Mokra, hiret dhe bukuritë e një krahine me histori të lashtë

Filed under: Arkeologjia,Kultura |

Para disa muajsh, shoqata kulturore atdhetare “Pelion” e Pogradecit festoi në Tiranë me anëtarët e shoqatës, redaksinë dhe bashkëpunëtorët e saj daljen e numrit të 200 të gazetës “Mokra”. Ndoshta s’do t’i binte radha të flisnim, pasi shoqata dhe gazeta të tilla ka shumë, disa të suksesshme e më veprimtari më të dendura dhe disa të tjera me dëshirë të madhe, por me më pak aktivitet, për shkak të mungesave monetare, vullnetarizmit dhe qëndrimit indiferent të intelektualëve në to. Por në këtë rast do të veçonim angazhimin, punën cilësore dhe plot pasion të disa shkrimtarëve, publicistëve dhe intelektualëve trevës së Pogradecit dhe veçanërisht të Mokrës, të cilët e kanë bërë “Mokra”-n e tyre një gazetë serioze dhe tërheqëse në pasqyrimin real të traditave të shkëlqyera dhe të historisë së lashtë mokrare. “Mokra”, në saje të njerëzve të saj të kultivuar si Flori Slatina, Estref Haxhillari, Zenun Ferra, Haki Balliu, Zabit Cuku, Sami Leka, Pëllumb Zade, Llazi Tona etj. ka përmbushur dhe po vazhdon të përmbush misionin e saj në evidentimin e vlerave më të mira të krahinës, të cilat këtu janë “me shumicë” dhe të spikatura. Më poshtë po japim pjesë shkrimesh dhe reportazhesh, të botuara në numra të ndryshme të kësaj gazete.

****

Hiret dhe bukuritë e një krahine me histori të lashtë

Mbi këtë vend të bekuar dora e zotit ka shkundur hire natyrore pa kursim. Parë nga lart ngjason si qenie e gjallë stërmadhe, shpërfaqur si një çudi në këtë cep të dheut, me kokë mbështetur përmbi Kozic dhe trupin e hijshëm shtrirë gjer tutje fushës së Përrenjasit. Shkumbini, gjaku i saj i pastër e përshkon të gjithën si enë e spërdredhur pambaruar kurrë.

Mokra në Antikitet

Nuk ka asnjë grimë të historisë së kombit tonë ku Mokra të mos ketë qenë, në mos protagoniste, aktore me role të ndryshme sipas rastit. Nëpër rrjedhat e kohës, Mokra dhe mokrarët, krenarë e të përfillur, punëtorë e të besës, të mençur e shakaxhinj, të gjendur në të mira e të këqija si rrallë të tjerë. Kush vajti e nuk mbeti mahnitur nga përthyerjet dhe bukuritë e pashoqe të vendit e natyrës, nga pritja e ngrohtë që zë fill te shpirti i njeriut, nga ajo dollia e hollë plot nur, e vjetër sa dheu mokrar?!

Që kur, rrotull njëmijë vjet më parë, një perandor i huaj, habitur nga mullinjtë e shumtë (mokrat ) përgjatë lumit, shqiptoi për herë të parë fjalën Mokër, vendi mban këtë emër të rëndë me shumë kuptim. Ka qenë një kohë kur trojet tona mbanin me bukë një zonë shumë të gjerë. Drithi mbillej e korrej në fushë, po bluhej në male se aty ishin mullinjtë radhë – radhë e gjithfarësh, falë Shkumbinit ujëshumë dimër e verë. Dalëngadalë emri i krahinës u lidh ngushtë me bukën. Dhjetëra mullinj në Dunicë, Kalivaç, Trebinjë, Zëmçë, Slabinjë, Losnik e sa e sa fshatra të tjerë, bluanin pa pushim grurë e misër, që vinte nga anë e anës. Gurët e mullinjve vërtiteshin hareshëm, zhurmonin dhe jepnin, pa u lodhur asnjëherë, bukën që mbante gjallë jetën e mijëra njerëzve të cilët udhëtonin ditë të tëra për të ardhur gjer këtu. Mullixhinjtë tanë, mjeshtër të blojës, kishin zënë miqësi të shumta se banorët e hershëm të fushës së Korçës, ata përreth liqenit të Ohrit e shumë më tepër se kaq, u jepnin me dëshirë nuse djemve mokrarë. A mos është e rastit që përplasja e madhe e Skënderbeut me pushtuesit turq në përnisjen e saj u bë fushës së Përrenjasit dhe të parët luftëtarë ishin mokrarët? A mund të gjejë njeriu, sado të përpiqet, ndonjë qoshe të historisë së trazuar të atdheut tonë ku mokrarët të mos kenë qenë rreshtuar në anën e zhvillimit të kombit, sado vetëmohim e mund të jetë dashur?

Sigurisht nuk mund të gjejë se kjo copëz e sertë e dheu të arbrit, nuk ndenji kurrë mënjanë përballë dallgëve të betejave në të gjitha kohët e shkuara.

Në Mesjetë

Nga burimet e shkruara arkivore Mokra përmendet për herë të parë në Mesjetën e hershme në shekullin e XI në një letër ku perandori Justinian i dytë i Bizantit i dërgonte në vitin 1019 kryepeshkopit të Ohrit, Johanit, në të cilën përmend një krahinë të populluar me shumë mullinj (mokra). Ky vend ishte i pasur dhe i njohur pasi rrihej prej karvanesh të shumta që udhëtonin nga perëndimi në lindje dhe anasjelltas. Në Mokër kalonte një degëzim i rrugës Egnatia. Në shekullin e XV Barleti e përmend Mokrën, Mokreu siç i thotë ai, si një krahinë të madhe që shtrihej përtej kufijve të sotëm, duke përfshirë fushën e Domosdovës, Përrenjasin e sotëm, deri në vendin që quhet Sofra e Skënderbeut. Kronisti i famshëm thotë se mokrarët ishin burra të besës, shumë trima, të shpejtë si vetëtima dhe nishanxhinj të mëdhenj. Ndoshta nuk është fare e rastit që beteja e parë e Skënderbeut me turqit u bë pikërisht në fushën e Domosdovës dhe të parët që u gjakosën me pushtuesit otomanë ishin mokrarët. Krahina ishte nën zotërimin e Gjergj Arianitit, apo Gjorg Golemit siç e quanin mokrarët. Me një thirrje të zotit të tyre ata mblidheshin tufa – tufa, të armatosur më së miri dhe me këngë në gojë shkonin në luftë ku dalloheshin mbi të tjerët. Barleti thotë se në gjallje të Gjergj Arianitit, turqit nuk hynë asnjëherë në Mokër se ishte vend me shumë male e shkëmbinj, por sidomos se në çdo shteg kishte një burrë që ruante natë e ditë vendin nëpër rrugët kryesore. Gjer vonë në fshatrat e Mokrës këndohej kënga që përjetëson motet e lavdishme: “Gjorg Golemi na çoi fjalë,/Angjelini të më dalë/Me ata trima mokrarë/Kush më këmbë e kush me kalë/Të marrë rrugën përpjetë/Të dalë te gurët e gjetë”.

Gjatë periudhës së ndritur të Rilindjes Kombëtare, Mokra u bë nga vatrat më të spikatura të përhapjes se shkrimit dhe këndimit shqip në tërë qarkun e Korçës e më gjerë. Në fillim të shekullit të XIX mërgimtarët e fshatit ndërtuan në Podgozhan një shkollë greke e cila daton që në vitin 1811. Në vitin 1891, vetëm 4 vjet pas hapjes së të parës shkollë shqipe në Korçë, në shkollën e Podgozhanit At Jovan Vako u mësonte fshehurazi fëmijëve gjuhën shqipe me gërmat e alfabetit të Sami Frashërit.

Mokra sot…

E shpërfillur si kurrë më parë, lënë mënjanë pas dore e ka mbuluar pluhuri i harresës. Fshatra gjysmë të braktisura, lagje të tëra kthyer në murishte me ndonjë shtëpi të rrallë mbetur diku, pa u vënë re në një qoshe. Më së shumti të zë syri pleq që ecin gërmuqur rrugëve pa gjallëri dhe fëmijë. Të rinjtë dhe burrat në moshë rrahin dherat e huaja, veçan ato të Greqisë, vinë më të rrallë sjellin ca thasë me miell dhe ikin përsëri. Të tjerë që nuk kanë mundur të çajnë jetojnë me shpresën se një ditë edhe ata do të ikin ashtu si të tjerët. Ka edhe një pjesë që hahen me dheun, plugojnë me parmendën e stërlashtë ku, në vend të qeve, mbrehin kuaj e gomarë a thua se nuk jetojnë në shekullin e njëzetenjëti po diku në prehistori!? Ca të tjerë, që nuk janë të paktë, jetojnë vetëm me dru zjarri për ngrohje. Zhbëjnë pyjet e mbetura, rralluar shumë dhe i shesin. Presin ahet qindravjeçarë me keqardhje, po ç’të bëjnë tjetër për të nxjerrë bukën e gojës? Migrimi bën kërdinë. Mot pas moti largohen dhjetëra familje ku të mundin e si të mundin po vetëm të ikin sikur i ndjek pas fati i lig, apo ndonjë kuçedër nga ato të qëmotit shpërfaqur prej nëndheut!? Ç’të jetë ky mallkim pa 696082fund, I dhimbshëm përtej vetë dhimbjes? Përse mokrarët ikin dhe vetëm ikin..? Poeti dhe mendimtari romak, Virgjili, para dymijë e ca vjetësh thoshte se perëndia u jep tokë, ujë dhe pyll, përmasa thelbësorë të jetës, vetëm njerëzve të mirë që nuk i shpërdorojnë po u falen si të shenjta. Të tri këto përbërëse jetësore janë derdhur pa kursim mbi viset tona dhe mokrari nëpër shekuj i ka adhuruar si perëndi. A thua tani nuk i do më?

…Peizazhe që po përtërihen

Komuna Trebinjë, në Mokrën e Sipërme, një nga më të mëdhatë në Qarkun e Korçës, dikur ndër më të populluarat, në rrethin e Pogradecit, në vitet e para të tranzicionit të vendit, fshatrat e saj u rrudhën dalëngadalë nga emigrimi i banorëve të kësaj zone malore, numërohen rreth katër mijë banorë. Janë 15 fshatra, në një terren malor, ku gjendet 70 % e fondit të pyjeve e kullotave që ka rrethi i Pogradecit, ku të rinjtë, më shumë se prindërit e tyre të kaluar në moshë, e shohin këtë pasuri si garanci për zhvillimin e tyre ekonomik tani e në të ardhmen. Mjaft prej banorëve,që dikur ishin larguar në Pogradec, po rikthehen në shtëpitë e braktisura dhe i restaurojnë ato sipas kohës, po mbjellin drufrutorë dhe sytë i kanë edhe tek prodhimet e dyta të pyllit, veçanërisht për bimët medicinale, me të cilat kjo zonë, deri në majën më të lartë të saj në malin e Kozicit, është ndër më të pasurat. Punës në fshat sot i janë kthyer të gjithë, se përpos plotësimit të nevojave të veta, asnjë nga prodhimet nuk u shkon më kot. Edhe grupimet e mëdha të fermerëve kanë mugulluar si ato sythat e pemëve në pranverë. Pak vite më parë, Dunica ka qenë nga fshatrat më të varfër të komunës, si tërë Mokra që megjithë ndryshimet e bëra, ende është prapa në krahësim me të tjerët, por kthesa e saj është e dukshme.

*******

18_bigGuri i Kamjes, kështjella që sfidon retë

Shënime të udhëtarit italian me origjinë rumune C. N. Burileanu në vitin 1905

Për të shkuar në komunën arëmene të Niçes, na duheshin pesë orë e gjysmë. Kurse për të arritur në majë (e thënë Kamje) duheshin katër orë. Ndërsa për të shkuar nga Kamia në Niçë duhej një orë e gjysmë. Do më ngelë në kujtesën time për shumë kohë ky udhëtim nëpër malet e bukura dhe tejet të mrekullueshme, pyjet e stërmëdha të Mokrës, të thepisura, të egra, pyje të pafundmë, qetësuese e nxitëse për mushkëritë.

Nga Kamja mund të hidhje një vështrim të kënaqshëm mbi liqenin e Ohrit teksa shihje madhështinë dhe ndritshmërinë e tij. I papërmbajtshëm në këtë udhëtim, ku do të shihje ujin e rrjedhshëm, të ftohtë si akulli, ajrin e pastër dhe të freskët dhe, mbi të gjitha, një ngacmim që më drejtohej me balsamet e tij duke më forcuar muskujt; kontribuonte gjithçka që të bëhesha më i saktësuar në këtë ecje.

Në rrëzë të Kamjes unë sa fillova të ridëgjoja, të rintingëllojnë valët e ekos të këngëve rëmije. Llambi i Niçës u ul aty pranë duke parë nga larg për të vëzhguar gjithçka për këtë kështjellë natyrore. Ishin çastet më të bukura të atij qëndrimi pranë saj, me një mjedis që kishte marrë pamjen e një amfiteatri natyror. Kamjen, të cilën e riprodhova me anën e një aparati fotografik, që pasqyron trupin e Kamjes ku në pjesën e sipërme duket qartë një majë e rrallë dhe shumë e shkëlqyer që dallohet edhe nga distanca të largëta. Ajo majë, që dallohet edhe në qiell, shëmbëllen si një shkëmb mjaft i fuqishëm, apo ndërtuar nga dora e njeriut. Kamja ngjan me një kështjellë të fortifikuar që sfidon retë. Nga “baza” e këtij shkëmbi mund të dallosh në pjesën e sipërme të tij, pra në majë të tij, një të thelluar apo gropë a vrimë mbi të cilën në kohët e hershme mund të jenë shtrirë shtylla apo tranversa.

Duke përqendruar vështrimin mbi trupin e Kamjes, aty për aty do të të lindë mendimi për një palë shkallë, të gdhendura në trupin e saj. Kjo të jep praktikisht të besosh se në kohët e lashta do të ketë ekzistuar aty, në pjesën e sipërme të kamies, ndonjë konstruksion. Tradita e do që perandori romak, Konstandini i Madh, ndoshta do të ketë qenë në territorin e Kamjes për të parë gjendjen e të krishterëve, të vendosur anës vijës Apia, pra Egnatia, që kalonte pranë Shkumbinit, që buronte nga vala a Mare të Llëngës, në Mokër.

Një orë është nga Kamja në Senie që ndan komunën e Niçes nga ajo e Llungës (Llënga), ku edhe sot qarkullojnë toponime, si “Naitatu”. Pra, gojëdhënat nga banorët e këtyre komunave, vende ku vendoseshin trupa të armatosura që kishin për të mbrojtur të krishterët nga paganët. Ekzistojnë legjenda se nëpër ato vende ku janë zhvilluar luftime, janë vrarë luftëtarë e varrosur.