Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

“Lonely Planet”: Shqipëria, me pamjet mahnitëse të Ballkanit, terren i ri aventurash

Filed under: Lifestyle |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

shqiperia-turistike
“Lonely Planet”, që boton librat më të famshëm në botë për udhëtimet, i ka kushtuar një shkrim të veçantë Ballkanit Perëndimor, që e konsideron një terren të ri aventurash në Evropë.
“Për ata që kanë qejf natyrën dhe adrenalinën, ka ende vende të paeksploruara për të pushtuar, vetëm pak orë fluturimi nga Londra, Parisi apo Berlini. Evropa tjetër, perëndimi i egër i Evropës (ose më mirë juglindja e saj), Ballkani Perëndimor në dekadat e kaluara mund të jetë shfaqur në televizione për arsye krejt të ndryshme, por këto kohë magjia e tij po rizbulohet nga udhëtarët të joshur nga udhët e pashkelura në kërkim të një aventure të re”, shkruan “Lonely Planet”.

“Pamjet mahnitëse garantojnë shumë habi, momente për ecje të gjata dhe një sërë aventurash në natyrë, në një rajon që ka shumë potenciale, por që në pjesën më të madhe menaxhohet vetëm nga të pasionuarit, ndërkohë disa tradita të moçme japin një eksperiencë të kënaqshme për ata që janë të etur për një zhytje kulturore dhe udhëtime të qeta. Njerëzit këtu mikpritjen e marrin me seriozitet, dhe ata që largohen kanë ndjenjën që t’i japin diçka në këmbim komuniteteve”, theksohet më tej.

Vend të posaçëm në këtë shkrim zë Shqipëria, me natyrën e saj të magjishme, mikpritjen e njohur dhe ushqimin e shijshëm.

“Falë pamjeve nga më mahnitëset në Ballkan si dhe falë entuziazmit të disa operatorëve lokalë, Shqipëria është një konkurrent në rritje për aventurat sportive evropiane. Alpinizmi në Alpet e Shqipërisë, që janë edhe streha e arinjve, ujqërve dhe drerëve, është mjaft popullor, lartësitë rrethojnë fshatin e Thethit dhe Valbonës, që ndodhen mes egërsisë dramatike të Bjeshkëve të Namuna”, thuhet në “Lonely Planet”.

“Megjithatë, në vendin me 362 kilometra vijë bregdetare sikurse edhe me liqenet më të mëdha në Ballkan, Ohri, i ndarë me Maqedoninë dhe Shkodra, në kufij me Malin e Zi, aventurat në ujë mund të jenë zgjedhje juaj e parë”, shton artikulli. “Për sfida më të vështira me ujin, një nga pionierët e turizmit shqiptar ‘Albania Rafting’ ju merr në udhëtime rafting për të kaluar mes ujërave të Vjosës dhe kanioneve të Osumit”, theksohet në të.

“Në vitin 1809, poeti Lord Byron udhëtoi nëpër Greqi dhe Shqipëri me mikun e tij John Cam Hobhouse, një aventurë romantike që ishte frymëzimi për disa nga vargjet e tij më të famshme të librit ‘Çajld Harold’. Sot kompania ‘Auron Expeditions’ ofron një rrugë fantastike në gjurmët e Lord Byronit me ekskursion apo udhëtim me kuaj. Udhëtimet janë të organizuara me guida lokale dhe përfshijnë qëndrimin në shtëpitë e fshatarëve si edhe shijimin e kuzhinës dhe verës së këtyre fshatrave. Udhëtimi fiton aventura të kohëve moderne në fshatrat e mahnitshëm të Shqipërisë që shtrihen përgjatë Vjosës deri në kështjellën e Tepelenës, ku despoti Ali Pasha mikpriti poetin e famshëm. Udhëtimi përfshin edhe Gjirokastrën, qytetin e gurtë nën kujdesin e UNESCO-s dhe qytetin e lindjes së diktatorit Enver Hoxha dhe shkrimtarit Ismail Kadare, fituesi i parë i ‘Man Booker Prize’. Nëse jeni me fat mund të dëgjoni edhe një performancë tradicionale iso-polifonike në këtë qytet”, veçon “Lonely Planet”.

“Qëndrimi në Qeparo dhe Pilur përbën një kredhje, që kujtohet për një kohë të gjatë, në mikpritjen tradicionale lokale dhe kuzhinën e thjeshtë fshatare. Piluri njihet edhe si vendlindja e iso-polifonisë tradicionale shqiptare, e përfshirë edhe në trashëgiminë e UNESCO-s. Ai ka më pak se 100 banorë, por sërish e mban këtë traditë të gjallë. Qeparoi ruan stilin origjinal arkitekturor të rajonit dhe ruan disa ullinj mbi 100-vjeçarë. Ai ruan edhe famën e paqartë të të qenit i lidhur me një ish-shef të CIA-s, familja e të cilit thuhet se ka emigruar që andej. Një ekskursion i lehtë të çon në kështjellën e Porto Palermos (që ka lidhje me Ali Pashanë e rrezikshëm), e vendosur në një gadishullth piktoresk me një plazh fantastik”, përfundon “Lonely Planet”.