Ivanov proteston ndaj ligjit për gjuhët: Është antikushtetues!

Filed under: Ilirida,Politike,Shqiperia Natyrale |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov e ka quajtur “antikushtetues, antishtetëror dhe nxitës të tensioneve ndëretnike”, miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve nga Kuvendi i Maqedonisë.

Ai tha se nuk do ta dekretonte ligjin e miratuar mes tensioneve në seancën e së mërkurës.

“Ligji për përdorimin e gjuhëve është i padrejtë, represiv dhe favorizon vetëm një gjuhë. Ai do të shkaktojë tensione dhe paraqet kërcënim për bashkëjetesën ndëretnike”, ishin fjalët e Ivanovit, i cili shtoi se nuk do ta lejonte këtë.

Presidenti lëshoi akuza të rënda ndaj kryeministrit Zoran Zaev dhe shumicës parlamentare, për mosrespektimin e garancive të dhëna se do të respektonin Kushtetutën dhe se nuk do të miratonin ligje antishtetërore.

Megjithatë, sipas nenit 75 të Kushtetutës, presidenti është i detyruar ta dekretojë ligjin, nëse ai miratohet për herë të dytë nga Kuvendi.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi tha se kreu i shtetit, as tani dhe as në fazën e parë nuk ka pasur të drejtë të vlerësojë kushtetutshmërinë e ligjit. I vetmi organ që ka të drejtë të bëjë interpretime të tilla, sipas tij është Gjykata Kushtetuese.

Ndërkohë, nëpër rrjetet sociale, profile të ndryshme që mbajnë simbolin e VMRO-DPMNE-së kanë bërë thirrje për protesta masive dhe bllokim të rrugëve, në shenjë proteste kundër votimit të ligjit për gjuhën shqipe. Janë postuar gjithashtu me qindra mesazhe urrejtjeje, që nxisin dhunën nderetnike në vend.