Kosova në OKB, përplasje mes Çitakut dhe Daçiç

Filed under: Kosova,Politike,Shqiperia Natyrale |

Në takimin e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB për Kosovën, përfaqësues të Beogradit dhe Prishtinës janë përplasur sërish për situatën në Kosovë, të ardhmen e saj dhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Palët kishin qëndrime të ndryshme rreth mbledhjeve të KS për Kosovën dhe praninë e misionit të OKB në Kosovë.

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç këmbënguli në vazhdimin e misionit të UNMIK, që sipas tij është i domosdoshëm për të mbrojtur serbët në Kosovë.

“UNMIK nuk po u kushton vëmendje raporteve për të zhvendosurit. Në Kosovë janë kthyer vetëm 1.9 për qind e të zhvendosurve dhe në Prishtinë jetojnë 100 herë më pak serbë se 30 vite më parë. Kjo dëshmon se serbët kanë pësuar spastrim etnik nga Kosova dhe rrëzon pretendimet e anasjellta”, u shpreh Daçiç.

Për ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, UNMIK-u nuk është më i nevojshëm, pasi Kosova është tashmë vend i pavarur, që po përpiqet tani të ndërtojë edhe ushtrinë e saj në partneritet me NATO-n.

“Serbia duhet të merret me të kaluarën, jo vetëm për shkak të Kosovës, sepse Kosova është e lirë dhe e pavarur dhe kjo nuk do të ndryshojë, por ajo duhet ta bëjë këtë për hir të fëmijëve dhe të ardhmes së saj. Ripërtëritja e ideve për ndarje në vija etnike është me rrezik për tërë rajonin. Kosova dhe pavarësia e saj nuk është projekt i përkohshëm. Ajo është aty për të qëndruar përgjithmonë. Normalizimi nuk mund të ndodhë nëpërmjet ndarjes”, u shpreh Çitaku.

Ministri i jashtëm serb nuk mundi të fshehë nervozizmin si ndaj vendeve perëndimore, që kërkuan mbajtjen e më pak takimeve të tilla për Kosovën, ashtu edhe ndaj ambasadores Çitaku dhe fjalës së saj, të cilës i kërkoi të mos thoshte se është kosovare, pasi kombi kosovar nuk ekziston.

“Populli shqiptar e ka shtetin e vet, kosovarët nuk kanë shtet sepse nuk janë komb. Çitaku nuk është kosovare, por shqiptare”, tha Daçiç.

“Une jam një shqiptare etnike dhe një qytetare krenare e Kosovës. Jemi krenar që ne nuk kemi pasardhës të Millosheviçit, por kemi njerëz të cilët kanë luftuar kundër regjimit të Millosheviçit dhe Karaxhiçit”, u kundërpërgjigj ambasadorja e Kosovws nw BE.

Debati në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit u zhvillua mbi raportin e përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Zahir Tanin, për tre mujorin e fundit, që sipas tij, është dominuar nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë dhe bisedimet për krijimin e një qeverie të re.