Bushati: Greqia nuk do ta kushtëzojë integrimin e Shqipërisë në BE

Filed under: Politike |

Pavarësisht nga retorika e fundit mes dy vendeve, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati nga SHBA ku ndodhet në Asamblenë e OKB deklaroi se nuk beson që Greqia do të kushtëzojnë integrimin e Shqipërisë në BE.

Shefi i diplomacisë shqiptare u shpreh se me Greqinë janë bërë hapa konkretë përpara për çështjet e pazgjidhura, ndërsa shtoi se do t’i ulim këto cështje në një nivel ekspertësh dhe më pas do ua prezantojmë dhe kryeministrave.

“Nuk besoj se është në interesin dhe dëshirën e Greqisë për të vendosur kushtëzime për perspektivën europiane të Shqipërisë, por siç u bë e qartë edhe në programin e prezantuar nga kryeministri jemi të interesuar për një marrëdhënie të drejtë me Greqinë dhe që sjell zgjidhje të drejta për të dyja palët.

Katër vitet e shkuara janë bërë disa hapa, atë që e kemi cilësuar si politika me hapa të vegjël, janë bërë hapa konkrete përpara, për marrëveshjen e detit kemi shkëmbyer pikëpamje, të gjitha cështjet janë vendosur në tryezë.

Kemi arritur në një moment përcaktues, ku së bashku me homologun do ti ulim këto cështje në një nivel ekspertësh dhe më pas do ua prezantojmë dhe kryeministrave tanë. Do përçojmë marrëdhëniet mes dy vendeve në një frymë evropiane. Edhe Greqia ka interes për t’u përfshirë në këtë proces.

Jemi të interesuar për tu kyçur në një marrëdhënie strategjike me Greqinë, marrëdhënie që pasqyron rrymën evropiane. Kemi rënë dakord për një kalendar të qartë aktivitetesh, që do përfshijë edhe pjesën politike, me synim përshpejtimin e rrugëve për një pjesë të mirë të problematikave” tha ai.

Zyrtarët grekë në muajt e fundit kanë reaguar kundër prishjes së disa objekteve që i përfshin projekti në Himarë, duke nënkuptuar se mund të bllokojnë edhe procesin e integrimit nëse nuk respektohet minoriteti.

Më pas Bushati u ndal te procesi i integrimit, teksa u shpreh se në muajin Mars të vitit që vjen do të ketë një takim të BE me vendet që janë pjesë e procesit të integrimit.

“Po punohet për të pasur rezultate në luftën kundër krimit e drogës. Në mars do ketë takim të BE me të gjitha vendet që janë pjesë e procesit të zgjerimit, ne synojmë që në harkun kohor të kësaj periudhe, të kemi disa hapa konkretë në këtë drejtim që ti krijojmë mundësi BE të marrë vendimin final për hapjen e procesit të integrimit. Reforma ën drejtësi është kyçe dhe ne po merremi me këtë çështje” deklaroi ai.

Por çfarë mendon Bushati për ndikimin rus në Ballkan dhe sfidat e rajonit?

“Ballkani perëndimor është në një situatë më të stabilizuar se 15 vite më parë, por prapë përballet me sfida. Bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm, por nuk mund të konsiderohen si anëtarësimi i Shqipërisë dhe vendeve të tjera në BE.

Zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor konsiderohet strategjik edhe vetë për BE. Ne jemi fokusuar dhe kemi pasur bashkëpunim me vendet e Ballkanit në luftën kundër terrorizmit.

BE dhe Ballkani perëndimor duhet të punojnë realisht për të zvogëluar hendeqet” përfundoi ai intervistën për Zërin e Amerikës.