Serbi-Slloveni, finalja e basketbollit për të mbretëruar në Europë

Filed under: Sporti,Sporti neper bote |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Jugosllavia është shpërbërë prej vitesh megjithatë ish-Republikat e saj vazhdojnë të ruajnë traditën dhe të krenohen me një sport elitar sic është basketbolli, e jo rastësisht edhe në finalen e edicionit të 40 të kampionatit evropian të basketbollit për meshkuj do të vihen përballë Serbia me Slloveninë. Nëse pjesëmarrja e përfaqësueses së drejtuar nga Sasha Djordjevic pritej, natyrisht për shkak të shortit, të rrallë janë ata që parashikuan kualifikimin e Sllovenisë për në një finale të tillë jubilare. Kuptohet që duhet konsideruar si një derbi i Jugosllavisë, shtet që dikur edhe në kohët më të këqija rivalizonte me një Superfuqi si Bashkimi Sovjetik. Nëse Serbia konsiderohet si forca e tretë në glob Sllovenia në krahun tjetër ka bërë goxha progres, teksa është ngjitur deri në pozicionin e 12, pra menjëherë pas Kroacisë në klasifikimin e përgjithshëm të FIBA-s. Një suksesi i jashtëzakonshëm mbi të gjitha për skuadrën e drejtuar nga Igor Kokoskov, një 45-vjecar që ndonëse ka lindur në Vojvodinë zotëron gjithashtu edhe nënshtetësinë amerikane. Me një eksperiencë prej cerek shekulli si trajner Kokoskov është sprovuar pikërisht në NBA, si asistent në ekipe të tillë si: Clippers, Pistons, Suns, Cavaliers, Magic dhe Utah Jazz ku trajneri serb punon prej dy vjetësh. Në krahun tjetër Aleksandar Djordjevic përfaqëson një ndër emrat më shquar të basketbollit jugosllav. 50-vjecari nga Beogradi konsiderohej si një ndër organizatorët më të zotë të kohës, ndërsa aktualisht Sasha drejton edhe ekipin e Bajernit të Mynihut, me një eksperiencë të përgjithshme prej 11 vjetësh si trajner. Sllovenia merr pjesë për herë të 13 në fazën finale të këtij aktiviteti, ndërsa për Serbinë kjo është vetëm pjesëmarrja e 6. Ylli i ekipit të Kokoskov është padyshim kapiteni Goran Dragic, që luan me Miami Heat, ndërsa te Serbia spikat Bogdan Bogdanovic, që është në pronësi të Sacramento Kings. Lojtarë të tjerë me peshë për sllovenët janë gjithashtu 18-vjecari Luka Doncic dhe shoku i tij te Reali i Madridit Anthony Randolph, ndërsa te përfaqësuesja e Serbisë bie në sy qendra e Detroit Pistons Boban Marjanovic, 2.21 i gjatë si dhe Stefan Jovic, që e mbylli përpara kohe për shkak dëmtimi, ndeshjen në gjysmëfinale me Rusinë. Statistikat e të dy ekipeve janë të përafërta, megjithatë edhe ecuria e tyre është tepër e ngjashme. Ndryshimi i vetëm ndoshta qëndron në faktin që Sllovenia është e vetmja skuadër pa humbje në këtë evropian, teksa fitoi me pikë të plota Grupin A, ndërsa në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë mposhti me radhë përfaqësueset e Ukrainës, Letonisë dhe në fund gjithcka kulmoi me atë triumf spektakolar ndaj kampionëve në fuqi të Spanjës, që kishte fituar 3 nga 4 edicionet e fundit të këtij kompeticioni. Ekipi i Igor Kokoskov mposhti në gjysmëfinale Spanjën favorite me plot 14 gjuajtje të sakta për tre, nga 25 tentativa gjithsej, dhe bookmakers-at aktualisht e kuotojnë Slloveninë favorite për titullin, me një koeficient afërsisht 1,8. Në krahun tjetër të vetmen disfatë Serbia e pësoi ndaj Rusisë, ku u mund me vetëm 3 pikë, por sidoqoftë pasi mbylli Grupin D në vendin e parë skuadra e Sasha Djordjevic eliminoi pa shumë probleme Hungarinë dhe Italinë, për të marrë hak më pas në gjysmëfinale ndaj Rusisë së Alexey Shved, që është edhe lojtari më i mirë i këtij aktiviteti me mesatare 25 pikë për ndeshje. Sllovenia kryeson bilancin e përgjithshëm në kampionatet evropiane me 3 fitore në 4 ndeshjet e luajtura, megjithatë Serbia krenohet me suksesin 94-92 pas kohës shtesë, në fazën gjysmëfinale të Euro Basket-it të vitit 2009 që u mbajt në Poloni, ku Serbia u mund thellë në finale nga Spanja, ndërsa Sllovenia humbi finalen për vend të tretë dhe të katërt 57-56 me Greqinë, rezultate që përbëjnë njëherësh edhe arritjet më të mëdha të këtyre dy ekipeve në këtë kompeticion. Këtë herë organizatorët shpresojnë shumë që në Sinan Erdem Dome të Stambollit të ketë shumë më tepër spektatorë, me finalen e madhe që starton në orën 20:30, ndeshje të cilën natyrisht që të gjithë të apasionuarit do të kenë mundësi për ta ndjekur drejtpërsëdrejti në Supersport.