Fluturon borxhi i jashtëm. Detyrimet e qeverisë kapërcejnë 3 miliardë euro. Alarmohet BSH

Filed under: Politike |

qeveria-euro-gold
Borxhi i jashtëm i qeverisë tejkaloi shifrën 3 miliardë euro duke vendosur një rekord të ri historik. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë, tregojnë se në fund të tremujorit të tretë të vitit të kaluar, borxhi i jashtëm i qeverisë arriti në 3 miliardë e 62 milionë euro ose gati 30 për qind e Prodhimit Kombëtar.

Sipas shifrave, vetëm gjatë periudhës korrik-shtator të vitit të kaluar, qeveria mori 292 milionë euro borxh të ri nga jashtë. ” Borxhi i ri i marrë nga qeveria e përgjithshme në tremujorin e tretë të vitit 2015 ishte 51.4% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë,” thuhet në deklaratën e Bankës së Shqipërisë.

Të dhënat zyrtare nga Banka tregojnë se borxhi i jashtëm publik po rritet me ritme te shpejta nga viti në vit si pasojë e strategjisë së qeverisë për ta orientuar humarrjen në tregjet ndërkombëtare. Ndonëse kjo i ka mundësuar qeverisë të sjellë valutë në ekonomi, rreziqet janë të larta.

Alarmohet BSH

Në total, duke përfshirë edhe borxhet e kompanive private por edhe investimet e huaja direkte, borxhi i jashtëm i Shqipërisë llogaritet në 7.4 miliardë euro ose sa 73.1 për qind e Prodhimit Kombëtar nga 69.9 për qind që ishte një vit më parë. Qeveria vazhdon të mbetet huamarrësi më i madh në tregun ndërkombëtar. “Qeveria e përgjithshme është sektori me peshën më të madhe në totalin e stokut të borxhit të jashtëm, me rreth 41%,” vëren BSH.

Banka e Shqipërisë vëren se treguesit e borxhit të jashtëm janë duke u përkeqësuar me shpejtësi. Sipas të dhënave, detyrimet e Shqipërisë ndaj botës janë aktualisht 2.17 herë më të larta se sa eksportet vjetore që gjeneron ekonomia. Në vitin 2008 ky raport ishte vetëm 1.2 herë. Paralelisht nëse shprehet ndaj të ardhurave fiskale që mbledh qeveria në buxhet, borxhi është dyfishuar dhe nga 140 për qind e të ardhurave që ishte në 2008-ën ka arritur në 289 për qind.

“Tashmë, të dy këta tregues qëndrojnë ndjeshëm mbi nivelet teorike optimale të propozuara nga literatura e fushës,” konstaton e shqetësuar Banka e Shqipërisë.

Rreziqet

Në fakt që sa erdhi në pushtet qeveria e majtë e orientoi huamarrjen në tregun e jashtëm, një strategji që sipas saj do furnizonte ekonominë me valutë dhe do lejonte që fondet e brendshme të përdoreshin nga biznesi. Por zgjerimi me ritme rekord i humarrjes nga jashtë ka krijuar të tjera rreziqe për qëndrueshmërinë financiare të vendit. Disa nga treguesit që masin cilësinë e financave publike janë përkeqësuar me ritme të shpejta.

Më konkretisht nëse në vitin 2012 borxhi i jashtëm ishte 93.47 herë më i lartë se sa të ardhurat që mbledh qeveria në buxhet për një vit, në shtator të këtij viti treguesi u përkeqësua 109.4 herë. Nga ana tjetër shërbimi i borxhit të jashtë po merr gjithmonë e më shumë lekë nga buxheti. Nëse në vitin 2011 qeveria shpenzonte vetëm 1 për qind të Prodhimit Kombëtar për të shlyer interesat dhe principalin e maturar të borxhit të jashtëm, vitin e kaluar shifra u dyfishua, çka do të thotë se buxheti paguan tani rreth 200 milionë dollarë në vit për të shërbyer borxhin e jashtëm.