Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Maradona hedh akuzën e rëndë: Arbitër hajdut, vodhi Kolumbinë

Filed under: Sporti,Sporti neper bote |

Diego Armando Maradona nuk ndryshon kurrë dhe as ka ndërmend ta bëjë.

Botërori i Rusisë për të nuk ka përfunduar me eliminimin e Argjentinës nga Franca.E pasi humbi Messin me shokë, Diego u transformua në një tifoz të Kolumbisë, edhe kjo e eliminuar një natë më parë në 1/8-at e finaleve nga Anglia, pas gjuajtjes së 11-metërshave.

Një eliminim ky që shkaktoi irritimin e Maradonës, si gjithmonë, por këtë herë tej limiteve të parashikuara.

Zemërimi i “El Pibe de Oro”-s erdhi mbi të gjitha nga penalltia e kontestueshme që iu akordua anglezëve për të zhbllokuar rezultatin.

Në shënjestrën e legjendës së futbollit argjentinas përfundoi arbitri amerikan, Geiger, i cili dha penalltinë në favor të Kane; por edhe FIFA, një armike e betuar dhe historike e ish-yllit të Napolit të viteve ’90.

“Kolumbia pësoi një grabitje monumentale. Arbitri Geiger, një gjyqtar amerikan, ndoshta mund t’i njohë mirë rregullat e bejsbollit, por jo aq edhe ato të futbollit. Ai është një hajdut! Ndërhyrjen e gabuar faktikisht e shkaktoi Kane, por ai dha penallti kundër kolumbianëve, të cilët humbën pa pasur asnjë faj. Përse nuk kërkuan ndërhyrjen e VAR-it?”, pyet në fund të sulmit të tij të ashpër Maradona.

Barazimi i Kolumbisë në fundin e takimit nuk e frenoi aspak irritimin e legjendës, i cili gjatë transmetimit të emisionit “De la mano del Diez” shtoi edhe më shumë.

“I duhet kërkuar falje popullit kolumbian. Arbitrat i përzgjedh Collina, i cili është nominuar nga Infantino, me këtë të fundit që duhej të çlironte FIFA-n nga korrupsioni dhe nga hajdutët. Por, në këtë ndeshje kemi parë krejt të kundërtën. FIFA është ende ajo e vjetra dhe e trukuara. Më dolën lot kur më premtoi se do ta çlironte FIFA-n nga kalbësirat, por jo”.