Parlamenti do ketë televizionin e vet. S’ka më gazetarë e kameramanë në seancat plenare

Filed under: Politike |

Edi Rama është ngritur në foltoren e parlamentit dhe ka thënë qartë se synon të mos lejojë më mediat private në parlament. Ka ardhur koha tha ai që Kuvendi të ketë TV e vet siç është ERTV-ja.

Pra nuk do lejohen më gazetarë apo kameramanë të operatorëve private në seancat plenare apo në mbledhjet e komisioneve, deklaroi Edi Rama.

Kryeministri e mori fjalën pas një debati të shpejtë që shpërtheu paraditen e sotme për mostransmetimin e seancës plenare nga televizionet private informative si AbcNews, Ora News, News 24 dhe Report Tv.

Vetë këto televizione informuan se TVSH nuk u ka dhënë sinjal si çdo të enjte me argumentin se duhet ta blejnë këtë shërbim. Të menjëhershme qenë reagimet politike të Petrit Vasilit dhe Sali Berishës që e dënuar ashpër vendimin e televizionit shtetëror dhe fajësuan Kryeministrin Edi Rama se kërkon të të bllokojë fjalën e lirë.

Sakaq sinjali u rikthye dhe mediat filluan transmetimin pa u dhënë ndonjë shpjegim se si u zgjidh situata me TVSH.

PD ndërkohë kërkoi 10 minuta pushim dhe mblodhi grupin parlamentar. Me rikthimin e punimeve të Parlamentit në foltore u ngrit kryeministri Edi Rama i cili tha se punimet e parlamentit nuk do ti ketë ekskluzivitet as TVSH dhe as TV private por të do të hapet një kanal i ri i dedikuar për punimet e parlamentit. Ai tha se ky kanal do të jetë i ngjashëm me kanalin e tij online ERTV.

Pjesë nga fjala e Ramës për transmetimet e punimeve të Parlamentit:

“Ka ardhur koha që Kuvendi të ketë Televizionin e vet. Të gjithë të interesuarit do ta marrin këtë shërbim si në çdo shtet demokratik nga ekrani i kuvendit, qoftë për seancat plenare apo të komisioneve. Nuk mund të ketë 25 kamera në sallën e kuvendit sepse janë shpenzime dhe burime njerëzore, mjafton një regji e Kuvendit dhe ua jep sinjalin të gjithëve.

Ligji që i imponon TVSH-së dhënien falas të veprimtarisë parlamentare nuk funksionon më sepse është mendësi komuniste. Këtu fillon dhe mbaron gjithçka! Sakaq TVSH nuk ka as të drejtë për tua shitur apo për tju imponuar TV private logon e vet sepse nuk është konkurrence e ndershme. Kjo gjë zgjidhet shumë thjesht. Kuvendi të marrë pajisjet nga TVSH (derisa të ngrejë infrastrukturën) dhe të ketë vetëm një regji qendrore, jo gjithë këta kameramanë të mediave private që rrinë këtu dhe gazetarëve që hyjnë e dalin… Pra të jetë i ngjashëm me ERTV që jep pamje falas për të gjithë. Kjo pjesa e censurës se po u mbyllim gojën oratorëve të opozitës më duket komedi.”