Merkel: Zgjidhja e kontestit mes Greqisë dhe Maqedonisë më afër së kurrë…

Filed under: Politike |

Kontesti midis Maqedonisë dhe Greqisë për emrin duhet të zgjidhet, por procesi nuk ndikohet pozitivisht, nëse bëhet presion.

Kështu u shpreh kancelarja gjermane Angela Merkel në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev në Berlin.“Kontesti midis Maqedonisë dhe Greqisë duhet të zgjidhet, presioni në negociata nuk sjell dobi. Kam përshtypje se të dyja palët pas një kohe të gjatë kanë interes për zgjidhjen e kontestit. Ky është një parakusht i mirë”, tha Merkel.

Kancelarja gjermane theksoi se Maqedonia është më afër se kurrë në dekadën e fundit për zgjidhjen e kontestit me Greqinë rreth emrit, i cili e pengon integrimin e vendit në BE dhe në NATO.

“Në dhjetë vitet e fundit, zgjidhja nuk ishte aq afër, sa është tani dhe do të ishte e jashtëzakonshme nëse të dyja palët arrijnë t’i kapërcejnë pengesat”, theksoi Merkel.

Ajo përmendi se të dyja palët sillen me përgjegjësi në ripërtëritjen e negociatave dhe se edhe Greqia edhe Maqedonia janë në dijeni çka mund të japin që të arrihet kompromis.

“Kompromiset janë gjithmonë të dhimbshme, por edhe të nevojshme. Ky është art diplomatik dhe për këtë nuk duhet të flitet në konferenca për shtyp, por pas dyerve të mbyllura. Besoj se deklaratat publike më shumë mund ta dëmtojnë, sesa t’i bëjnë mirë procesit”, tha Merkel.