Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Juventusi, nga mbrojtje e hekurt në sulm vrastar

Filed under: Sporti,Sporti neper bote |

Juventusi ishte mësuar të fitonte titujt me formulën e preferuar të kampionatit italian të futbollit, atë të mbrojtjes më të mirë. Por sot, “Zonja e vjetër” po krenohet me ofensivën më të mirë, pasi sulmi i bardhezinjve po shkëlqen më shumë se çdo skuadër tjetër në Serie A.

Aktualisht janë 3 ekipe që kanë pësuar më pak gola sesa torinezët, në të njëjtin numër ndeshjesh: Roma, Napoli dhe Inter. Por askush prej ekipeve nuk ka shënuar më tepër se “armata” e trajnerit Allegri.

Juventusi dominon renditjen e golave, me 31 finalizime në 10 javë, dy më shumë sesa Napoli që ofron një futboll argëtues, e plot 5 më shumë sesa surpriza e këtij sezoni, Lazio e drejtorit sportiv Igli Tare.

Për të gjetur një arsenal të tillë golash nga një skuadër italiane duhet zbritur në sezonin 1951-’52. Edhe 6 dekada më parë ishte sërish Juventusi, me një mesatare mbresëlënëse në 10 javët e para, një ritëm që më pas i dha edhe titullin kampion.

Për të pritur certifikimin e titullit duhet fundi i sezonit, por duket se “Zonja e vjetër”, pas largimit të Bonuccit, hyn në çdo ndeshje me objektivin për të shënuar më shumë sesa të tjerët, e jo për të mos pësuar.

Bardhezinjtë kanë pësuar gol në të katërta ndeshjet e fundit të kampionatit, diçka që nuk regjistrohej që nga nëntori i vitit 2016.