Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Receta tradicionale lakror me lakra të egra .

Filed under: Shendeti |


Jeni ende në mëdyshje se ç’do të gatuani sot për drekë? Nuk keni pse mendoheni gjatë, pasi Brunhilda Çela ka zgjedhur t’ju zbukurojë tryezën, si dhe t’ju zgjojë gjithë shqisat me një lakror me lakra të egra, frymëzuar nga lakrori tradicional i Korçës, me dy petë, por i sajuar sipas fantazisë së saj.

PËRBËRËSIT: 600 gr miell, 2-3 lugë gjelle vaj ulliri, 150 ml ujë i ngrohtë, 200 ml kos, 1 lugë e vogel kafeje sode buke,1 lugë e vogël kafeje maja buke pluhur, 1 lugë çaji kripe, gjalpë për pjekje. Për lyerjen sipër: 1 të verdhe veze dhe1 lugë qumësht, kurse për mbushjen lakra të egra të përziera rreth 800 gr (unë kisha lulëkuqe, qumështore, pak labot, nena, pak lëpjetë, rrepice, shtrapull, pak hithër dhe 200 gramë ajkë qumështi, 4 qepë të njoma, 1 tufë kopër, 100 gr djathë të bardhë, 3 lugë vaj ulliri dhe kripë.

PËRGATITJA: Me të gjithë përbërësit zëmë brumin. Në fillim përziejmë të gjithë përbërësit e thatë. Në një tas përziejmë të gjithë përbërësit e lëngshëm. Brumin e zëmë jo shumë të fortë por as të butë fare, nëse na del i ujshëm i shtojmë pak miell, nëse na del i fortë i shtojmë pak ujë të vakët dhe e punojme mirë të përfitojmë një brum elastik. Brumin e lëmë në qetësi të mbuluar me qese plastike. Ndërkohë merremi me lakrat e egra. I qërojmë dhe i pastrojmë mirë një nga një, pastaj i lajmë me ujë të bollshëm disa herë, derisa uji të dalë i pastër.
Në një tenxhere të madhe vëmë ujin të marrë valë, hedhim aty 1 lugë gjelle kripë, shtojmë lakrat dhe i lëmë të ziejnë rreth 2-3 minuta. Pastaj i kullojmë dhe i shpëlajmë në ujë të ftohtë derisa të ftohen plotësisht dhe i kullojmë mirë në një kullesë. Në një dërrasë kuzhine i grijmë imët lakrat me një thikë dhe i hedhim në një tas të madh. Aty shtojmë qepët e njoma të grirë imët, koprën, ajkën, djathin, vajin e ullirit dhe kripën dhe i përziejmë me një lugë.
Marrim brumin dhe e ndajmë në tri pjesë të barabarta. Njërën pjesë e ndajmë përsëri edhe në dy pjesë të tjera pra gjithesej kemi 4 pjesë dy më të mëdha dhe dy të vogla. I punojmë të gjitha, i japim formën e një topi dhe i mbulojmë përsëri për t’i lënë të pushojnë. Marrim një tepsi me diameter 35-40 cm, e lyejmë me gjalpë ose shtrojmë një letër pjekëse. Hapim topin e parë në tavolinën e punës me diametër sa tepsia dhe e shtrojmë në tepsi.
Hapim njërin prej topave të vegjël për se gjati dhe e presim në shirita nga të dyja anët. Në mes hedhim lakra të egra dhe bëjmë gërshetin duke i mbledhur bukur. Kështu veprojmë edhe me topin tjetër të vogël të brumit.
Të dy gërshetat i vendosim anash. Mbi petën e parë hedhim mbushjen e mbetur e hapim dhe e sheshojmë me një lugë. Me topin tjetër të brumit hapim një petë të madhe rreth 40 cm. Këtë petë e presim në shirita dhe me shiritat mbulojmë gjithë siperfaqen ku kemi hedhur mbushjen. Me pjesët e mbetura unë bëra ca gjethe në formën e gjetheve të lulëkuqes dhe ca petale si lulëkuqja dhe i shpërndava mbi shiritat e brumit, sipas shijes sime. Ju mund ta beni si t‘ju pëlqejë. Të gjithë sipërfaqen e lyeva me të verdhën e vezës të përzier me 1 lugë qumësht, me një furçë kuzhine. Spërkas me ca copa gjalpi sipërfaqen dhe e vë piten të piqet rreth 35-40 minuta në 200 gradë.