A e njohu Serbia Kosovën ?!

Filed under: Kosova |

656X37358796marrveshja_ne_brukselU deshën 10 orë negociata në Bruksel dhe ndërmjetësimi i shefes së Politikës së Jashtme të BE-së Federika Mogherinit, që kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe ai serb Aleksandër Vuçiç, të arrinin marrëveshjen për drejtësinë. Takimi i parë i raundit të 24-ët të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, rezultoi i suksesshëm për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Sapo nënshkruam marrëveshjen për drejtësinë: rezultat i shkëlqyeshëm me rifillimin e dialogut Beograd-Prishtinë. Faleminderit të dyja palëve”, shkroi Mogherini në “Twitter”, pas takimit.

Marrëveshja synon funksionimin e gjykatës në veri të Mitrovicës, ku gjysma e prokurorëve e gjykatësve do të jenë serbë, e gjysma tjetër shqiptarë. Por sa gjithëpërfshirëse është kjo marrëveshje mes dy vendeve, raportet e të cilave janë gjithmonë në tension?!

Politikanët serbë flasin ende për njohje të Kosovës. Ish-kryeministri serb, tanimë deputet në Kuvendin e Serbisë, Zoran Zhivkoviç, deklaroi se me nënshkrimin e marrëveshjes për gjyqësorin në Kosovë, qeveria e udhëhequr nga Aleksandër Vuçiç, e njohu pavarësinë e Kosovës. Nga ana tjetër, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti theksoi se kjo marrëveshje u krye për “sabotimin e shtetësisë së Kosovës”. Po qytetarët kosovarë çfarë thonë?

Ata po përgjigjen çdo ditë me ikje masive nga Kosova. Perspektiva e tyre për të ardhmen nuk lidhet me vendin e tyre, as me vendet fqinjë, por Evropën. U desh thirrja e BE-së, që autoritetet në Serbi të shtrëngonin masat e kontrollit, edhe pse kjo gjë u kritikua. Lideri radikal serb, Vojislav Sheshel tha se Serbia duhet t’i lejojë kosovarët të ikin.

Në këto kushte, a janë të gatshme Serbia dhe Kosova që të mbyllin kapitullin e “grindjeve” mes tyre? Le të jetë kjo marrëveshje, momenti i transformimit dhe normalizimit të raporteve mes shteteve, për të përmirësuar standardin e jetesës së qytetarëve kudo, pa dallime etnike.