Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

De Biazi i jep lamtumiren kombetares , FSHF u kujtua vone .

Filed under: Sporti shqiptar |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka dalë sot në një konferencë për shtyp pas përfundimit të grumbullimit për ndeshjet me Luksemburgun dhe Izraelin. Ai ka deklaruar se nuk do të rinovojë kontratën me FSHF-në dhe ka lënë të hapur mundësinë që të largohet që tani.Çfarë ndryshoi në ndeshjen e fundit që skuadra u soll si gjithmonë?

“Ndryshoi fakti që kishte më shumë bindje, më shumë vendosmëri. Kishte një qasje të ndryshme nga ndeshja kundër Luksemburgut. Ndaj Italisë kishim bërë një ndeshje të mirë, pastaj nëse mendojmë se jemi në lartësinë e Spanjës dhe Italisë, mendoj se kemi humbur dimensionin dhe kemi gabuar gjithçka, si ambient, si tifozeri, apo si media.”

E ardhmja

“Unë nuk duhet të flas me askënd, aq më pak me mediat. Unë jam këtu prej 5 vite e gjysmë, e di që secili nga ju ka një ide se cila ka qenë sjellja e Xhani De Biazit dhe nuk kam pse jap shpjegime. Kur të marr ndonjë vendim, nëse do të marr, atëherë do të shpjegoj. Çfarë të shpjegoj sot, asgjë? Që flitet për lëvizje andej apo këndej, nuk është problemi im.”

Rinovimi

“Ka disa situata në jetë në të cilat dikush duhet të ndjejë rrotull besimin dhe konsideratën, të cilën pavarësisht 5 viteve e gjysmë, mendoj se ende nuk e kam nga dikush. Mendoj se nëse Federata dëshironte Xhani De Biazin, do ta bënte më parë, jo sot, se tani është vonë. Por unë prisja diçka ndryshe, nuk funksionon kështu. Ata që janë më të mirë, si Lëv, janë konfirmuar 4 vite më parë, unë nuk prisja të më konfirmonin dy vite para, por prisja një diskutim ndryshe nga federata.”

Për lidhjen me Dukën

“Me presidentin kam një raport të mirë, mendoj se është personi me të cilin jam ndjerë më mirë nga pikëpamja e punës, një person i këndshëm me të cilën mund të kalosh kohën me gëzim. E di që unë kam një aspekt profesional dhe një njerëzor që ecin përkrah. Shpesh pikëpamja njerëzore më ka bërë të bëj disa gabime të tmerrshme që nuk dua t’i ribëj.”

Kriza me Dukën

“Sa i përket krizës, nuk ka. E vetmja gjë që më vjen keq është që shumë mes jush ishin gati të bënin funeralin tim pas Izraelit. Më vjen keq që fituam dhe nuk u realizua. Mendoj se trajneri duhet vlerësuar për gjëra të ndryshme, përveçse humbjes së 5 ndeshjeve radhazi, ku një është miqësore me Luksemburgun.

Shqipëria ka humbur në kualifikuese ndaj Luksemburgut, në kualifikuese. Unë për aq sa do të jem këtu do të jap 110%, nuk mund të vihet në diskutim përkushtimi nga pikëpamja e punës, nga përfshirja në kauzën shqiptare.”

Për arsyet e vendimit

“Kur u përgjigja një ditë para ndeshjes, mendova me vete se historia me Shqipërinë mund të përfundonte sot këtu, nëse humbnim në Izrael, sepse ndoshta mendohej nga dikush që ndeshjet e fundit ishte më mirë që të bëheshin me trajner tjetër. Unë e kam vendosur në mendjen time që në fund të kualifikueseve të iki, është një proces natyral, ka fillim dhe fund. Është momenti të kërkoj sfida të reja. Por mjafton që Shqipëria të mos bëjë revolucion dhe makina është në rregull.”

A ka marrë më shumë nga Shqipëria, apo i ka dhënë më shumë?

“Kjo histori është si veza dhe pula. Unë kam marrë gjithmonë përgjegjësitë për humbjet, ndërsa për fitoret janë të aftë të gjithë të marrin meritat. Puna ime është të qetësoj lojtarët dhe pastaj të vlerësoj atë që ishte ndërtuesi i vërtetë i kësaj, presidenti që më mbajti, i cili vazhdoi me mua edhe pas dyvjeçarit të parë. Jo gjëra stratosferike, por ai kishte parë te puna që bëmë atë që duhej bërë dhe arritur në pjesën e dytë.”

Pse kjo konferencë për shtyp sot?

“Sepse ka një evolucion për gjithçka, jeta vazhdon, ka një fillim dhe një fund për të gjitha. Edhe në punë është e njëjta gjë, edhe në marrëdhënie ndodh. Ajo që nuk duhet të ndodhë është që unë të shkatërroj një eksperiencë të jashtëzakonshme, fantastike. Raporti ekziston, ndoshta prisja gjëra të tjera që nuk ndodhën, e ndaj mendoj se në fund secili zgjedh rrugën që sheh më të përshtatshme për të.”

Për kënaqësinë pas fitores me Izraelin

“Unë mendoj se si person jam i aftë të tregoj nëse më bezdis ndokush apo jo. Ky është defekti im i madh. Kundër Izraelit ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme, sepse e dija që po i krijoja probleme dikujt.

E dyta, e bukura është se në fund të ndeshjes u thashë djemve që më në fund hoqëm ato 3 centimetra pluhur nga truri dhe gjetëm shpirtin që na solli gjëra të rëndësishme, të cilin po e humbëm më pas kthehemi nga e para.

Jam i lumtur dhe isha shumë i tensionuar sepse klima para kësaj ndeshjeje më la një shije të hidhur. Pavarësisht se dikush bën të pamundurën, është dikush tjetër që gëzon kur të tjerët janë keq. Kjo më tërbon, pastaj fiton ndeshjen, të vijnë mesazhet, gjërat. Unë e di kur është momenti që njerëzit duhet të më vijnë afër, kur humb, sepse kur fiton janë të gjithë të aftë, janë miq. Duhet të jemi më të vërtetë në momentet thelbësore.”

Largimi, tani apo në fund të kualifikueseve

“Nuk e kam menduar ende, sot flasim pas Izraelit, ndjenjat etj. Pastaj koha për të folur ekziston, ndoshta takohemi më vonë, por sot kjo nuk është e rëndësishme. E rëndësishme është se ka katër ndeshje, dy janë të mundura, dy të pamundura, në letër. Por në futboll letra shërben për të shkuar në një vend tjetër. Mund ta mbyllim me 15 pikë, një pikë e gjysmë në ndeshje, e jashtëzakonshme. Megjithatë nuk duhet të flasim, por të bëjmë.”

Keqardhje apo zhgënjim?

“Mua, gjërat që arrij t’i bëj ende, me japin kënaqësi. Fitoren në Izrael, për të thënë të drejtë, e kisha në zemër. Mendoj se kualifikueset tona janë normale me pritshmëritë, na mungon vetëm ndeshja në shtëpi me Izraelin, ajo që theu rrugëtimin tonë të mirë. Ishte e veçantë pas ndeshjes ndaj Italisë sepse thashë që pavarësisht humbjes, nëse e marrim veten, mund të rimarrim atë që kemi humbur.

Kënaqësia është kur sheh ende skuadrën që të jep atë që ka në dispozicion. Pengu për mua dhe kolegët është kur nuk marrim maksimumin edhe pse e dimë të gjithë që skuadra ka mundësi përmirësimi. Kjo është arsyeja pse qëndrova këtu pas Europianit, sepse mund të ikja. Vendosa të rrezikoja sepse isha i bindur që kjo skuadër mund të bëjë hapa përpara.”

Pse njerëzit kënaqen nga disfatat?

“Sepse ndoshta nga ana e gazetarisë është më mirë të jetë dikush tjetër këtu sepse ka më shumë për të folur. Më mirë nëse vjen dikush tjetër, flet një gjuhë tjetër, ndoshta gjuhën time me një theks tjetër, ndoshta është më mirë dhe keni më shumë stimuj. Për gazetarët sa më shumë të rinj të vijnë, aq më mirë është. Nëse mundohem t’ua shpjegoj, është edhe mënyra juaj e punës për të arritur në rritjen e një lëvizjeje bashkë.”

Për trajtimin financiar në Shqipëri

“Nëse do të ishte një Federatë tjetër, do të isha shumë më i pasur. Por meqenëse nuk erdha për para, marr çerekun e asaj që merrja më përpara. Mendoj se kam shpaguar me Europianin të gjithë paratë, kanë tepruar edhe për të bërë impiante sportive. Kjo punë është si një ndërmarrje, që merr dikë që e paguan 10 mijë euro në muaj dhe nga ai përfiton 100 mijë euro në muaj. Falë meje që komunikoj mirë dhe i kam bërë reklamë, Federata ka bërë biznes, sepse ka shpenzuar pak dhe ka fituar shumë.”

Negociatat me Italinë

“Para së gjithash, ishim në një moment në të cilin po mbyllej një projekt, në të cilin Shqipëria arriti të shkonte në Europian dhe mund të ndodhte që pas Europianit ta mbyllja. Pavarësisht kontratës, mund të thoja që ndalem këtu, bëmë diçka të bukur bashkë.

Por u kontaktova në situata të ndryshme, edhe nga Federata të tjera veç Italisë, i dëgjova, bëra vlerësimet dhe qëndrova, vendosa të bëja gjëra të tjera për arsye të tjera. Vazhdova të bëja punën si gjithmonë, se fatkeqësisht ndodh që gjatë karrierës, nëse bën mirë, dikush kërkon të të marrë nga vendi. Unë i rezistova, edhe pse kishte oferta milionere për të ikur nga këtu. Nga kjo pikëpamje jam i pasulmueshëm.”

Çështje financash apo projekti dhe ambiciesh?

“Është një çështje gjërash që kanë një fillim dhe një fund. A ke pasur ndonjëherë të dashur dhe je ndarë? Duhet të ketë ndodhur, është natyrale. E keni kuptuar pas pak kohësh që mbaron, janë gjëra që kanë evolucion, që dashurohet dhe lidhesh dhe ndahesh.

Dua të jem këtu për të thënë me qartësi që kur ec në rrugë me kokën lart, jam i lumtur që më përshëndetin, jam krenar. Nëse marr më shumë para, aq më mirë për mua, por edhe për të gjithë. Duhet dashuria për të bërë përpara, jam i përqendruar te e tashmja për të menduar se çfarë do të ndodhë në vazhdim dhe jo te milionat në Kinë. Te ndeshja e radhës, nëse do të ketë të tillë.”

Nëse ndjehet i tradhtuar edhe nga stafi apo lojtarët

“Unë këtu nuk jam ndjerë asnjëherë i tradhtuar nga askush, mendoj se kam qenë mësues i mirë për shumë, se kam eksperiencën për të mësuar. Si trajnerët aktualë të moshave, të cilët në të kaluarën morën një përvojë të konsiderueshme.

Lojtarët kanë dhënë gjithmonë atë që kishin mundësi. Ndoshta dikush ka vënë interesat personale para skuadrës. Nuk bën pjesë në skuadër. Pastaj janë në dorë të trajnerit zgjedhjet, t’i bëjë ato. Kjo ka qenë gjithmonë filozofia ime në klub dhe në Kombëtare”.

Për përvojën në Shqipëri në krahasim me etapat e tjera të karrierës

“E jashtëzakonshme, eksperienca profesionale më e bukur e jetë. E para se kam takuar njerëz fantastikë, kam rikrijuar idenë e shqiptarëve dhe e kam thënë shpesh. Sepse ka paragjykime te njerëzit, ndaj kam ardhur me paragjykime dhe zbulova realitet krejtësisht ndryshe.

Nga pikëpamja profesionale ishte shumë e bukur se m’u dha mundësia të njihja futbollin ndërkombëtar që e njihja shumë pak nga eksperienca në Spanjë. Mendoj se bashkë kemi jetuar një rritje graduale ne këto 5 vite e gjysmë, edhe pse së fundmi erdhën 5 humbjet radhazi.

Në përgjithësi bilanci këtu mendoj se është një ecuri e respektueshme për një Kombëtare si e jona. Ju kujtoj që ishim të 22-tët në botë te renditja e FIFA-s, që vështirë se do të ndodhë në një të ardhme të afërt”.

Nëse është penduar që rinovoi një vit më parë

“Qëndrova se të ikja ishte gjëja më e lehtë, më e thjeshtë. Ishte një nga rregullat e mënyrës time të punës, fito e ik se të bëjnë piedestal. Këtë herë rrezikova që piedestalin ta hidhnin. Qëndrojnë faktet, përshtypjet ndryshojnë.

Ajo që mbetet është se një person dhe stafi i tij kanë ardhur dhe punuar, e kanë cilësuar Shqipërinë si gjënë më të rëndësishme të eksperiencës profesionale dhe kanë nxjerrë maksimumin nga një grup djemsh shumë të mirë të cilët më kanë dhënë gjithçka që kishin”.

Nëse ka menduar që tani për pushimet

“Ndeshja me Izraelin më kishte mbetur në fyt dhe përqendrimi ishte maksimal për të. Humbja me Luksemburgun më vuri në një situatë ku isha gati të hiqja dorë. Pastaj në ato 5-6 ditë punova me mendjen e lojtarëve, në mënyrë shumë të fortë, duke goditur me grusht në tavolinë më shumë se një herë.

Por është një situatë normale se në fund të sezonit është dikush ka bërë 50 ndeshje mes klubit e kombëtares, por ka edhe prej atyre që kishin luajtur në total 4 apo 5. Ndaj duhet të motivosh të gjithë dhe të ringritësh në këmbë këtë makinë që nuk donte të ecte automatikisht”.

Nuk qëndron se ka oferta apo po largohet thjesht se ajo shqiptare ishte minimale?

“E kam thënë se mendoja, shpresoja, pavarësisht një kualifikimi problematik për shkak të kundërshtarëve që kemi në grup, që Europiani do të na jepte bindjen, vetëvlerësimin se mund të ishim më afër me ta.

Ndeshja me Izraelin bëri ndarjen, se deri në atë moment, humbja me Spanjën ishte e pranueshme, luhej në mbrojtje dhe pësuam gol prej një gabimi. Nëse nuk humbej ndeshja e parë ndaj Izraelit, i qëndroje pas dikujt dhe luaje në Itali ndaj atyre që mund të ishin më nervozë.

Nëse Cikalleshi bënte gol në minutën e parë, ndryshonte ndeshja. Ata na morën penallti në një situatë që e kishim provuar 100 herë”.

Për ofertat e tjera

“Nuk di asgjë, ju keni shkruar, meqë nuk më do askush këtu. Problemi nuk është ky, unë kam thënë se kam qëndruar këtu, se mendoja se mund të çoja përpara një projekt të nisur 5 vite e gjysmë më parë. Pjesa tjetër janë kontorno, nuk kam pse shpjegoj gjëra që nuk më përkasin. Nëse komentoj lajme të tilla…”.

Nëse ka një ofertë

“Ka kaluar. Ka kohë të ndryshme. Unë nëse do të ikja sot, nuk ka asnjë skuadër që më do. Në rregull kështu?”.

Pse nuk ka mësuar më shumë shqip?

“Është e vërtetë, se mund të qëndroja më shumë këtu. Por do shpenzonim shumë dhe ishim më mirë po të rrija në shtëpi. Bëmë më pak udhëtime e më pak shpenzime”.

Çfarë mendon për faktin se është edhe shtetas shqiptar

“Jam krenar dhe e kuptoj çfarë thoni. Jam krenar që nga momenti kur presidenti më dha shtetësinë. E para se kam qejf të bëhem pjesë e kombit ku jetoj, se më pëlqen të ndjehem i integruar dhe jap më shumë. Kur nuk ndjehem i mirëpritur e bëj më keq punën”.

Nëse në Izrael ishte fitore kundër intrigave

“Ju jetoni këtu më shumë se unë, duhet ta kuptoni se kjo botë është e ndërtuar nga 1 mijë intriga, njerëz që i dinë rezultatet pas ndeshjeve”.

Nëse mendon të kthehet në Shqipëri pasi të jetë larguar nga posti i trajnerit

“Pse nuk u dashka të vij për pushime këtu? Nëse me fton, vij. Shpresoj që po, mund të ishte e bukur, duke shpresuar që nuk jam i impenjuar në Kinë. Por janë gjëra që nuk i kam folur asnjëherë, i lexoj nga mediat. Kapelo më ka zënë vendin? 10 milionë euro! Mua më japin vetëm një!”.