10 blerjet më të shtrenjta të Juventusit

Filed under: Sporti neper bote |

Juventusi fluturon në faturime dhe drejtuesit e saj kanë dalë hapur se nga sezoni i ardhshëm do të synohet me çdo kusht Champions-i. Dhe kjo do të thotë se ndoshta të tjera blerje “alla Higuain” pritet të ketë. Dhe pikërisht mbi këtë aspekt “Gazzetta dello Sport” ka listuar 10 blerjet më të shtrenjta të bëra në histori nga klubi bardhezi.

10) Marko Di Vaio – Lojtari i parë që fitoi “titullin” e lojtarit më të shtrenjtë bardhezi ishte sulmuesi Marko Di Vaio, i cili në vitin 2002 u pagua 26 milionë euro (vlera e sotme). Me Juven, ai luajti dy sezone dhe shënoi 28 gola.

9) Aleks Sandro – U transferua dy sezone më parë, për një shifër gjithashtu prej 26 milionësh, plus disa bonuse. Ai hasi probleme në ambientim dhe fillimisht u duk e tepruar kjo shifër për një mbrojtës krahu, por tani ai vlen trefish vlerën e kartonit që u ble.

8) Diego – Juventusi i post “Calciopoli”-t e pagoi 28 milionë euro dhe të gjithë panë tek ai një Zinedin Zidan të ri, por braziliani rezultoi një dështim i vërtetë dhe u shit 16 milionë, vetëm pas një viti te Volfsburgu.

7) Emerson – Të kalosh nga Roma te Juvja është diçka e papranueshme në kryeqytet, por mesfushori brazilian i ftuar nga Fabio Kapelo nuk ngurroi. “Puma” u pagua 28 milionë euro në verën e vitit 2004 dhe qëndroi në Torino për dy vite, pasi në 2006-ën, bardhezinjtë ranë në Serinë B, si rrjedhojë e “Calciopoli”-t.

6) Miralem Pjaniç – Një tjetër udhëtim Romë-Torino dhe sërish një mllef i jashtëzakonshëm i tifozërisë së kryeqytetit. Pjaniç firmosi vjet me Juven, e cila i pagoi 32 milionët e klauzolës së lojtarit.

5) Paulo Dibala – “Diamanti” dhe lojtari më shpërthyes i Palermos, një i predestinuar për të qenë një kampion. Dy vite më parë, Juventusi nuk ngurroi të paguante 32 milionë, plus 8 të tjera në formë bonusesh, një tjetër investim që tani vlen të paktën 4 herë më shumë.

4) Pavel Nedved – Pas shitjes së Zidanit në vitin 2001, Juventusit i nevojitej dikush që ta zëvendësonte denjësisht dhe Moxhi, në bashkëpunim me Raiolën arritën që me 41 milionë euro (90 miliardë lireta) të bënin të tyrin zëvendëspresidentin aktual të torinezëve.

3) Lilian Turam – Një ndër mbrojtësit më elegantë dhe të saktë të historisë, një tjetër blerje e paguar me milionat që solli Zidan. Mbrojtësi francez iu pagua Parmës në vitin 2001, 41.5 milionë euro.

2) Xhixhi Bufon – Investimi më i rëndësishëm i historisë së Juves ndoshta, duke parë se, edhe pse 39 vjeç, ai mbetet një lider dhe portieri më i fortë në botë. Xhixhi Bufon ishte pjesë e trios me Turamit dhe Nedvedit, me të cilët u shpërblye shitja e Zidanit. Vlera 52.8 milionë euro (105 miliardë lireta), ende sot portieri më i shtrenjtë i historisë.

1) Gonzalo Higuain – 90 milionë euro dhe të paguara mirë, ndonëse në finalen e Kardifit pritej shumë më shumë prej tij. Gjithsesi, Gonzalo Higuain i vlen të gjithë këto miliona, sepse me një bomber si ai, të paktën në Itali, me një si “Pipita” golat dhe trofetë janë të garantuar.