Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Majko: Politika serbe, asgjë s’ka ndryshuar

Filed under: Politike |

Për ish-kryeministrin Pandeli Majko, që ka udhëhequr vendin në kohën e luftës së Kosovës, asgjë e re nuk u shfaq në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë pas dhunës, në atë që ai quan stadiumi naziskin i Beogradit.

Është prishur vetëm një perceptim i asaj, që ne kemi dashur të besojmë në marrëdhëniet mes dy shteteve, thotë Pandeli Majko, që e cilëson këtë marrëdhënie më të vështirën në rajon.

“Serbët janë po ata që kanë qenë, ripohuan disa gjëra që kanë në marrëdhënie me ne, por kjo s’ka përse të na habisë, apo të na vendosë në ndienjën e një presioni se duhet të bëjmë diçka, që të jemi në nivelin mental të tyre. Nëse do ecnim me këtë logjikë, që shteti shqiptar të ishte në të njëjtin nivel mental me përgjigjet e dhëna nga Serbia, atëherë do të thotë që ne të binim në lojën e tyre. Kështu që, e përsëris, mënyra se si institucionet e shtetit shqiptar janë përgjigjur kanë prodhuar racionalizëm”, u shpreh deputeti Pandeli Majko.

Ndërsa rikthimin e retorikës në Beograd nuk e sheh si të re, ajo që për Pandeli Majkon u shfaq si risi ishte në Tiranë, dhe ishte pikërisht këmbëngulja e Qeverisë shqiptare për të mos mbyllur kanalet e komunikimit me Serbinë, për të cilën ai thotë se jemi të shtyrë edhe nga një arsye e fortë.

“Ne kemi mbi shpinë fatin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që herë i kujtojmë dhe herë të tjera në të shkuarën edhe i kemi harruar, por ne jemi përgjegjës për fatin e tyre nën shtetin serb. Pala serbe mund të ketë përfitimet e veta duke bërë rolin e djalit të keq apo garip në rajon, falë edhe ndihmës ruse. Në çdo rast do të kishte faktorë, të cilët për mungesën e komunikimit do të bënin Shqipërinë fajtore. Unë prisja nga Brukseli të kishte një deklaratë më të qendërzuar sa i përket asaj që ndodhi në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve. Mendoj se pritshmëritë ishin më tepër. Kjo është arsyeja që thashë, se politika amerikane bëri atë që ka bërë gjithmonë, në marrëdhënie me Shqipërinë dhe shqiptarët. Në qoftë se për serbët foli vëllai i madh, që është Rusia, atëherë edhe për Shqipërinë foli një vëlla tjetër, që e kanë emrin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në këtë pikë duhet të ndihemi krenarë”, u shpreh më tej ish-kryeministri Majko.

Pandeli Majko e cilëson vizitën në Beograd të kryeministrit si delikate dhe të shoqëruar me rrezikun se si shqiptarët do ta shohin Edi Ramën kryeministër. Por çfarë pritet nga takimi Rama-Vuçiç?

“Mendoj se do të jetë përcaktuese për vendosjen e status-quo-ve psikologjike dhe shtetërore. Është ende herët për të folur dhe për të dhënë shpjegime shteruese për këtë fakt. Mendoj se definicioni që thashë mbetet një vizitë shumë delikate, por e nevojshme. Nuk besoj se Edi Rama është duke bërë një vizitë historike, të jashtëzakonshme, e para pas 60 vitesh që nga koha kur Enver Hoxha udhëtoi drejt Beogradit, për një arsye shumë të thjeshtë: Jugosllavia nuk ekziston më dhe Beogradi është kryeqyteti i një shteti pa dalje në det, kjo për pasojë edhe të luftës çlirimtare të shqiptarëve”, deklaroi Majko.

Për ish-kryeministrin, heronjtë e vërtetë mbeten djemtë e kombëtares shqiptare, jo vetëm për mënyrën se si reaguan në stadium, por edhe me futbollistët serbë një ditë më pas.

“Ata janë heronjtë e vërtetë, askush të mos iu marrë pjesë të meritës. Kanë hyrë në historinë e marrëdhënies Shqipëri-Serbi”, përfundoi Pandeli Majko.MAJKO-21