Protestuan pas vrasjes së Ilia Karelit në Greqi, Gjykata e Tiranës dënon 4 persona

Filed under: Lifestyle |

ilia-protesta

Enio Sadikaj, Leonard Suli, Klodian Loca dhe Selim Mane janë dënuar nga Gjykata e Tiranës pasi u akuzuan për veprën penale të “Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Materialet e Prokurorisë ndaj tyre, u dërguan në gjykatë pas informacionit policior se “me datë 12.04.2014, rreth orës 16:30, nga një grup personash është zhvilluar një manifestim i paligjshëm në zonën përballë me selinë e Ambasades Greke në Tiranë, në periudhën pas vrasjes në burgjet e shtetit grek të shqiptarit të dënuar Ilia Kareli”.

Gjyqtari Bedri Qori i ka dënuar të rinjtë me gjobë, në vlerën e 70 mijë lekëve të rinj për secilin, gjobë kjo e cila duhet të paguhet brenda 6 muajve nga momenti që vendimi të marrë formë të prerë.

Vendimi / Materialet e Prokurorisë

Punonjësit e Policisë iu kanë bërë disa herë thirrje manifestuesve që të shpërndaheshin dhe të largoheshin nga vendi ku po protestonin, por ata nuk kanë lëvizur dhe nuk iu janë bindur urdhërave të tyre, duke bllokuar përkohësisht “Rrugën e Kavajës”.

Më tej, pasi punonjësit e Policisë kanë ndërhyrë dhe kanë shpërndarë turmën forcërisht, tek “Kryqezimi i 21 Dhjetorit”, Patrulla e Policisë ka shoqëruar disa nga manifestuesit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.2.

Lidhur me këtë procedim kanë dhënë deklarime për ngjarjen edhe punonjësit e Policisë, shtetasit H.E , N.A dhe D.S të cilët kanë deklaruar se rreth orës 16:30, ata janë njoftuar se një turmë prej rreth 150 – 200 personash po marshonin në bulevardin kryesor drejt bllokut të ambasadave.

Turma e manifestuesve ka tentuar t’i afrohet selisë së Ambasadës Greke në Rrugën e “Kavajës” në drejtim të “21 Dhjetorit”, por aty është përballur me kordonin policor të përbërë nga forca të F.N.Sh -së dhe Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë, ku pasi manifestuesit kanë parë se nuk mund të kalonin, një pjesë e tyre kanë gjuajtur në drejtim të forcave të rendit me sende të forta si gurë, shishe plastike etj. Më pas, disa pjesëmarrës në këtë manifestim janë ulur në tokë dhe kanë bllokuar aksin rrugor tek Rruga e “Kavajës”.

Nga ana e Policisë, atyre iu është bërë disa herë thirrje për t’u larguar dhe zhbllokuar rrugën, por kjo gjë nuk është arritur. Vetëm pas ndërhyrjes forcërisht të shërbimeve të Policisë, është mundësuar zhbllokimi i rrugës, si dhe është kryer shoqërimi në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.2 Tiranë të disa shtetasve manifestues, e konkretisht të Enio Sadikaj, Indrit Sullaj, Leonard Suli, Selim Mane, Idlir Demiraj, Klodian Laca dhe Fatjon Koka, duke u përpiluar edhe një Raport Shërbimi nga punonjësit e Policisë.

Gjykata

Mbi bazën e faktit të parashtruar më sipër dhe akteve provuese, nga përfaqësuesi i organit të akuzës u kërkua deklarimi fajtor i të pandehurve Enio Sadikaj, Leonard Suli, Klodian Loca dhe Selim Mane për veprën penale të “Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” të parashikuar nga neni 262/2 i Kodit Penal, dënimi i tyre me gjobë në masën e përcaktuar në pjesën hyrëse të këtij vendimi, duke parashtruar se nga të gjitha provat e administruara rezultoi e provuar fajësia e të pandehureve në kryerjen e veprës penale.

12 Prill 2014 / Policia pezulloi katër efektivë për dhunën ndaj protestuesve

Një tjetër protestë u mbajt në Tiranë në lidhje me vrasjen e shqiptarit Ilia Kareli në burgun e Nigritas në Greqi. Një grup të rinjsh zhvilluan një protestë, duke u deklaruar kundër torturimit dhe vdekjes së Ilia Karelit në burgun grek. Me flamuj në duar, e duke kënduar Himnin Kombëtar, të rinjtë kanë hedhur parulla kundër Greqisë dhe kanë grisur e më pas djegur flamurin helen. Policia dhe protestuesti u përplasën tek Rruga e “Kavajës”.

Burime zyrtare të Policisë së Tiranës bënë me dije se, për protestën janë pezulluar katër efektiv policie për dhunë të ushtruar ndaj protestuesve. Materialet në ngarkim të punonjësve të policisë iu dërguan Drejtorisë së Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Burime pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm thanë se identifikimi i efektivëve, ndaj të cilëve është marrë masa e pezullimit paraprak nga detyra, është bërë në bazë të analizimit të pamjeve filmike, si dhe intervistimeve me oficerët e policisë të angazhuar në ruajtjen e sigurisë gjatë tubimit.

27 Mars 2014 / Vrasja e Ilia Karelit

Ilia Kareli u gjet i vdekur mesnatën e 27 Marsit 2014, në qelinë e tij të izolimit. Ekzaminimet mjeko – ligjore në Greqi treguan se, ai u rrah në mënyrë brutale nga policët grekë që i thyen kafazin e kraharorit me shkop gome, si hakmarrje për vrasjen e gardianit grek.

Ilia Kareli apo Kudret Kume, prej 1997 ishte burgosur në burgjet greke për një sërë akuzash. Disa ditë para se të vritej, ai kërkoi leje për të takuar nënën e tij, e cila ishte e sëmurë, por pas refuzimit të radhës që ju bë nga autoritetet, në shenjë proteste, ai vrau një gardian në burgun e Malandrinos.

Pas ngjarjes ai akuzoi drejtësinë greke se nuk po e lejonte të takonte familjarët. 40 – vjeçari u transferua në një burg tjetër, atë të Nigridas, ku gjeti edhe vdekjen nga torturat.