Mesazhi i Irinej: Kosova, Jeruzalemi ynë

Filed under: Kosova,Politike,Shqiperia Natyrale |

“Kosova është Jeruzalemi ynë”. Kështu tha kreu i Kishës Ortodokse serbe, patriarku Irinej ndërsa përcolli urimet e tij për Krishtlindjet ortodokse.

Numri një i kishës serbe, nuk e përmendi fare shumicën shqiptare që jeton me shekuj dhe para serbëve në territorin e Kosovës, por ftoi besimtarët e krishterë të bëjnë sa më shumë fëmijë.

“Kosova e Metohia janë Jerusalemi ynë, vendi ynë i shenjtë, të bëhemi një me popullin që e ruan dhe e mbron”, thotë Irinej në mesazhin e tij duke shtuar se “Asgjë nuk i duhet, as shteti, as përparimi ekonomik nëse vdekjet janë me shumë sesa lindjet, sepse do të zhduken si popull”.

“I ftoj besimtarët që sidomos në këtë natë të qetë, me zemër e me shpirt të jemi një me popullin e shumëvuajtur ortodoks serb i cili me besnikëri e ruan dhe e mbron çdo cep të vendit të shenjtë të Kosovës e Metohisë, të cilin, mos ta harrojmë, na e ka dhuruar përgjithmonë Zoti”, pohon patriarku ; “kohë të stuhishme kanë ardhur e kanë shkuar, por gjatë gjithë këtyre kohërave, të parët tanë në zemrat e veta i kanë bartur të pa fshira Patrikanën e Pejës, Graçanicën, Virgjëreshën e Levishkës, Banjskën, Deçanin. Arkangjelët e Shenjtë dhe mijëra shenjtore e altarë ne te gjithë Kosovës”, vijon më tej ai.

Duke parafrazuar fjalët e Davidit për Jerusalemin Irinej u shpreh “nëse të harroj ty Kosovë, më harroftë dora ime e djathtë”.