Kompania e naftës çon Shqipërinë në gjyq ndërkombëtar, kërkon 70 mln USD

Filed under: Politike |

Shqipëria do të përballet në arbitrazh me një kompani të huaj të cilës i është hequr licenca për kërkimin e naftës dhe gazit. Transatlantic Petrolium ka depozituar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Zvicrës një padi për prishje të njëanshme të kontratës dhe kërkon që shteti shqiptar ta dëmshpërblejë me 70 milionë dollarë.

Në Tetor të 2016-ës Albpetrol i hoqi të drejtën e shfrytëzimit për dy vendburimet e naftës dhe gazit në zonën Çakran – Mollaj dhe bllokun Gorisht – Çokul.

Firma pretendon se prishja e njëanshme e marrëveshjes ka shkelur të drejtat tregtare të saj duke i shkaktuar kosto financiare për vlerën e investimit dhe fitimin që do të realizonte gjatë viteve të operimit në këtë zonë.

Por edhe Albpetrol ka ngritur një kundër padi ndaj kësaj firme. E kontaktuar nga televizion Klan kompania tha se ka ajo kërkon t’i marrë Transatlantic 75 milion dollarë. Albpetrol pretendon se koncesionari ka krijuar 13 milion dollarë detyrime ndaj saj, ndërsa nuk ka kryer si duhet investimin për të cilin angazhohej në kontratë duke sjellë dëme financiare të mëdha për puset e naftës dhe mjedisin përreth.

Transatlantic bleu aksionet e kompanisë Stream oil në vitin 2014, blloqet e të cilës zëne vendin e dytë për sasinë e prodhimit të naftës në vend, pas atyre që ka në shfrytëzim Bankers, duke arritur një prodhim mesatar vjetor 80 mijë tonë.