Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

26 vjet nga rënia e diktaturës/PresidentiNishani dekoron ish-studentë e ish-pedagogë të grevës së urisë së ‘91

Filed under: Lifestyle |

nishani-stud-620x38326 vjet nga rënia e diktaturës, Presidenti Bujar Nishani ka dekoruar të gjithë studentët dhe pedagogët e grevës së urisë së shkurtit të vitit 1991. Duke vlerësuar sakrificën e tyre, Presidenti tha se misioni historik për një Shqipëri demokratike nuk ka përfunduar ende, ndaj bëri thirrje për kontribut të gjithësecilit Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerësoi ditën e djeshme me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” studentët dhe pedagogët pjesëmarrës në Grevën e Urisë së Universitetit Shtetëror të Tiranës (18-20 shkurt 1991) me motivacionin: “Për rolin dhe kontributin e tyre jetik e vetëmohues në shembjen e mitit dhe kultit të individit të ish-diktatorit Hoxha; për depolitizimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës; për shmangien e përplasjes së mundshme civile si dhe për dhënien e goditjes vendimtare së ashtuquajturës diktaturë të proletariatit dhe luftës së klasave në Shqipëri”. Në fjalën e tij gjatë ceremonisë solemne ku ishin të pranishëm ish-studentë dhe pedagogë të fakulteteve të ndryshme të Universitetit Shtetëror të Tiranës, kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, deputetë, etj. Presidenti Nishani falenderoi të pranishmit për praninë në Ditën Kombëtare të Kujtesës së Martirëve dhe Viktimave të regjimit komunist.“Kjo ceremoni e thjeshtë, por mjaft domethënëse, ka për qëllim jo vetëm të nderojë e të vlerësojë përpjekjet dhe sakrificat e pashembullta të studentëve dhe pedagogëve pjesëmarrës në Grevën historike të Urisë së 1991-shit, por edhe t’i vendosë ata denjësisht në piedestalin e shqiptarëve liridashës dhe atdhetarë, me të cilët kombi ynë duhet të nderohet, të marrë shembull e të frymëzohet përjetësisht. Një ish-bashkëstudenti juaj ka shkruar një libër të titulluar: ‘Piedestale pa statuja’, ndoshta i frymëzuar nga ato piedestale që mbetën dikur bosh në vitet 1990-të si pasojë e rrëzimit nga populli të monumenteve pakuptim e pavlerë të diktaturës. Por të jeni mëse të sigurt se piedestalet e nderit të kombit tonë, nuk mbeten kurrë bosh, sepse kujtesa historike nuk i harron kurrë bijtë dhe bijat e tij, ata që janë më të ndriturit e më të emancipuarit duke u dhënë gjithmonë vendin e merituar.” Nishani vuri në dukje se kjo ditë kremton jo vetëm shembjen e simboleve të komunizmit, por edhe për të nënvizuar edhe njëherë rëndësinë dhe mesazhin e aktit tuaj të dikurshëm vetëflijues. “Në atë kohë ju zgjodhët diçka më të madhe: ju vendosët që për hir të idealit tuaj, të parimeve për një Shqipëri vërtet të lirë dhe demokratike, për një Shqipëri pa luftë klasash, pa terror të diktaturës komuniste, pa ideologjizim të tejskajshëm, pa përçarje ideologjike – Ju vendosët që të ngriheshit dhe të luftonit me mënyrën tuaj, të mundësonit zgjedhjet e para të lira e demokratike të marsit 1991, pa u vrarë mes njëri-tjetrit e pa derdhur asnjë pikë gjak. Ju bëtë Grevë Urie jo thjesht për heqjen e një emri që në fakt ishte aq i urryer, por për eliminimin e kultit të individit, për shembjen e mitit fals të diktatorit, por dhe të makinerisë propagandistike që ende e mbante atë në këmbë, për depolitizimin e Universitetit dhe të mbarë shoqërisë. Ju në atë kohë vendosët të përdornit një nga format më të rralla të protestës, të mosbindjes civile dhe zgjodhët të vetëflijoheshit duke u ngujuar në Grevën e Urisë, në Qytetin Studenti, në oazin tuaj të lirisë që e kishit fituar me meritë që nga nisja e Lëvizjes në 1990, deri në përmbushjen e të gjitha kërkesave tuaja. Ju ia dolët mbanë me sukses! Edhe në sajë të mbështetjes mbarëpopullore të qytetarëve shqiptarë, të punëtorëve sindikalistë, të intelektualëve, të artistëve, të pedagogëve tuaj, të prindërve tuaj, të njerëzve që ju rrethonin, qytetarëve tiranas dhe të mbarë Shqipërisë ashtu të mbledhur të gjithë së bashku pa dallime krahinore apo fetare si rrallëherë në historinë shqiptare të fundshekullit të njëzetë. Shumë prej jush, edhe ata që sot nuk mundën të jenë në këtë sallë për arsye të ndryshme, i ndryshuat kursin e historisë vendit, duke kërkuar me ngulm, por në mënyrë paqësore, që e ardhmja e Shqipërisë të ishte si e gjithë Evropa, që vendi ynë të ishte aty ku i takon – në gjirin e familjes së madhe evropiane me të njëjtat merita dhe duke e pasuruar atë me vlerat tona më të mira” Dekorata iu dorëzua nga Kreu i Shtetit disa prej ish-anëtarëve të Komisionit Drejtues të Grevës së Urisë (18-20 shkurt 1991): Arian Manahasës, Blendi Gonxhes, Mesila Dodës, Ilir Dizdarit dhe Ndue Lugjës, të cilët e falënderuan Presidentin Nishani në emër të të pranishmëve.