Policia serbe bllokon në aeroport tifozët turq

Filed under: Sporti |

Policia e Serbisë në aeroportin e Beogradit ka bllokuar për disa orë pa asnjë shkak tifozët e skuadrës turke të Besiktashit e cila të enjten do të përballet me Partizanin e Beogradit, ndeshje e vlefshme për Europa League.

Mediat turke raportojnë se fatin e tifozëve dhe gazetarëve turq e ka patur edhe presidenti i klubit të Stambollit, Fikret Orman. Është dashur ndërhyrja e ambasadorit turk në Beograd që presidenti i klubit, tifozët dhe gazetarët turq të hyjnë në kryeqytetin serb.

Disa nga mediat turke kanë publikuar edhe foto nga aeroporti i Beogradit, ku bie në sy prenzenca e forcave të shumta të policisë.

Ndërkohë, ashtu siç ndodhi me ndeshjen e kombëtares sonë, edhe në sfidën Partizani i Beogradit-Beshiktas biletat për tifozët turq do të shiten me kartë identiteti ose me pasaportë. Sipas mediave turke, ky vendim është marrë për të evituar ardhjen e shqiptarëve apo dhe të boshnjakëve në stadium.

Pas dhunës ndaj lojtarëve të kombëtares sonë në ndeshjen Serbi-Shqipëri, tifozë të shumtë të ekipit turk deklaruan nëpër rrjete të ndryshme sociale se në mbështetje të lojtarëve kuqezi dhe të shqiptarëve në përgjithësi do të shpalosnin flamurin kuqezi gjatë ndeshjes Partizani i Beogradit-Beshiktash.
besh-tifozllik