Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Vlorë, Sheshi i Flamurit duhet të zgjerohet

Filed under: Kultura |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Agim-Haxhiraj-620x348Nga Harrilla Koçi
Vlora ka humbur identitetin. Dhe, arsyeja e parë për këtë, është zbehja, apo zhdukja e vlerave qytetare në arkitekturë, në ndërtime, në arredimin urban. Mjaft objekte të vjetra, krenari e dikurshme për Vlorën, por jo vetëm, tashmë janë zhdukur, ndërkohë që mjaft të tjera rrezikojnë të degradohen apo të tjetërsohen. Ndërtimet e shumta të realizuara së fundmi, duke përfshirë dhe periudhën e socializmit, kanë krijuar një “kakofoni” urbane e arkitekturore, çka ngre një pikëpyetje të madhe për ardhmërinë. Në një intervistë për “Shekulli”, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Vlorë, Agim Haxhiraj, shtron domosdoshmërinë e ndërhyrjes, shpalljen e Qendrës Historike, si hapin e parë për të mbrojtur dhe ruajtur vlerat aktuale dhe shfrytëzimin e tyre në funksion të rikrijimit të identitetit të qytetit. “Vlorën duhet ta bëjmë të banueshme”, shprehet Haxhiraj.
Zoti Haxhiraj, shtroni nevojën e ridimensionimit të Qendrës Historike të Vlorës. Përse?
Ka ardhur momenti që Qeveria ka marrë përsipër të bëjë qendrat historike të qyteteve dhe të fshatrave që kanë vlera të trashëgimisë kulturore, siç është rasti i tre fshatrave të Himarës, që u shpallën qendra historike të zonës, mes të cilave Himara Fshat, Vunoi dhe Dhërmiu. Kjo, sepse gjatë këtyre viteve të tranzicionit, shumë vlera janë transformuar në antivlera. Qyteti i Vlorës përmban vlera të padiskutueshme, qoftë historike, qoftë arkitekturore. Por, duhet të pranojmë faktin se, gjatë shumë viteve, duke përfshirë dhe periudhën e socializmit, shumë prej tyre janë dëmtuar apo zhdukur, si pasojë e ndërtimeve pa kriter, nisur nga “pallatomania” etj.Po ashtu, janë ndërtuar objekte të mëdha, që nuk kanë pasur lidhje me zonën e vjetër të Vlorës. Sepse ajo ishte e shtrirë në hapësirë, me ndërtime në maksimum dy kate lartësi. Por, për shkaqe e faktorë të ndryshëm, përfshirë këtu dhe pamundësinë e shtetit për mirëmbajtje, ato kanë humbur, janë degraduar, pavarësisht vlerave historike e arkitekturore që përfaqësojnë. Dhe ndodh sot, që, kur mësojnë të huajt që, Vlora është një qytet 2500-vjeçar, ngrenë supet të habitur. Nuk e shohin të konkretizuar këtë fakt, nuk e shohin në atë që përbën trashëgiminë konkrete arkitekturore e historike. Prej vitit 1908, në Vlorë janë zhdukur, apo transformuar shumë objekte me rëndësi. Një nga ato, për shembull është Kalaja e Skelës, me gurët e të cilës, në vitin 1908 e në vazhdim, u shtrua rruga Vlorë-Skelë. Ndërkohë, më pas, në vitin 1925, u prishën Sarajet e Vlorajve, ose Shtëpia tre katëshe me dy seksione e Xhemil Beut, ku u ngrit Flamuri në 28 Nëntor të Vitit 1912, për t’ja lenë vendin Lulishtes Popullore. Pjesë e këtij fenomeni, ka qenë edhe prishja e Shtëpisë së Sharrajve. Mendoj se, duhet ta ridimensionojmë trashëgiminë historike të Vlorës, sepse Sheshi i Flamurit është sheshi i të gjithë shqiptarëve. Unë bëj thirrje që të përgatiten termat për të shpallur qendrën historike të Vlorës, për ta kufizuar bashkë me zonën mbrojtëse të saj. Ekziston një vendim i Këshillit të Ministrave për Zonat Arkeologjike A dhe B. Por, kjo është e pamjaftueshme, sepse nevojitet domosdoshmërisht edhe Zona Historike. Këtu kam parasysh dhe segmente të tilla, si rrugët “Justin Godart”, “Rruga e Hebrejve”, lagjet e vjetra “Muradie”, “Topana”, “Partizani”, sheshi i “Kateqit”, ato dhjetëra godina të ndërtuara sipas stilit arkitekturor italian etj. Ato janë zbehur, duke e zbehur kështu dhe identitetin e vetë qytetit. Në Vlorë kanë funksionuar në dekadat e para të shekullit të kaluar 5 konsullata, mes të cilave ato të Italisë, Greqisë, Serbisë, Turqisë dhe Austrisë, godinat e të cilave tashmë në pjesën më të madhe, janë shkatërruar. Aktualisht, ne e kemi të vështirë të përcaktojmë, apo të saktësojmë tipologjinë e një ndërtese vlonjate të traditës, sikundër ndodh me banesën gjirokastrite, atë beratase etj. Për shkak të lidhjeve historike e ekonomike, në Vlorë janë ndërtuar 30-40 banesa me arkitektë italianë. Por, ne nuk kemi sot një “piazza” të vërtetë bashkë me aspektin funksional. Gerardo Bosio, një arkitekt i njohur italian, ka bërë një studim të detajuar për zhvillimin dhe planifikimin urban të Vlorës, ku spikasin mes të tjerash dy rrugët bazë; rruga e Paqes (Transballkanikja) dhe Bulevardi “Ismail Qemali”(Vlorë-Skelë). Në vitin 1918 u ndërtua Merkatoja e Vlorës, e cila sot, për fat të keq është shndërruar në një objekt privat, pa asnjë lloj identiteti. Pra, janë një sërë elementësh që, sot e ndajnë qytetin në dy pjesë: atë të vjetrën, ku mungon gjallëria, mungon jeta dhe pjesën prej Xhamisë e në Jug në drejtim të detit, që është hapësira pulsante.
Atëherë, si e mendoni ridimensionimin e Qendrës Historike të Vlorës? Çfarë duhet të bëhet në këndvështrimin tuaj?
Së pari, unë mendoj se duhet të shpallet një konkurs kombëtar, me pjesëmarrjen e arkitektëve dhe urbanistëve më të mirë të trevave shqiptare. Në studimin fitues, të parashikohet, së pari, qarkullimi i ndryshuar i automjeteve, jo si ai aktual, që përshkon mespërmes Sheshin e Flamurit. Në mendimin tim, nevojitet një unazë e vogël që kjo hapësirë qendrore të shihet nga të gjitha anët. Në këndvështrimin tim, ndoshta ka ardhur koha që edhe Monumenti i Pavarësisë të rikompozohet, të zhvendoset me pamje ndoshta nga deti. Pranë tij, ndodhen gjurmët e Aulonës së vjetër, e gërmuar vetëm pjesërisht. Në këtë objekt të antikitetit, mund të krijohet hapësira për të vazhduar gërmimin edhe për disa dhjetëra metra, çka do ta bënte më të plotë këtë objekt mijëravjeçar, duke zbuluar vlera të tjera që flenë në nëntokë. Këtu mund të ekspozohen vlera të tjera të rralla të antikitetit, sikundër është Mozaiku i famshëm i Mesaplikut, ndër më të çmuarit e zbuluar në vendin tonë. Mund të plotësohet kjo dhe me elementë të tjerë. Vlora e vjetër, mund të përfshijë territorin mes Kishës Katolike, Kishës Ortodokse dhe Sheshin e Flamurit. Ekziston një projekt i financuar nga BE-ja për këtë zonë, për integrimin e të gjithë hapësirës urbane brenda saj. E gjithë ajo duhet të bëhet pedonale. Problemi është që të zhbllokohen fondet. Pjesë tjetër është zona mes Merkatos së Sahatit, “Gastronomit”. Godinat që ndodhen në këtë pjesë, me vlerë të madhe historike e arkitekturore, bashkë me ato pas godinës së Muzeut Historik (ish- Bashkia e vjetër), duhet të kthehen në identitet në të gjithë elementët, ashtu sikundër kanë qenë. Nuk mund të ketë pjesë xhamia, në objekte të kësaj periudhe. Është absurde. Ky kompleks, duke përfshirë edhe hapësirën e dikurshme tregtare, deri te “Sorrajt”, është “vizatuar” nga italianët. Me pak investime, apo mund të shndërrohen në vlera të vërteta dhe me interes për vizitorët, ku përfshihen dhe turistët e huaj. Më tej, duke bërë një lidhje efektive me rrugën “Justin Godart”, krijojmë një ansambël arkitekturor dhe urban të jashtëzakonshëm.
Të ndalemi te rruga “Justin Godart”…
Në historinë e vet, kjo ka disa emra. Është emërtuar dikur “Rruga e kafeneve”, për shkak të numrit të madh të këtyre lokaleve përgjatë saj, është emërtuar dhe rruga “Liria”, për shkak se, përgjatë saj kaloi Isa Boletini me trupën e tij, hipur mbi kuaj, më 1912. Pra, është një element identifikues që, mund të transformohet me pak investime dhe me një projekt menaxhimi dhe rivitalizimi, në një lidhje funksionale dhe me segmente dhe objekte të tjera në zonë. Ajo mund të vazhdojë në rikonceptim duke pasur, si destinacion final godinën e ish- Prefekturës dhe objektet e tjera që ndodhen përgjatë rrugicës përkatëse, duke përfshirë banesën e Rradhimajve dhe një godinë tjetër banimi ngjitur me të, ku është akomoduar për një periudhë kohe Ismail Qemali në ditët e Pavarësisë. Në vijim të kësaj kronologjie, përfshijmë Shkollën nr.2 në afërsi të Xhamisë së Kuqe, pranë me godinën e ish Bankës së Napolit, si dhe një sërë banesash të tjera të ish tregtarëve të Vlorës, të cilat kanë vlera të shumëfishta. Dhe, duke u rikthyer te rruga “Justin Godart” është e domosdoshme që, përmes një bashkëpunimi me Bashkinë, të ndryshojë tërësisht performanca dhe destinacioni i rrjetit të njësive të shërbimit që funksionon këtu.
Dhe, për ta konkretizuar idenë tuaj, çfarë duhet bërë?
Kur flasim për Vlorën Historike apo Vlorën e Vjetër, pikësëpari unë kam parasysh një hapësirë ku nuk duhet të lejohen ndërtime për asnjë arsye. Sepse janë dhënë leje për ndërtime, jo vetëm në Zonën Qendër por edhe në ato që përmendëm, Zona A dhe B, të cilat në arkitekturë dhe lartësi nuk përputhen aspak me kontekstin arkitekturor dhe historik të vendit ku janë ngritur. Është krijuar një kakofoni urbane që reflekton pasojën në zbehjen apo zhdukjen e identitetit urban dhe historik të qytetit. Së dyti, paralelisht me këtë duhet të veprohet për çka thamë më sipër.
Për Sheshin e Flamurit, çfarë mendoni?
Së pari, duhet të zgjidhet puna e trafikut në të dy kahjet, Jug-Veri dhe anasjelltas. Mendoj që, gjurma aktuale e lëvizjes së automjeteve në drejtim të veriut, të zhvendoset në një segment që kalon prapa Monumentit të Pavarësisë, i cili mund të zgjerohet dhe të sistemohet, duke u bërë efektiv. Ndërkohë, që, në kahjen e kundërt, gjurma e lëvizjes të jetë e njëjta. Në këndvështrimin tim si specialist, por dhe si drejtues i DRKK-së, kjo do të krijojë një raport tjetër mes Sheshit të Flamurit dhe gjithë Vlorës Historike (Vlora e Vjetër) dhe qytetarëve, qofshin këta vendas dhe të huaj. Monumenti i Pavarësisë duhet të shihet nga të gjitha anët, jo vetëm në pjesën e përparme, sikundër ndodh tani. Ndërkohë, arkitektët dhe urbanistët që do të angazhohen në konkursin në fjalë, duhet t’i japin zgjidhje dhe krijimit të një raporti bashkëjetese për objektet me funksione të ndryshme që ndodhen aktualisht në këtë shesh. Paralelisht me këtë, shteti duhet të përcaktojë modalitetet detyruese që godina shumëkatëshe e hotelit në Sheshin e Flamurit, të përfundojë në një afat optimal. (Shekulli)