Pamjet shokuese/Fortunë në Policinë e Elbasanit: Shkarkohet drejtori dhe 10 të tjerë

Filed under: Politike |

Ngjarja e Elbasanit kur makina e zv/drejtorit Gjergj Oshafi u godit nga disa banditë ka shkaktuar fortunë në Policinë e Shtetit. Pamjet ekskluzive u transmetuan nga emisioni ‘Opinion’ dhe shokuan opinionin publik, pasi policia nuk veproi për të ndaluar autorët e sulmit ndaj saj.

Sot Drejtori Haki Çako njoftoi shkarkimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Elbasanit Arben Dashi dhe zv/drejtorit Gjergji Oshafi. Po kështu janë shkarkuar edhe drejtues dhe efektivë të tjerë. Në drejtimin e Policisë së Elbasanit është vendosur Altin Qato.

Deklarata e plotë e drejtorit të Policisë së Shtetit Haki Çako

Rreth një muaj më parë, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Elbasanit. Forcat e policisë, të angazhuara në një operacion kontrolli rutinë, u përballën me disa individë të dyshuar.Fatkeqësisht, forcat policore nuk ishin në lartësinë që kërkon detyra.

Mosveprimi i tyre solli që të dyshuarit të largohen dhe kësisoj operacioni të dështonte.

Pamjet filmike të operacionit të dështuar ishin gjithashtu tronditëse.

Dëshmia që u përcoll në opinionin publik e forcave policore që vëzhgonin të dyshuarit teksa largoheshin, madje dhe goditeshin prej tyre pa marrë asnjë kundërpërgjigje, ishte shokuese.

Policia e Shtetit është në shërbim dhe në mbrojtje të qytetarëve dhe misioni ynë është të transmetojmë siguri tek publiku.

Fatkeqësisht, ngjarja e Elbasanit, ishte një cënim për imazhin dhe punën e Policisë së Shtetit.

Në orët e para, fokusi ynë kryesor ishte stabilizimi i situatës. Por sigurisht, nuk mund të mos kryhej edhe një analizë e hollësishme e ngjarjes së ndodhur.

Pas hetimit të kryer nga Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshmë të Policisë së Shtetit, por edhe duke vlerësuar raportin e detajuar të SHÇBA-së, është arritur në konkluzionin se strukturat drejtuese dhe operuese në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan janë treguar të paafta për të menaxhuar situatën e krijuar në datën 18 shtator 2017.

Me veprimet dhe akoma më keq me mosveprimet e tyre, situata është përshkallëzuar dhe personat përgjegjës për ngjarjen e rëndë nuk janë arrestuar dhe vendosur përpara drejtësisë në kohën e duhur.

Ngjarja në fjalë tregon për një punë të dobët të kryer nga strukturat përgjegjëse në këtë drejtori në luftën kundër grupeve kriminale që kanë vepruar prej vitesh në qytetin e Elbasanit.

Sigurisht kjo ngjarje kërkon nxjerrjen e përgjegjësive konkrete.

Pikërisht prandaj, në konstatim të shkeljeve të rënda bazuar në Rregullorën e Policisë së Shtetit, kam urdhëruar masa disiplinore për 12 drejtues dhe punonjës të Policisë së Elbasanit, si më poshtë:

Lirimin nga kjo detyrë të Drejtorit të Policisë Vendorë Elbasan, Drejtues i Parë Arben Dashi dhe vënien në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit , për emërimin e tij në një detyrë tjetër.
Shkarkimin nga detyra të Zv/Drejtorit të Policisë Vendore Elbasan, Kryekomisar Gjergji Oshafi.
Shkarkimin nga detyra të Shefit të Sektorit për Krimet e Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, Kryekomisar Ilir Sula.
Shkarkimin nga detyra të Shefi I Rendit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, Kryekomisar Kujtim Muça
Shkarkimin nga detyra të Shefit të Komisariatit të Policisë Elbasan,Kryekomisar Zija Sulaj.
Shkarkimin nga detyra të Shefit të Seksionit për Krimet e Rënda, N/Komisar Ervin Ballaci.
Shkarkimin nga detyra të Shefit të Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Elbasan, N/komisar Abedin Halilaj.
Shkarkimin nga detyra të Specialistëve për Krimet, N/Komisar Petrit Mustafa, N/komisar Klajdi Hoxha dhe N/komisar Gerald Agalliu.
Shkarkimin nga detyra të SPZ-së, Inspektor Gëzim Suli.
Përjashtim nga Policia e Shtetit për SPZ, Inspektor Ferdinand Balliu.

Kam komanduar në krye të kësaj drejtorie një nga drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, Drejtorin e Departamentit të Sigurisë Drejtues i Lartë Altin Qato, i cili do të mbështetet nga një sërë specialistësh të Drejtorisë së Përgjithshmë të Policisë së Shtetit, të caktuar në mbështetje të tij për drejtimin dhe menaxhimin e strukturave Vendore qoftë në planin e ristrukturimit të plotë, qoftë në planin e goditjes së elementeve kriminalë.