Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Ndeshja historike nxori në arenë demonët e nacionalizmit serb

Filed under: Politike,Shqiperia Natyrale |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

“Reagimi të nesërmen i autoriteteve më të larta të Beogradit ishte po kaq i shëmtuar sa dhe reagimi i ultranacionalistëve serbë një natë më parë në stadiumin e Beogradit”“Është rasti që institucionet ndërkombëtare, Komisioni dhe Parlamenti Europian, Këshilli i Europës, OSBE, Komisioni i të Drejtave të Njeriut pranë OKB, Komisionet antirraciste, qeveritë e vendeve mike që kanë investuar kaq shumë për paqen dhe stabilitetin në gadishullin tonë, të vendosin në axhendën e tyre trajtimin e Albanofobisë, si një faktor madhor potencial për destabilizimin e rajonit” Zhvillimet dramatike në stadiumin e Beogradit ishin një dëshmi e freskët e shkallës së më të lartë të albanofobisë, si forma më e egër e rracizmit dhe diskriminimit që ekziston në atë vend, por dhe në rajon. Javë para zhvillimit të ndeshjes, Federata Serbe, me kërkesat e saj ndaj UEFA-s dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, e vendosi këtë ndeshje në klimën e luftës së ftohtë në futboll. Atmosfera e krijuar në stadiumin e Beogradit ishte haptas armiqësore ndaj ekipit shqiptar. Vetë stadiumi ishte mbushur me të gjitha llojet e flamujve të rreckosur të ultranacionalistëve serbë, por dhe ruse e greke dhe parrulla të Serbisë së Madhe si “Kosova është Serbi”. Vetëm një flamur ishte i ndaluar në stadium. Dhe ky ishte flamuri ynë kombëtar, paçka se aty luante ekipi ynë dhe në Serbi jetojnë si shtetas të saj mbi 250 mijë shqiptarë.

Që në fillim, në një akt barbarie dhe terrori psikologjik ndaj ekipit tonë në fushë, por edhe ofendimi të rëndë ndaj mbarë kombit shqiptar, mijëra e mijëra serbë në stadium shoqëruan me fishkëllima ekzekutimin e himnit tonë kombëtar dhe me thirrjet në kor “vdekje shqiptarëve”, motive këto plotësisht të mjaftueshme terrori për Federatën Shqiptare të Futbollit që të braktistë menjëherë fushën e minuar armike, të cilën serbët ua kishin rezervuar futbollistëve tanë. Gjatë ndeshjes, lojtarët tanë u gjuajtën në fushë nga spektatorët serbë me shishe, gurë, shashka tymuese, fishekzjarre në fushë si dhe u goditën prej tyre dhe rojeve të sigurisë së stadiumit me karrige dhe mjetë të tjera të forta. I njëjti trajtim armiqësor iu rezervua dhe 30 – 40 gazetarëve dhe zyrtarëve që ishin ulur në stadium me miratimin e Federatës Serbe të Futbollit.

Mendoj se reagimi të nesërmen i autoriteteve më të larta të Beogradit ishte po kaq i shëmtuar sa dhe reagimi i ultranacionalistëve serbë një natë më parë në stadiumin e Beogradit. Në vend të dënimit të këtyre akteve të rrezikshme dhe të padenja si dhe të një ndjese publike për atë ndodhi të shëmtuar e të paparë, Presideni Nikoliç, Kryeministri Vuçiç, Ministri i Jashtëm Daçiç, vrapuan në garë me njëri- tjetrin që të sulmojnë shqiptarët për trajtimin armiqësor që Federata Serbe ua rezervoi atyre në stadiumin e vet. Sipas pretendimeve të tyre qesharake, shqiptarët e kishin fajin sepse në stadiumin e Beogradit, në një akt të paqytetëruar terrori psikologjik ndaj ekipit tonë, në prani të presidentit Nikoliç, u fishkëllye në kor nga mijëra spektatorë, në histeri kolektive, hymni i Shqipërisë, u hodhën britma si në fushëbeteja të përgjakshme “t’i vrasim shqiptarët”, u gjuajtën shishe, shashka tymuese, fishekzjarre ndaj lojtarëve tanë, çka detyroi arbitrin të urdhëronte ndërpreje momentale dhe më pas të plotë të lojës. Çdo gjë përfundoi në agresion trup me trup ndaj lojtarëve tanë, goditje të tyre në fushë me karrige, mjete të tjera të forta nga ultranacionalistët serbë dhe rojet e sigurisë së stadiumit, pasi dikush shpalosi me një minihelikopter një banderole me simbole shqiptare, në një mjedis ku nuk ishte lejuar asnjë flamur kombëtar shqiptar.

Ky reagim fakton qartë se albanofobia primitive që eksplodoi në stadium është e shtrirë në të gjitha nivelet e Beogradit zyrtar. Një ndeshje që duhet të shënonte një afrim midis sportit, futbollit por dhe të dy vendeve tona, shkaktoi një tërmet të vërtetë në këto marrëdhënie.

Qëndrimi ndaj ndeshjes së ditës së martë nuk mund të kufizohet dhe do ishte gabim i madh të kufizohej vetëm me shqyrtimin nga UEFA të akteve që ndodhën në stadium. Natyrisht për këtë duhen angazhuar avokatët më të mirë të fushës pasi pala tjetër po bën gjithçka për fshehur të vërtetën. Por ajo që bota pa në stadiumin e Beogradit, është vetëm forma sportive e albanofobisë, asaj doktrine rraciste që shërbeu si bazë për spastrimin etnik, shfarrosjen, genocidet, krimet kundër njerëzimit, që serbët, por jo vetëm serbët, kanë kryer këto 100 vitet e fundit që në javët para të Luftës së Parë Botërore kur, siç shkruante Lev Davidoviç Trocki, mbushën vardarin me koka të prera shqiptarësh, deri në fundin e viteve ‘90 të shekullit të 20. Është rasti që institucionet ndërkombëtare, Komisioni dhe Parlamenti Europian, Këshilli i Europës, OSBE, Komisioni i të Drejtave të Njeriut pranë OKB, Komisionet antirraciste, qeveritë e vendeve mike që kanë investuar kaq shumë për paqen dhe stabilitetin në gadishullin tonë, të vendosin në axhendën e tyre trajtimin e Albanofobisë, si një faktor madhor potencial për destabilizimin e rajonit. Mos të harrojmë se marrëveshjet Kosovë – Serbi dhe marrëveshje të tjera, arritje historike dhe të një rëndësie jetike për paqen në rajon, mund të bien viktimë në çdo kohë e albanofobisë së Beogradit.

Ndeshja e fundit dëshmoi se demonët e nacionalizmit serb edhe kur dremisin me sy mbyllur, janë të zgjuar. Por shfaqje të shëmtuara të albanofobisë nuk mungojnë as në vendet e tjera përreth Shqipërisë. Është në interesin më të mirë të fqinjëve tanë, që degën e ullirit që ofrojnë shqiptarët sot, ta shfrytëzojnë si një mundësi për tu çliruar nga albanofobia dhe për të ndërtuar një marrëdhënie të re me kombin tonë kudo që jeton. Ata e dinë mirë se Albanofobia si doktrinë bazohej në idenë se duheshin zhdukur shqiptarët nga trojet e tyre mijëra vjeçare. Kjo ide sot është thjesht atavizëm, që e rikthyer në skenë do të thotë thyerje e kokës pas murit!