Papunesia qendron akoma ne nivele te larta , nuk ka permiresime .

Filed under: Lifestyle |

Instituti i Statistikave raportoi se papunësia në Shqipëri mbeti e pandryshuar në tremujorin e parë të vitit, duke regjistruar të njëjtat nivele me ato të një tremujori më parë.Sipas INSTAT, për periudhën Janar-Mars, shkalla zyrtare e papunësisë rezultoi 14.2 për qind, aq sa ishte në fund të vitit të kaluar.Por edhe pse treguesi i papunësisë ka mbetur i pandryshuar, të dhënat administrative tregojnë se tremujori i parë ka shënuar një nga rezultatet më të mira në krijimin e vendeve të punës jashtë sektorit bujqësor.Sipas INSTAT, bizneset private krijuan mbi 25 mijë vende të reja pune në tremujorin e parë të vitit. Kjo përbën rritjen më të fortë të regjistruar gjatë viteve të fundit, përjashto tremujorin e tretë të vitit 2015, por atëherë rritja erdhi si pasojë e aksionit kundër informalitetit.Por ecuria pozitive e sektorit privat jobujqësor është amortizuar nga rënia e të punësuarve në fshat. INSTAT raportoi se numri i të punësuarve në bujqësi u ul me mbi 7.800 vetë në tremujorin e parë. Kjo ka bërë që shkalla zyrtare e papunësisë të mbetet e pandryshuar, krahasuar me fundin e vitit 2016.Megjithatë, në terma vjetorë, pra krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, papunësia është ulur me 2.4 pikë përqindjeje, veçanërisht falë rritjes së punësimit në sektorin privat jobujqësor.