Pas publikimit në Opinion, zbulohet një tjetër skandal me kompaninë ARMO

Filed under: Politike |

Skandali i detyrimeve të papaguara që rafineria e përpunimit të naftës ARMO ka ndaj institucioneve publike thellohet më tej.

Vetëm për faturat e energjisë elektrike, borxhi i ARMO-s ndaj OSHEE-së kap vlerën 22.3 milionë dollarë, detyrime që janë rritur ndjeshëm sidomos ndaj 3 viteve të fundit.

Sipas të dhënave zyrtare të kompanisë së shpërndarjes së energjisë, rafineria ka shpenzuar energji elektrike nga viti 2007 deri në 2014-ën, 4.7 milionë dollarë, ndërsa kamatat për mospagesën e faturave për këtë periudhë 7-vjeçare janë 5.2 milionë dollarë.Për vitin 2015, 2016, 2017 energjia elektrike e konsumuar është më e madhe dhe arrin në vlerën 8.4 milionë dollarë, ndërsa kamatat janë 4 milionë dollarë.

Vetëm për vitin 2017, kur rafineria u menaxhua nga kompania IRTC, pas të cilës qëndron edhe një investitor amerikan, nuk u paguan 3,7 milionë dollarë, siç shihet në shifrat zyrtare që OSHEE i vuri në dispozicion Televizionit Klan.

Po përse nuk iu ndërpre energjia rafinerisë, siç veprohet me biznese të tjera apo me qytetarë kur nuk e paguajnë atë? OSHEE jep këtë sqarim.

“Në lidhje me debinë, saktësojmë se bëhet fjalë për kontratën sipas të cilës, furnizohen me energji elektrike pompat e ujit, të cilat ndodhen brenda Nënstacionit 110/35/6 kV Ballsh të privatizuar. Këto pompa, furnizojnë me ujë rafinerinë për nevojat e saj, Ujësjellësin e Mallakastrës (qytetin e Ballshit dhe fshatrat) dhe shumë konsumatorë familjarë. Prandaj nuk është e mundur të bëhet ndërprerja e energjisë sepse ka efekte në popullate”.

Por ekspertë të sektorit energjitik sqarojnë jashtë kamerave se me 3.7 milionë dollarët që nuk ka paguar rafineria për vitin 2017, nën menaxhimin e kompanisë IRTC mund të ishte ndërtuar një nënstacion tërësisht i ri për ujësjellësin e Mallakastrës. Me largimin e amerikanit të IRTC-së, këto para zhduken, shuma do të duhet të paguhet nga qytetarët shqiptarë, ndërsa Mallakastra do të mbetet sërish në vartësi të investitorit të radhës në rafineri.

Vetëm pasi është akumuluar ky borxh në shifra marramendëse, OSHEE thotë se për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare problemit, po vlerëson projektin e rrjetit elektrik për realizimin e ndarjes së furnizimit mes refinerisë dhe ujësjellësit.

OSHEE sqaron shkresat që i ka dërguar ARMO-s, IRTC-së dhe Bashkisë i janë refuzuar.

“Nga ana e “OSHEE” Sh.A i është dërguar shkresë zyrtare dhe njoftuar disa herë zyrës në Ballsh të “ARMO” Sh.A sha, për shlyerjen e detyrimeve të energjisë elektrike. Kjo shkresë ËSHTË kthyer mbrapsht me arsyetimin që “ARMO” Sh.A. nuk ushtron më aktivitet pranë Uzinës së Përpunimit të naftës. Për këtë arsye, është ridërguar shkresë, shoqërisë “IRTC” Sh.A, e cila ushtron aktivitetin në uzinën e përpunimit të naftës Ballsh. Kjo shkresë është refuzuar sërish nga administratori i shoqërisë “IRTC” Sh.A. Kërkesë për rakordim të dhënash dhe detyrimesh i është kërkuar edhe bashkisë, janë ftuar disa herë, por pa zgjidhje, pasi pretendojnë që nuk janë titullarë të kësaj kontrate”.

Vetëm pasi gropa financiare është thelluar, OSHEE thotë se do të ndërhyjë, qofte edhe me ndihmën e policisë, për t’i prerë energjinë rafinerisë.

“Ndërprerja e energjisë elektrike për rafinerinë, e cila deri në Dhjetor 2017, e ka marrë nga furnizues privatë, sipas kushteve kontraktuale dhe legjislacionit në fuqi, duhet të bëhet brenda territorit të rafinerisë për stakimin e linjës, pa cënuar sigurinë e furnizimit për zonat e tjera (madje, nëse është e nevojshme, edhe me ndihmën e Policisë së Shtetit, nisur nga refuzimi në të shkuarën për moslejim të hyrjes në ambientin e rafinerisë nga shoqëria që e menaxhon)”.

Skandali në kompaninë ARMO është gropa financiare më e madhe në Shqipërinë post-komuniste. 600 milionë dollarët që ajo ka në dogana, tatime, banka dhe tek furnitorët janë thuajse e njëjta shumë parash që shqiptarët humbën në skemat piramidale që pasuan trazirat e vitit 1997. 500 milionë nga këto janë krijuar nga periudha 2008 deri ne vitin 2013, ku 160 milionë u fshinë si efekt i ligjit të fshirjes fiskale. Shuma vijoi të rritej edhe pas kësaj periudhe. Ndër institucionet shtetërore që kanë lejuar këtë skandal, OSHEE është e vetmja që iu përgjigj kërkesës për të dhënë sqarime.