Perla e Kepit të Rodonit

Filed under: Kultura,Lifestyle |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Vetëm pak kilometra larg nga Tirana, në formën e një trekëndëshi midis gjirit të Rodonit e atij të Lalzit shtrihet Kepi i Rodonit, si një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik.

Një perlë e natyrës, ku bluja dhe jeshilja shkrihen në një në thellësinë e Adriatikut, një bukuri ende e virgjër, që së fundmi po eksplorohet si destinacion njëditor për turistët. Vizitorët këtu mund të shijojnë ujin e kristaltë në qetësinë që panorama ofron, larg zhurmave të plazheve masive.

“Kepi i Rodonit është një nga destinacionet turistike më atraktive që mund të ofrojë Shqipëria, për arsye se është afër Tiranës dhe është një ndërthurje e turizmit veror e turizmit historiko-kulturor. Është një destinacion që shumë njerëz e preferojnë, sepse ka një plazh të qetë e të pastër”, tha Olger Berberi, guidë e certifikuar “My Albania”.

Në pjesën verilindore të Kepit shtrihet Kalaja e Rodonit, që daton që në shekullin XIV, një fortifikim i cili përbëhej nga një mur mbrojtës me gjatësi 100 m, e që shtrihej nga një breg i kepit në bregun tjetër.

Një shteg i ngushtë të çon drejt saj, ndërsa muzika e vetme që shoqëron udhëtarët është zukatja e gjinkallave. Para saj shtrihet thellësia e detit Adriatik të gjirit të Patokut e atij të Shëngjinit, një oaz i vërtetë relaksi.

Kalaja e Rodonit njihet ndryshe si kalaja e Skënderbeut për shkak të afeksionit që heroi ynë kombëtar kishte me këtë vend. Pikërisht këtu thuhej se ai vinte pas betejave të vështira, ku edhe gjente qetësinë në këtë panoramë.

“Plazhistët në Kepin e Rodonit, përveç plazhit kanë disa atraksione turistike siç është kalaja e Skënderbeut apo Kisha e Shën Andout. Kalaja e Skënderbeut është ndërtuar në vitin 1451-1452 nga Skënderbeu, siç thotë legjenda, për të pasur dalje në det dhe për të ikur në rast të një sulmi drejt Italisë. Këtu kanë qenë 4 manastire gjithsej: Manastiri i Shën Anastasisë, i Shën Kollit, i Shën Mërisë dhe Kisha e Shën Andout, e cila pas viteve ’90 ka qenë në rrënoja dhe me financime gjermane është ndërtuar, e sot është një atraksion turstik”, tha më tej Olger Berberi.

Kepi i Rodonit, me infrastrukturën e ndërtuar, pastërtinë e ujit dhe rërës, gjelbërimin natyror edhe në ditët më të nxehta të vitit, është destinacioni ku në një ditë pushimi mund të gjesh gjithçka dëshiron.