Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Një ofertë arabe për Milanin ?!

Filed under: Sporti,Sporti neper bote |

E ardhmja e Milanit duket se do të lidhet pashmangshmërisht mes “Fly Emirates” dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Dy nga të përditshmet italiane, njëra sportive e tjetra informative, “Gazzetta dello Sport” dhe “La Repubblica” zbulojnë një prapaskenë të bujshme që përfshin klubin me seli në rrugën “Aldo Rossi” të Milanos.

Protagonist i kësaj prapaskene është Saeed al-Falasi, pjesëtar i një prej familjeve më të njohura në Emiratet Arabe, pronar i grupit ndërkombëtar “Triangle” që vepron në disa sektorë të ndryshëm, nga tregtia te ndërtimi dhe ndërmjetësimi.

Al-Falasi, siç shkruhet prej tyre, duket se ka bërë një ofertë për të blerë shumicën e aksioneve të Milanit, edhe pse konkretisht ajo është mbajtur sekrete dhe nuk dihet asnjë detaj mbi aspektin ekonomik të kësaj lëvizjeje.

Deri më tani nuk ka asnjë detaj sesa të holla ka vendosur mbi tryezë emiri arab në këtë tratativë hipotetike, edhe pse nëse do të bëhet realisht duhet të kalojë përmes pagesës së kontratës debitore mes Yonghong Li dhe fondit amerikan “Elliot”.

Por Al-Falasi nuk është i vetmi. Sipas “Repubblica”-s, Milani vijon të nxisë interesimin e shumë investitorëve të huaj dhe hipoteza e marrjes së shumicës së aksioneve të klubit kuqezi është marrë në konsideratë edhe nga një fond tjetër amerikan, por edhe nga Alisher Usmanov, një miliarder me origjinë nga Uzbekistani që është aktualisht aksioner tek Arsenali (edhe “topçinjtë” kanë sponsor Fly Emirates”) dhe kreu i një konsorciumi rus.

Megjithatë për momentin, e ndoshta edhe në muajt e ardhshëm, nga Milani nuk publikohet asnjë reagim. As edhe një fjalë, qoftë për ta mohuar apo për ta konfirmuar, qoftë edhe për të qenë transparent mbi një gjë që duhet të jetë dhe është publike.

Ajo që është e sigurtë dihet prej kohësh. Milani duhet të gjejë ende një zgjidhje për të rifinancuar borxhin me “Elliot” prej 303 milionë eurosh plus interesat, që duhet të paguhet brenda muajit tetor, borxh për të cilin është mandatuar prej kohësh banka e investimeve “Merril Lynch”, dhe që më 20 prill Marco Fassone pritet të zhvillojë një takim vendimtar me UEFA-n për të diskutuar “marrëveshjen sanksionuese”.

Ku i dihet, ndoshta pikërisht në atë moment kyç, administratori kuqezi mund të luajë mjetin e fundit në duart e tij, atë të futjes së një investitori apo pronari të ri. Ndoshta zgjidhja e çdo problemi është më pranë se ç’dukej. Fakt mbetet që Milani vijon të jetë tërheqës për shumë miliarderë e ndoshta edhe për rrjedhën e fatit, e ardhmja e klubit do të kalojë pashmangshmërisht në boshtin “Emirates”-Emirate.