Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Kur Podgorica kërkoi bashkim me Shqipërinë

Filed under: Historia e Shqiperise,Malesia |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

podgoricShtatëdhjetë e dy vjet më parë, në 14 maj 1942, përfaqësuesit dhe të dërguarit e posaçëm të popullsisë myslimane dhe katolike të qytetit të Podgoricës dhe Luharit iu drejtuen me një lutje ministrit sekretar shteti të Partisë Kombëtare, shkëlqesës Kolë Bib Mirakaj, ku i kërkonin që ai të përdorte tân influencën e vet në mënyrë që dhe tokat e krahinave të tyre të përfshihen në gjirin e mëmës Shqipëri.

Veli Haklaj, studiues

1. Veprimi i shtetit shqiptar në Tokat e Liruara

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, megjithëse të pushtuar nga fashistët italianë, shqiptarët që jetonin në ish-Jugosllavinë e atëhershme plotësuan ëndrrën 30-vjeçare të bashkimit me trungun Ámë. Kapitullimi i Jugosllavisë, prill 1941, solli copëzimin e këtij shteti, për rrjedhojë Mbretëria Shqiptare përfitoi një pjesë të trojeve të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Për ushtrimin sa më mirë të veprimit shtetëror në këto troje shqiptare të bashkuara me Shqipërinë, me Dekret Mëkambësor nr. 333, datë 3 dhjetor 1941, në Qeverinë e Tiranës u krijue Ministria e Tokave të Lirueme, e cila veproi deri në shkurt 1943. Detyrën e ministrit në këtë dikaster e ushtruan me radhë Tahir Shtylla, Eqrem Vlora, Ismet Kryeziu.

Në qeverinë e Maliq Bushatit (12 shkurt – 28 prill 1943), u suprimua ministria e Tokave të Liruara, por veprimi shtetëror në këto treva shqiptare vazhdoi të ushtrohej me institucione të tjera. Një ndër pikat e programit të Qeverisë Bushati, prezantuar në mbledhjen e përgjithshme të Këshillit të Epërm Fashist Koorporativ, më 17 shkurt 1943, ishte: – Me vu Shqipnin e Madhe në kondita që me u mbrojtë nga çdo rrezik i brendshëm e i jashtëm që mund t’i kërcënohet. Në fjalën e tij, kryeministri Bushati theksoi: “ … Me qëllim që të mblidhen tok të gjithë qytetarët e ndershëm dhe besnikë të Atdheut edhe të ngrehun kështu ma të fortën mbrojë në mbrojtje t’indipendencës e t’integritetit ethnik të kombit tonë, âsht vendosun me themelue “Rojen e Shqipnis së Madhe”, qi do të jetë organizata totalitare e Shtetit Shqiptar… Prandaj âsht detyrë e të gjithë nacionalistave shqiptarë ta ndihmojnë Qeverin në ndëshkimin e pamëshirshëm t’atyne qi veprojnë në dám të Shqipnis së Madhe… Âsht detyrë e nacionalistave të ndihmojnë me mish e me shpirt veprimet e ushtris’ kur ajo të thirrë me mbrojtë mbrenda Atdheut ose në kufijtë e Atdheut, Shtetin Shqiptar…”.

I pari që mori fjalën në këtë takim, mbas kryeministrit Bushati, ishte këshilltari epror Z. Ibrahim Fehmiu, përfaqësues i Kosovës, duke thënë: Populli kosovar, në lidhje të pazbërthyeshme me krejt popullin shqiptar, nji mendjeje dhe nji shpirti me të, përshëndet deklaratat programatike të qeverisë Bushati zotimin e bujshëm të kryemit të aspiratave të shejta të të gjithë kombit shqiptar… Na kërkojmë, në emër të popullit që përfaqësojmë, prej qeverisë sonë nji gjá të vetme: Që ajo t’i përvishet me gjithë fuqi punës së zbatimit të rrufeshëm të të gjitha pikave të programit të saj. Kët’ kërkim e bájmë të tanë njëzánit në një çast historik si ky i tashmi, bash pse mbas masakrave të tmerrshme që pësoj një krahinë shumë e gjánë e tepër fisnike e Shqipnisë, ku u kositnë si bari mija e mija fëmijë, gra e burra, pleq e plaka nga furija e egërsisë së mbrapshtë sllave, nga çetnikët serbo-malazezë …”

2. Përfaqësuesit e Podgoricës dhe Luharit kërkojnë bashkim me Shqipërinë

Shtatëdhjetë e dy vjet më parë, përfaqësuesit dhe të dërguarit e posaçëm të popullsisë myslimane dhe katolike të qytetit të Podgoricës dhe Luharit iu drejtuen me një lutje ministrit sekretar shteti të Partisë Kombëtare Fashiste Shqiptare, shkëlqesës Kolë Bib Mirakaj, ku i kërkonin që ai të përdorte tân influencën e vet në mënyrë që dhe tokat e krahinave të tyre të përfshihen në gjirin e mëmës Shqipëri.

Kolë Bib Mirakaj, si përfaqësues i një prej familjeve më me autoritet në Veriun e Shqipërisë, ishte angazhuar zyrtarisht dhe personalisht në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në të gjitha trevat ku ata jetonin. Në një letër të hapur për Abaz Ermenjin, në qershor 1967, zoti Kolë Bibë Mirakaj duke trajtuar periudhën e qenies së tij ministër në qeveritë Kruja dhe Libohova, do të theksonte:

Ndër ato rrethana që përmendem e dihen ne vepruem me zgjuarsi e guxim sëbashku, tue vu shumëherë në rrezik personalitetin tonë, e më ketë mënyrë shpëtuem figurën juridike të shtetit shqiptar; patëm qeveri e parlament; ruajtëm të pacënuar gjuhën shqipe jo vetëm në parlament, por në të gjithë administratën dhe në arsim; krijuem Institutin e Naltë të Studimeve Shqiptare; sollëm përmirësim ekonomik aq sa Shqipnija nuk e kishte pasë prej shumë e shumë kohe; i bashkuem atdheut tokat e robnueme, duke realizuar të drejtën ma të Shenjtë të Kombit mbarë; hapëm shkollat shqipe në Kosovë e në Krahinat e tjera të Lirueme; hoqëm spatat e fashizmit në Flamur, tue e kthye në pastërtinë origjinale; nxorëm mundësinë që pranë legatave e konsullatave italiane, ku Shqipëria kishte interesa, të ishin diplomatë shqiptarë për të trajtuar ato interesa; kemi nxjerrë pëlqimin nga vetë Musolini me suprimue Partinë Fashiste Shqiptare dhe me e zëvendësue me Lëvizjen “Bijt e Shqipes” (Arkivi personal i familjes Mirakaj).

Në vijim, po publikojmë për lexuesin lutjet e përfaqësuesve të qytetit të Podgoricës dhe Luharit për bashkimin e trevave të tyre me Shqipërinë.

2.1 Lutja e përfaqësuesve të Podgoricës

Shkëlqesës Kolë Bib Mirakaj

Ministër Sekretar i Partisë Fashiste Shqiptare

Tiranë

Shkëlqesë,

Na të nënshkruemit, përfaqësuesa dhe të dërguar të posçëm të popullsisë myslimane dhe katolike të qytetit të Podgoricës, kemi nderin, n’emën t’asaj popullsije, të formulojmë revendikimet që vazhdojnë:

I. Padrejtësia e randë që pësoi krejt dheu shqiptar në vitin 1878 pat, edhe për çka i përket anëve tona, rrjedhje gjithëaq të padrejta: Podgorica, qyteti i jonë, që ka qenë, herët e vonë, tokë thjesht shqiptare, iu dha Malit të Zi. Bashkëqytetarët tonë, si gjithë krahinat e Tivarit e të Ulqinit u bashkuen, atëherë, me vëllaznit tivaras dhe ulqinas tue bashkëpunue, bri për bri me ta në luftën e përgjakshme që Europa e padrejtë, Europa e atëhershme, megjithëkëtë, nuk deshti të dij as të marrë parasyshë të drejtat për të cilat shqiptarët, të lidhun tok me besa-besë, derdhnin bujarisht gjakun e tyre. Kështu, megjithë flijimet tona të paharrueme, Podgorica, ndonëse qind për qind shqiptare, u sakrifikue nga Fuqitë e Mëdha për të ngimë lakminë e Malit të Zi.

II. Populli i Podgoricës, me gjithë vullnetin e tij të flaktë, përveç që luftoi burrnisht, protestoi, atëherë, ndër të gjitha Fuqitë e Mëdha me përmendore dhe telegrame, tue kërkue rikqyrjen e padrejtësisë së diktueme viseve tona. Gjashtëdhjetë e katër vjet përpara, në të vërtetë, Partia e Podgoricës, të parët tonë, shpreheshin në mënyrën më të qartë për çka iu përket ndiesinave të tyne: “Na të nënshkruemit – thotë një protestë e datës 15 prill 1878 – lusim që të merret parasysh rreziku që i kërcënohet qenjes sonë. Na kemi nderin të shfaqim se Kombi Shqiptar, si katolik ashtu edhe muhamedan, asht i një mendje për të mbrojtë Atdheun prej shkëputjes së projektueme të tokave, si një gja kundra lumnis, interesave dhe dëshirave të veta. Na lusim, – mbaronte protesta – që të mbrohet tanësija e jonë tokësore dhe kombëtare, të na kursehen gjakderdhjet shkatërrimtare që kanë për të plasun në qoftë se i shkëputen Shqipnisë toka të saja”.

III. Sot që, për fat të mirë të të vegjëlve, asht në zhvillim vendosja e një rendi që nuk mund të mos i japë të drejtë Kombit Shqiptar, si viktimë e përhershme e valës pansllave, të nëshkruemit, tue interpretue besnikërisht ndiesinat e thella të të gjithë popullsisë së Podgoricës, kërkojnë drejtësi: drejtësi për atë popull që, edhe tash, ndodhet ende nën shkelmin e tiranisë malazeze; drejtësi për fizionominë thjesht shqiptare të një qyteti që, kur e lypi puna, në vitin 1878, e provoi me anë të gjakut të derdhun bujarisht karakterin e vet thjesht shqiptar. Me zanin tonë, sot që ka le drita e drejtësisë, bashkohen të gjithë ata që, prej vitit 1878 e mbrapa, dhanë burrnisht jetën e tyne për të mbetun, për të qenun dhe për të jetue gjithë jetën e jetës, vetëm ashtu si kishin lindun e ndiheshin: Shqiptarë.

IV. Koha e gjatë që e ka nda Shqipninë nga një bijë e saja kreshnike: nga Podgorica, duket se ka zgjue, aty këtu, një përshtypje të pathemeltë: atë se Podgorica asht, tashma një qytet i sllavizuem. Kjo përshtypje, përkundra, nuk i përgjigjet aspak së vërtetës. Ja se pse: Popullsija e Podgoricës asht e përbame prej një sasie trembëdhjetë mijë banorë. Kjo popullsi ndahet kështu: katër mijë myslimanë dhe katolikë dhe tetë mijë të besimit ortodoks. Shumica ortodokse e popullsisë ban shumëkënd me ra në gabim: mendojnë se mbasi shumica asht e besimit ortodoks, don me thanë se shumica e popullsisë asht malazeze. Prej gabimi në gabim: as kjo përshtypje nuk asht e vërtetë. Ja se pse: të tetë mijë banorët, ndonëse janë ortodoksë, janë shqiptarë e, me të vërtetë kryekëput shqiptarë. Popullsia ortodokse e Podgoricës asht e përbame nga shqiptarë t’ardhun prej viseve të ndyshme shqiptare: nga Kuçi, nga Pipri, nga Leshanji, nga Bjelopaliqi, origjina e të cilëve rrjedh, ç’e thonë dhe e pohojnë edhe vetë ata, nga Dukagjini. Të drejtat shqiptare pra mbi Podgoricë, mbeten krejt të paprekuna dhe si të tilla, kryekëput të revendikueshme.

Përveç kësaj, Podgorica, edhe sikur të lihet padrejtësisht në Malin e Zi, nuk do të mundej me jetue. Arsyeja asht e thjeshtë: krejt hinterlandi i saja: Gruda, Hoti, Triepshi, Dinosha, Omerbozhjaj, Koça, Ledina dhe Fudna, Vranje, Vllana, Matagushi e të tjera janë thjesht shqiptare dhe të mbetuna ose të destinueme për të mbetun Shqipni. Jeta e Podgoricës, pra, pa këtë hinterland, që asht ai i natyrshmi i këtij qyteti, asht kryekëput e pamundshme, arsye për të cilën edhe sikur të dëshirohet me u lanë jashtë kufijve të Shqipnisë, tue folun ekonomikisht, ajo nuk do të mundej me jetue. Ekonomija asht, siç dihet, boshti që rrgullon jetën e popujve e, nga kjo pikëpamje, Podgorica nuk mund të mbetet veçse mbrenda kufijve të Shqipnisë. N’anë tjetër, edhe hniterlandi, nuk mundet me jetue pa Podgoricë e, edhe tregtija e kësaj qendre, asht ba e bahet gjithnjë në Shkodër. Përfundimi që zbërthen nga këto konstatime asht sa logjik dhe i natyrshëm: Podgorica nuk mund të jetojë pa qarkun e vet të natyrshëm e, qarku i vet nuk mund të jetojë pa qendrën e vet.

VI. Mandej, na, si përfaqësuesa të Podgoricës mundemi të sigurojmë, me bindje të plotë se nuk mund të përgënjeshtrohemi nga asnjë fakt, se shumica dërmuese e popullit të qytetit të Podgoricës invokon, nëpërmjet nesh, nxehtësisht bashkimin e saj me atdheun e përbashkët: me nanën Shqipni. Prandaj, në vazhdim të kërkesave tona të paraqituna edhe gjashtë muej ma parë, tash që asht ka paraqitet mundësija e një rikqyrjeje të kufijve ndërmjet Shqipnisë dhe Malit të Zi, lusim nxehtësisht që të ndreqet, ndër të tjera, edhe padrejtësia e pësueme prej Podgoricës: të ndërmjetësohet ku lypset që të përfshihet sa ma parë mbrenda kufijve të Shqipnisë.

VII. Na të nënshkruemit, tek e mbramja, lusim nxehtësisht Qeverinë Kombëtare Shqiptare që të ketë mirësinë të na japë një leje për të blerë dhe eksportue një sasi misri për Podgoricë me qëllim që t’u ndahet me çmim të ulët, një pjese nevojtare të popullsisë së elementit mysliman dhe katolik që ndodhet shumë ngushtë.

Tiranë, më 14 maj 1942. XX.

Përfaqësuesit e popullsisë së Podgoricës

Haxhi Hafiz Sulejman Begaj, Omer Beg Haveri, Hysejn Brati, Jusif Lumani, Mustafa Dervani. M. Berira (?) (vijojnë firmat)

2.2 Lutja e përfaqësuesve të Luharit

Shkëlqesës Kolë Bib Mirakaj

Ministër Sekretar i Partisë Kombëtare Fashiste Shqiptare

Tiranë

7. VI. 1942/XX

Shkëlqesë!

Kam marrë një apel të ri të njerëzve tonë të Luharit, të cilët me anë të majorit Luc Magji Perkaj dhe të mësuesit Prenk Gruda më lusin të intervenoj edhe një herë që vendi i tyre të përfshihet në kufijt e Shqipërisë së Madhe dhe që të dërgohet në Luhar Roja Mbretnore e Financës.

Shkëlqesa e Jua e njeh mirë çështjen, dhe unë po ua kaloj Juve lutjen e këtyre bijve të Shqipërisë, të cilët qysh prej 1878 kan vuajtur nën thundrën e sllavit barbar.

DO TË FITOJMË!