Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Beteja per Shkodren

Filed under: Kultura,Shqiperia Natyrale |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Më 15 maj të vitit 1474 shtatë sanxhakbejlerë, në krye të disa mijëra ushtarësh, arritën në fushën e Shkodrës. Pasi rrethuan kështjellën, një pjesë e tyre filloi plaçkitjen e krahinave rreth saj. Më 4 qershor arritën trupa të tjerë me bejlerbeun e Rumelisë në krye, Sinan Pashën, duke e rritur numrin e përgjithshëm të tyre. Burimet e kohës japin një shifër të ekzagjeruar, 80 mijë veta.

10447622_779783992083548_103797402967318128_nPër pushtimin e kështjellës Sinan Pasha vuri në përdorim artilerinë. Pranë mureve të saj u derdhën gjatë muajit qershor 4 topa shumë të fuqishëm. Pas një bombardimi të vazhdueshëm muret e kështjellës u dëmtuan rëndë, por shqiptarët i meremetonin ato vazhdimisht duke punuar edhe natën.
Mbrojtësit dhe të strehuarit në kështjellën e Rozafës u gjendën përballë vështirësive të shumta. Uria, etja dhe sëmundjet shkaktuan ndër ta vdekje në masë. Sipas një relacioni mbi rrethimin e Shkodrës, të shkruar e të botuar ato ditë prej humanistit venecian Gjergj Merulës, vdiqën gjysma e të strehuarve në kështjellë, rreth 3 mijë veta. Mbrojtësit e Shkodrës iu drejtuan për ndihmë dukës së Venedikut. Komandanti i flotës veneciane Trinidat Griti, që ndodhej në këtë kohë në detin Egje, kur e njoftuan për rrethimin e Shkodrës, me iniciativën e vet u nis menjëherë në ndihmë të saj. Në krye të 8 anijeve luftarake ai hyri në lumin e Bunës, por për shkak të cektësisë së ujit nuk mundi të lundrojë sipër Shirgjit. Si rrjedhim, ai nuk arriti të krijojë lidhje me mbrojtësit e kështjellës së Shkodrës, as të ndërmerrte ndonjë aksion kundër forcave osmane. Përkundrazi, sapo e zbuluan flotën veneciane, osmanët e sulmuan atë dhe e detyruan të largohej menjëherë në det të hapur nëpërmjet lumit të Bunës.
Ndihmë të rëndësishme u dhanë mbrojtësve të kështjellës shqiptarët që vepronin jashtë saj, në rrethinat e Shkodrës dhe në vise të tjera më të largëta, si edhe luftëtarët e Gjon Gjurashit. Këta vinin nga kështjellat e papushtuara, nga liqeni i Shkodrës, nga ngushtica e gryka të rrezikshme dhe sulmonin pandërprerë trupat osmane dhe karvanët e furnizimit të tyre, duke u shkaktuar dëme të rënda.
Pas një muaji bombardimi të pandërprerë të mureve të Rozafës, Sinan Pasha urdhëroi më 18 korrik që të sulmohej kështjella, duke përdorur gjerësisht të gjitha mjetet e mundshme. Me besim të plotë se do ta merrnin kështjellën, osmanët vërshuan me tërbim drejt mureve të saj, por sulmi i tyre ndeshi në qëndresën e pamposhtur të mbrojtësve të kështjellës. Këta kundërsulmonin me heroizëm dhe largonin forcat osmane, duke u shkaktuar humbje të rënda. Sipas një letre të shkruar ato ditë nga qeveritari venecian i Shkodrës, A. Loredani, ushtria osmane la në këto luftime mbi 7 mijë të vrarë dhe një numër shumë të madh të plagosurish.
Trupat osmane nga dita në ditë po ndesheshin në vështirësi gjithnjë e më të mëdha, si prej sulmeve të luftëtarëve shqiptarë që vepronin në viset përreth, ashtu dhe nga mungesa e furnizimit me ushqime e materiale të tjera të nevojshme për ushtarët dhe kuajt e tyre. Këto vështirësi e bindën Sinan Pashën se ishte e kotë që të vazhdonte më tej luftën, prandaj vendosi që t’i largonte ushtritë nga rajoni i Shkodrës. Më 9 gusht ushtritë osmane hoqën rrethimin nga Shkodra dhe gjatë largimit dogjën e shkatërruan çdo gjë, duke përfshirë edhe kështjellën e Dejës, pas një qëndrese të fuqishme të popullsisë së saj të udhëhequr nga vëllezërit Lekë e Nikollë Dukagjini. Largimi i tyre prej tokave shqiptare shkaktoi një valë gëzimi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shtetet italiane e në vende të tjera, sepse, siç shkruante Gj. Merula, kur osmanët sulmonin muret e kështjellës së Rozafës thirrja e tyre e luftës ishte “Roma! Roma!”, gjë që tregonte se ata synonin që, pas pushtimit të qyteteve shqiptare, të fillonin pushtimin e Italisë.