Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Morinë: Pikë kontrolli e unifikuar me Kosovën, s’do ketë më dy palë polici

Filed under: Kosova,Lifestyle,Shqiperia,Shqiperia Natyrale |

Kryeministri Edi Rama u ndal ditën e sotme në pikën e kalimit kufitar të Morinës, e cila nisi vënien në funksionim të ambienteve të reja të rikonstruktuara.Kreu i qeverisë vlerësoi finalizimin e përpjekjeve për pikën e përbashkët doganore, e cila do të jetë me përfitim të ndërsjellë për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës.“Me rëndësi është që, ne, pas kaq shumë kohësh po finalizojmë këtë pikë të përbashkët, që të mos ketë më dy palë kontrolle, dy palë polici etj., por të jetë një pikë me kontroll të shpejtë, të unifikuar të dy përfaqësive doganore dhe policore të dy shteteve dhe kufiri të fillojë të bëhet shumë fluid, shumë i lehtë për të gjithë, sepse në ato volume, me miliona e miliona, është një superngarkesë që të gjitha bëhen nga dy herë dhe të gjitha llojet e kontrolleve të jenë nga dy palët,” u shpreh Kryeministri.Ai e cilësoi si një hap shumë të rëndësishëm , para se të ndodhë edhe implementimi i bashkimit doganor, që sipas tij është fare afër.

Nga ana e tij ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, u shpreh se me përfundimin e projektit, për të cilin do të vijojë puna edhe vitin e ardhshëm, do të mundësohet një nga pikat më të mira, qoftë në aspektin kufitar të policisë, qoftë në aspektin e tregtisë.Operimi në një pikë të përbashkët do të lehtësojë së tepërmi lëvizjen, pasi mjetet do të procesohen në një pikë të vetme, që do të thotë, me thjesht një ndalesë, një kontroll. Zëvendësministrja e brendshme, Rovena Voda, shpjegoi mënyrën e funksionimit të pikës së përbashkët.“Godina do të jetë e përbashkët. Këtu do të vendosen Policia kufitare e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës dhe nga ana tjetër kemi doganat e Shqipërisë dhe të Kosovës. Besoj kjo do të ndihmojë edhe faktin që ne po përgatisim pikën e përbashkët kufitare dhe do të ketë kontrolle të përbashkëta, patrullime të përbashkëta. Në fakt një eksperiencë të mirë e kemi”, u shpreh Voda.