Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

”Nga i kemi Rrenjet Tona”

Filed under: Historia e Shqiperise,Shqiperia Natyrale |

Zbulimet e fundit arkeologjike kanë vërtetuar se trevat ballkanike, si dhe krejt Evropa, kanë qenë të banuara nga dy popuj të mëdhenj pellazgë, Vinka e Dimine, nga vitet 8.000-3000 para Krishtit ose dhe më përpara.

Alfabeti i parë gjithashtu është krijuar nga Pellazgët dhe ai është përhapur nga Fenikasit, që ishin një popull pellazg, siç ishin p.sh. edhe Etruskët. Nuk është e vërtetë se latinët morën alfabetin nga grekët, por drejt nga Pellazgët, dhe është ky alfabet që u përshtat nga grekët. Grekët, as me greqishten e vjetër ose të re, nuk arrijnë të përkthejnë shkrimet e vjetra dorike e jonike, si dhe asnjë nga mbishkrimet para-helene, që i përkasin kontekstit pellazg. Kretezët kanë qenë pellazgë, flisnin e shkruanin pellazgjishten. Dhe në luftën e Trojës nuk është folur greqisht dhe as që kanë qenë grekë ata që luftuan, veçse fise të ndryshme pellazge që luftonin mes tyre për mbisundim. Grekët nuk bënë gjë tjetër veçse grabiten e përvetësuan dhe greqizuan gjithçka që morën trashëgim prej Pellazgëve. Theksojmë se mbasardhësit e hershëm të Pellazgëve në Ballkan ishin Ilirët, Trakët e Dakët, popuj vëllezër që flisnin një gjuhë, pellazgjishten. Ilirët ishin të ndarë në fise: Dardanët, Labeatët (rreth Liqenit të Shkodrës), Dalmatët, Ardianët, Japodët, Enkelejtë, Venetët, Istrët, Taulantët, Thesprotët, Molosët, Epirotët, Korintët, Kaonët, Peonët, Pirustët, Karavantët, Albanët.

Pellazgjishtja njihet si gjuha më e vjetër dhe e veçantë, një gjuhë autoktone proto-evropiane dhe aspak indo-evropiane. Këto janë tezat e teoritë e fundit të gjuhëtarëve (gjermanë, italianë, francezë, belgë, anglezë), që kërkojnë të zgjidhin problemin gjuhësor të qytetërimit njerëzor në Evropë. Në takimet linguistike ndërkombëtare e në universitete të ndryshme, Nermin Vlora Falaski arriti të vërtetojë se gjuha çelës e mbishkrimeve të mbetura misterioze prej 3000 e më shumë vjetësh, ishte vetëm shqipja. Nermin Vlora, jo vetëm që njihte latinishten e greqishten e vjetër, por edhe gjuhët e tjera, si persishten, arabishten, sanskritishten, si dhe të gjitha gjuhët evropiane, pra nuk ishte një amatore por një shkencëtare e vërtetë. Edhe Spiro Konda, njohës i mirë i botës antike, në kontekstin gjuhësor, kishte arritur të njëjtat përfundime si Nermin Vlora. Shqipja nuk është gjë tjetër veçse mbasardhësja e trashëgimtarja e pellazgjishtes, pra Pellazgët janë paraardhësit e shqiptarëve. Edhe shkencëtarët e vërtetë grekë e pranojnë se Shqiptarët janë pasardhësit e Pellazgëve. Citojmë Enciklopedinë e Madhe Greke (vëllimi XIX, faqe 873): “..pra, stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm, Pellazgët, kanë banuar që në kohët parahistorike në pjesën më të madhe të botës që njihej aso kohe, duke zhvilluar një qytetërim shumë të rëndësishëm dhe duke ngritur vepra me vlera të jashtëzakonshme.” Shqipja është e përcaktuar botërisht si gjuha më e vjetër dhe unike ndër gjuhët që studiohen; e qartë, ndërlidhja e varësia e gjuhëve e ka burimin nismëtar nga Shqipja (ku kuptohet pellazgjishtja).

E mbyllim këtë shkrim me një përkufizim të Spiro Kondës, nga vepra e tij “Shqiptarët dhe Problemi Pellazgjik” (Tirane 1964, faqe 237): “Problemi etrusk nuk mund të zgjidhet jashtë problemit të përgjithshëm pellazgjik, duke qenë një pjesë esenciale e saj. Ne jemi plotësisht të bindur se Misteri Etrusk, mund të zgjidhet përfundimisht, vetëm nëse studiuesit mbështeten mbi gjuhën shqipe, bazë krejtësisht e sigurt, për zgjidhjen e problemit të përgjithshëm pellazgjik.”