Sa para shpenzojnë partitë? KQZ tregon deklaratat e PS dhe LSI: PD po verifikohet

Filed under: Politike |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar bilancet financiare të vitit që shkoi të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, bilancet janë deklaruar nga vetë partitë.

2017 ishte vit elektoral dhe shpenzimet në një vit të tillë janë shumë më të larta. Ndërkohë në letra Partia Socialiste, ka deklaruar një bilanc prej gati 200 milionë lekësh, ku pjesa më madhe rreth 142 milionë lekë janë financime nga buxheti i shtetit. Gati 40 milionë lekë janë deklaruar si pagesa kuotash, ndërsa Partia Socialiste ka marrë si dhurate 14 milionë lekë.

Kurse Lëvizja Socialiste për Integrim ka një shifër donacionesh më të madhe se PS, mbi 20 milionë lekë, kjo parti deklaron si donacion edhe disa automjete. Buxhetin në total për 2017 e ka pasur rreth 43 milionë lekë. Në bilancin LSI pasqyrohet dhe një listë donatorësh me emrat e atyre që ka dhuruar më shumë se 100 mijë lekë, pjesa dërrmuese janë ish-deputetë dhe deputetët aktualë të kësaj force politike.

Pa publikuar është bilanci i Partisë Demokratike. Burime nga KQZ bëjnë të ditur se dokumenti është dorëzuar, ndërkohë që KQZ po bën verifikime mbi këtë bilanc për të verifikuar shifrat. Kjo përkon me hetimet që po kryen Prokuroria në lidhje me kontratat e lobimit të Partisë Demokratike.

Procedimi nisi kryesisht pas një shkrimi të revistës “Mother Jones” që hidhte dyshime se paratë me të cilat u paguan lobuesit në SHBA vinin nga kompani të regjistruara në parajsat fiskale pas së cilave qëndrojnë shtetas rusë, ndërsa më herët u zbuluan edhe faturat e gjysmë milioni dollarë të paguar nga kjo parti për lobim.