4 Korriku festohet 241-vjetori i Pavarësisë se Amerikes .

Filed under: Politike |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Më shumë se 3 milionë amerikanë pritet të ndjekin nga afër spektaklin gjigant të fishekzjarreve, që do të elektrizojë Nju Jorkun me rastin e festës së 4 korrikut, e cila shënon këtë herë 241-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Britania e Madhe, në vitin 1776.

Kompania e veshjeve “Macy’s” sponsorizon sërish ngjarjen madhështore, që përfshin veç të tjerash interpretimin e Jennifer Lopezit dhe praninë e Sheryl Crow.

Kryeqyteti Uashington pret gjithashtu qindra mijë njerëz të bëhen pjesë e festimeve, ku nuk do të mungojnë as aty fishekzjarret, e është planifikuar edhe një koncert në ambientet e Kongresit amerikan.

Javën e kaluar, shefi i policisë Peter Newsham tha se policia do të jetë në terren, megjithëse nuk konsiderohet të ketë ndonjë kërcënim për festimet. Barrikada dhe pika kontrolli të policisë janë vendosur, sidoqoftë, tek ajo që njihet si “shëtitorja kombëtare”.

Në një muze të Bostonit, nga ana tjetër, do të ekspozohet njëra prej 14 kopjeve origjinale të Deklaratës së Pavarësisë. E konsideruar si dokumenti politik ndoshta më me rëndësi në botë, deklarata përcaktoi jo vetëm fatin dhe kornizën për mbijetesën e Amerikës, por frymëzoi edhe lëvizje të ngjashme për pavarësi anembanë globit.

Autoritetet lokale të zbatimit të ligjit, në koordinim me FBI-në, do të përdorin “drone” për të monitoruar turmat e njerëzve, si dhe aktivitetet gjatë spektaklit të fishekzjarreve në Boston. Shfaqja zhvillohet në lumin “Charles” dhe pritet të tërheqë deri në 500 mijë spektatorë.