gjithëve”.