Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Jani Kaçi: Betoheshin se nuk braktisnin ekipin, por po ikin. Tani do shihet kush e do Skënderbeun

Filed under: Sporti,Sporti shqiptar |

Jani Kaçi, legjenda e futbollit korçar, e sheh të vështirë të ardhmen e Skënderbeut. Ai thotë se shumë gjëra do të varen nga drejtuesit e klubit, nëse do të sforcohen ekonomikisht apo jo. Ndërkohë thumbon edhe të larguarit nga kampi bardhekuq si Lilaj dhe Daja. “Tani do të duket se kush e ka dashur Skënderbeun. Shumë iu betuan për dashuri të përjetshme pa dalë vendimi, por tani…”, thotë Kaçi për “Panorama Sport”.Kaçi, ç’ndjesi ju la vendimi i KAS-it për ta lënë Skënderbeun jashtë Europës?

Mendoj se lënia jashtë e Skënderbeut nga Kupat e Europës është fatkeqësi. Natyrisht, ky ishte vendim provizor, sepse procesi vazhdon, por gjithsesi kjo është një fatkeqësi për Skënderbeun dhe për futbollin shqiptar. Këtu ka shumë për të folur në fakt, por do ta nisja vetëm nga fakti që sot për sot Skënderbeu është skuadra më e mirë dhe është mëkat të mos luajë në Europë. Kjo do ketë efekt në gjithë kampionatin.

Si një njeri i futbollit, por edhe si qytetar i thjeshtë, a jeni i shqetësuar për të ardhmen e klubit?

Natyrisht. Tani situata komplikohet. Shumë gjëra do të varen nga drejtuesit. Vazhdimësia e klubit do të varet prej tyre, sepse ata marrin përsipër ose jo nëse do të investojnë njësoj në të ardhmen. Në kushte të tilla, atyre mund të mos u interesojë që të shpenzojnë para kur nuk fitojnë. Kjo situatë ndërpret fondet e UEFA-s dhe do të jetë e vështirë nga ana financiare. Edhe unë po të isha në kushte të tilla, do të mendohesha dy herë… Të jemi korrektë. Megjithatë, mendimi im është deri diku pak abstrakt, sepse vendimin dhe idetë e qarta duhet t’i kenë ata që drejtojnë klubin sot. Gjithsesi, besoj se shumë gjëra do të përcaktohen kur KAS të japë vendimin përfundimtar. Atëherë ndoshta edhe analiza ime mund të jetë më e detajuar sepse, e përsëris, ka shumë për të folur. E shoh të vështirë të ardhmen, por të presim, për momentin nuk mund të nxitohemi.

Sa e dëmton kjo skuadrën moralisht?

Mendoj se do të ketë edhe efekt psikologjik te skuadra. Do ndikojë për keq, sepse skuadra që luan futbollin më të mirë në Shqipëri, kur mëson se nuk luan në Champions, thyhet edhe psikologjikisht.

Përfituan rivalët e Skënderbeut nga ky dënim…

Natyrisht, Skënderbeun janë përpjekur ta arrijnë Kukësi me Partizanin, por Skënderbeu ka qenë shumë më lart, si në Kupat e Europës, ashtu edhe në kampionat.

Lilaj u largua dhe i kërkoi klubit korçar që ta shlyejë… Ilir Daja është duke firmosur te Flamurtari. A është kjo një kambanë alarmi apo ishte e pritshme të ndodhte?

Tani do të duket se sa dashuri të madhe kishin futbollistët për Skënderbeun. Disa i kam dëgjuar edhe nëpër studio që dikur që linin jetën për Skënderbeun, por të shohim tani se kush ka moral dhe kush do të sakrifikojë për të mos e lënë në baltë. Shumë iu betuan për dashuri të përjetshme pa dalë vendimi, por tani…

JETMIR HALILAJ