Maqedoni, themelohet ansambli i parë shqiptar i këngëve dhe valleve

Filed under: Folklori,Ilirida,Kultura,Shqiperia Natyrale |

Për herë të parë në Maqedoni do të themelohet Ansambli i parë shqiptar i këngëve dhe valleve shqipe, deklaroi zëvendëskryeministri për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika.

“Për herë të parë në këtë proces kemi marrëveshje për themelimin e ansamblit shqiptar të këngëve dhe valleve shqipe për të cilin janë parashikuar mjete financiare për vitin 2018 duke bërë të mundur konsolidimin dhe funksionimin e këtij ansambli”, theksoi Lika, transmeton telegrafi.

Sipas tij Programi në gjuhën shqipe TVM 2 do të punojë 24 orë, ndërsa kanalet e nacionaliteteve do të punojnë në kanal të posaçëm.

Zëvendëskryeministri për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika theksoi gjithashtu se në buxhetin e vitit 2018 të gjitha kërkesave që i kanë bërë universitet shqiptare UT, UNT dhe i Evropës Juglindore u është përgjigjur pozitivisht në bazë të nevojave të tyre.

“U jemi përgjigjur të gjitha kërkesave duke plotësuar kështu nevojat e universitetit Nëna Tereza për të cilin ne kemi marrëveshje që të punohet pa ndërprerje deri në përfundim të punimeve, konsolidimit të sistemimit të punonjësve për t’u vënë në shërbim të studentëve”, nënvizoi Lika.

Ai është shprehur se e njëjta gjë ka të bëjë edhe me dy universitetet e tjera.

Sipas Likës me buxhetin e vitit 2018 janë siguruar 220 milion denarë për projektin kryesor të Universitetit “Nëna Tereza”, 88 milion denarë për rroga, për Universitetin e Tetovës janë siguruar 330 milion për investime, ndërsa 600 mijë euro janë siguruar edhe për UEJL-në edhe pse nuk e ka statusin e universitetit publik.