Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Misteri: pse ortodoksët e Korçës u vetëshpallën varoshllinj?!

Filed under: Kultura |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

4-13Nga Vepror Hasani

Nëse një vendbanim ka patur një kala të banuar ose vazhdon ta ketë atë, territori brenda mureve të kalasë quhet “lagjja kala”. Kur numri i banorëve brenda saj bëhet aq i madh sa nuk mund të ndërtohen banesa të tjera, familjet e reja detyrohen të dalin prej andej. Lagjet që krijohen jashtë mureve të kalasë marrin emrin “varosh”. Nëse terreni është i thyer, banesat që ngrihen në pjesën e poshtme të kalasë, quhen “katavarosh” ose “varosh i poshtëm”.
Fshati Peskëpi, ku banonin ortodoksët pa u bashkuar me qytetin e Korçës, e kishte lagjen e varoshit. Ajo përbëhej nga mëhallat “Penço”, “Mando”, “Manço”, “Qiro” dhe “Mano”. Më pas fshati Peskëpi u zgjerua me “Varoshin e Ri” dhe me “Katavaroshin”, mirëpo të gjitha lagjeve të quajtura “varosh” u mungon kalaja. Ato ishin dhe mbeten varosh pa kala! Dhe kjo përbën gjënë më të çuditshme të kësaj historie. Për gjetjen e kalasë janë bërë përpjekje të shumta, por deri më sot nuk është bërë e mundur rënia në gjurmët e saj. Mosgjetja e kalasë është shndërruar në mister. Studiuesit kanë ngritur hipoteza të ndryshme, duke pretenduar se kalaja mund të ndodhet “këtu” apo “atje”, por në asnjë rast nuk kanë ofruar një përgjigje përfundimtare. Lagjet e varoshit vijojnë të mbeten pa nënën e tyre,- kalanë,- nga e cila duhej të kishin lindur.

Siç e thamë edhe më sipër, varoshi fillestar, i quajtur ndryshe “varosh i sipërm”, ishte bërthama e fshatit Peskëpi. Ai gjendej aty ku sot ndodhet Mitropolia. Gjatë viteve 1870-1880 te kisha e “Shën Gjergjit” u krijua “Mëhalla e re”, e quajtur ndryshe “Yeni mahalla”. Kjo mëhallë, dhe të tjerat që u shtuan në këtë zonë prej banorëve të ardhur nga Panariti, Vithkuqi, Treska, Trebicka, Orgocka, Grabocka, Stratobërda, Gora, Opari etj, u quajtën “varosh”.Pas tyre erdhën banorë të tjerë, romë dhe egjiptianë të besimit ortodoks. Ata u vendosën në të hyrë të Korçës, te kisha e “Shën Marisë”. Këto mëhalla u quajtën “katavarosh”. Banorët e ardhur nuk kishin asnjë lidhje me termin “varosh” dhe “kala”, por çuditërisht të gjitha lagjeve që krijoheshin u jepej emri “varosh”. Mungesa e kalasë dhe mosdija e vendndodhjes së saj, nisi të ndihej gjithnjë e më shumë. Lagjet e varoshit dukeshin sikur mbanin emra të rremë. Dikush duhej ta kishte stisur këtë histori.Për herë të parë, termi “varosh” u përmend në vitin 1888 nga Karmici (drejtor i shkollave greke të Korçës) në librin e tij “Gjeografia e Korçës dhe e rrethit”. Përveç mëhallave “Penço”, “Mando”, “Manço”, “Qiro” dhe “Mano” që, sipas tij, krijonin lagjen “Varosh” Karmici përmendi edhe mëhallën “Kala”, por pa e specifikuar saktësisht ku ndodhej ajo. Edhe pse që nga atëherë, (1888), ka kaluar më shumë se një shekull, vendndodhja e kalasë nuk u gjend kurrë, madje duket sikur nuk ka më shpresa për gjetjen e saj.

Për shumë kohë ekzistoi ideja se banorët e varoshit të fshatit Peskëpi mund të kishin ardhur nga kalaja e Mborjes ose nga kalaja e Korçës, por siç do ta shohim te ky material asnjëri prej versioneve nuk arrin të vërtetojë pretendimet e Karmicit. Për rrjedhojë, lagjet e varoshit vijojnë të mbeten pa kala. Të ketë qenë e gjitha kjo një shaka e grekut Karmici?!

Të dhënat e Karmicit u analizuan me imtësi nga të gjithë ata që kanë dashur të trajtojnë këtë çështje. Në shqyrtim u morën edhe nga urbanisti Pirro Thomo. Në librin e tij “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, Thomo, pretendon se e ka gjetur vendin ku ndodhet kalaja, por edhe studimi i tij, rezulton të jetë i rrëzuar.

Tashmë, dikush mund të thotë, si ka mundësi që studimi i Thomos të mos jetë bindës? Kush na qenka ky që ka rrëzuar studimin e tij! Atëherë, nëse dëshironi të dini çfarë ka thënë Thomo për lagjet e varoshit dhe vendndodhej e kalasë, vazhdoni të na ndiqni. Në fund ju do të keni një ide tuajën, madje të pavarur.

Të gjithë studiuesit që kanë dashur të zbulojnë vendndodhjen e kalasë, i referohen së pari regjistrit të Korçës dhe Përmetit të vitit 1431-1432, i cili flet për kalanë e Mborjes. Ajo gjendet 3 km mbi qytetin e Korçës. Megjithatë Pirro Thomo merr në analizë jo vetëm kalanë e Mborjes, por edhe atë të Korçës, por gjithnjë me mendimin se regjistri i vitit 1431-32 flet për kalanë e Korçës. Ja si argumenton Pirro Thomo:

“Regjistrat osmanë njoftojnë për një kala të banueshme, e cila më 1431-32 numëronte 26 familje, ndërsa më 1568-69 kishte 33 familje të krishtera. … Rritja e numrit të familjeve që banonin në kala nga viti 1431-32 deri në vitin 1568-69 ishte shumë e vogël: nga 26 në 33 kryefamiljarë. Ky fakt na shtyn të mendojmë se të paktën shtesën natyrale të popullsisë, pa marrë parasysh popullimin e kësaj qendre me banorë të ardhur nga krahinat përreth, duhet ta kenë përballuar lagjet jashtë kalasë”. (Pirro Thomo, “Korça, urbanistika dhe Arkitektura”, f. 44)

Pra, sipas Pirro Thomos, shtesën natyrale të kalasë dhe të të ardhurve e përballonin lagjet jashtë kalasë, të cilave u jepnin emrin “varosh”, por analiza e urbanistit Pirro Thomo nuk është aspak e vërtetë. Së pari, banorët e kalasë nuk janë të krishterë, por myslimanë. Së dyti, pranë kalasë gjendet xhamia e Sulltan Mehmetit II. Nëse aty nuk banonin myslimanë, përse duhej ndërtuar kjo xhami? Së treti kjo është kalaja e Mborjes dhe jo e Korçës, sepse xhamia e sulltan Mehmetit II u ndërtua gjatë qëndrimit të tij në Mborje në vitin 1417. Në këtë kala ishte vendosur administrata e krahinës së Korçës dhe forcat e rendit.Këto fakte Pirro Thomo i anashkalon, por të gjitha këto i gjejmë të shkruara nga vetë banorët e kalasë në një letër-ankesë të tyre, drejtuar sulltanit Bajazitit, të cilët ankohen kundër Iljaz bej Mirahorit, themeluesit të qytetit të Korçës, sepse u kishte prishur pazarin që gjendej pranë kalasë. Në letër-ankesën e tyre ata shkruajnë për besimin fetar të cilit i përkasin, për xhaminë, për sulltan Mehmetin II, për shpërnguljen nga kjo kala etj:

“Qyshse qe pushtuar Korça, pazari ka qenë pranë kalasë, mirëpo Khoxha Mirahori prishi pazarin dhe hamamin, mori kazanin dhe pazarin e shpërnguli në fshatin që qe pranë dhe pronë e tij. Duke qenë pranë kalasë, brenda në qytet dhe pranë xhamisë së Sulltan Mehmetit, tregu qe gjallëruar dhe pat marrë një pamje të hijshme. Mirëpo tani që tregu u shpërngul nga vendi i mëparshëm, banorët që banonin rreth tij u shpërndanë, në xhami nuk kish kush të falej më dhe të ardhurat nga taksat e pazarit u paksuan…” (Pjesë nga letër-ankesa e banorëve të kalasë)

Në vijim të studimit të tij Pirro Thomo shkruan:

“Familje të veçanta, të shkëputura nga kalaja ose të ardhura, u vendosën në troje të lira, të cilat dora dorës, me rritjen numerike të këtyre familjeve, u mbushën me ndërtime të reja, duke krijuar grupime ose mëhallë me bazë farefisnore. … Kjo dukuri do të ketë filluar andej nga shek. XVII, kohë kur vërehet një gjallërim i veprimtarisë së komunitetit ortodoks të Varoshit. Pikërisht në këtë kohë, 1676, themelohet Kodiku i Mitropolisë së Korçës dhe Selasforit…” (Pirro Thomo, Korça, urbanistika dhe arkitektura, f. 45-46)

Edhe ky argumentim i urbanistit Pirro Thomo, ku thotë se banorët e kalasë dhe të ardhurit u vendosën në fshatin Peskëpi që nga viti 1676 e në vijim, nuk qëndron.

Së pari, banorët e kalasë u shpërngulën nga kalaja që nga dita kur Iljaz bej Mirahori u prishi pazarin, që do të thotë se ata ikën prej andej para vitit 1512, kohë kjo kur Mirahori ishte gjallë. Vetë banorët e kalasë në letër-ankesën e tyre shkruanin:

“Mirëpo tani që tregu u shpërngul nga vendi i mëparshëm, banorët që banonin rreth tij u shpërndanë…”

E sigurtë është që këta banorë nuk u vendosën në fshatin Peskëpi, pasi, siç dihet, ky fshat banohej vetëm nga ortodoksët. Ato 26 familje u vendosën në qytetin e Korçës duke u bërë kështu banorët e parë të saj.

Po ndalemi edhe për një çast te ky pretendim i Pirro Thomos, ku ai nënvizon: “kjo dukuri (ardhja e banorëve në Peskëpi) do të ketë filluar andej nga shek. XVII, kohë kur vërehet një gjallërim i veprimtarisë së komunitetit ortodoks të Varoshit. Pikërisht në këtë kohë, 1676, themelohet Kodiku i Mitropolisë së Korçës dhe Selasforit…”.Edhe kjo pjesë e analizës së tij, nuk mund të merret e mirëqenë. Ja pse:

Në regjistrimin e vitit 1431-32 Peskëpia rezultoi me 71 shtëpi, ndërsa në regjistrimin e vitit 1568-69, numri i shtëpive kishte shkuar në 75. Që nga regjistrimi i vitit 1658-69 deri në vitin 1676, kur Thomo pretendon se ka ndodhur zgjerimi i fshatit, nuk kemi të dhëna mbi popullsinë, mirëpo ekzistojnë informacione mjaft të sakta për vitin 1713. Sipas kodikut të Korçës, dokumenti 105, fshati Peskëpi në këtë kohë do të kishte 5 priftërinj, ku secili prej tyre do të kishte nën kujdestari më shumë se 50 shtëpi. Kjo do të thotë se Peskëpia në këtë kohë (viti 1713) kishte më shumë se 250 shtëpi, ose më pak se 300.

Atëherë, që nga regjistrimi i vitit 1568-69 deri në vitin 1713 kishin kaluar 145 vjet. Gjatë 145 viteve Peskëpia ishte rritur me 175 shtëpi, (nga 75 në 250). Rritja vjetore mesatare ishte 1.2 shtëpi në vit. Kjo do të thotë se përveç shtesës natyrale nuk mund të mendohet kurrsesi që Peskëpia ka patur rritje nga banorë të ardhur prej vendbanimeve të tjera.

Gjetja e vendndodhjes së kalasë vështirësohet edhe nga mungesa e dokumenteve të shkruara. I gjendur në këto rrethana, Pirro Thomo shkruan:

“Është krejt e mundshmë që zanafilla e qytetit mesjetar të Korçës të ketë qenë kalaja, për të cilin bëhet fjalë në regjistrin e vitit 1431-32. Por nga ky objekt nuk na ka mbetur ndonjë gjurmë apo përshkrim, që të hedhë dritë mbi lashtësinë, përmasat dhe karakterin e tij. Përveç dy regjistrave osmane, duke filluar nga shek XVI-XVII, kalaja përmendet shkarazi në dokumentet e shhkruara”. (Pirro Thomo, “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, f 43)

Theksojmë edhe një herë faktin që Piro Thomo, ndërsa i referohet regjistrit të vitit 1431-32, ka parasysh kalanë e Korçës. Megjithatë, rasti e solli që rrënoja të kalasë së Korçës të dalin mbi sipërfaqe gjatë gërmimeve për ndërtime të reja. Pjesë muresh të kalasë u zbuluan në vitin 1923, 1937 dhe në vitin 2000. Të gjitha gjetjet morën një “urraaa” të madhe. Më në fund kalaja ishte gjetur. Lagjet varosh, katavarosh dhe varosh i vjetër do të ishin të justifikuara për emrat që mbanin. Por nga studimet e kryera prej historianëve dhe arkeologëve, rezultoi se kalaja e Korçës nuk kishte qenë e banuar. Ajo ishte thjesht një fortifikim ushtrie.

Sipas të gjitha gjasave, fortifikimi i Korçës i dedikohej mbrojtjes së bijës së sulltan Mehmetit II, e cila ishte bashkëshortja e themeluesit të qytetit të Korçës, Iljaz bej Mirahori. Madje kalaja kishte dhe një rrugë që quhej “Rruga e kalasë”. Kjo rrugë lidhte kalanë me zyrat e qeverisë që gjendeshin pranë Xhamisë së Madhe të Korçës, gjë që tregon edhe qëllimin përse ishtë ndërtuar.

Rojet dhe ushtarët që shërbenin te kalaja e Mborjes, (e cila kishte pranë pazarin që u prish nga Iljaz bej Mirahori), u vendosën në kalanë e Korçës. Mirahori ishte qeveritar i Korçës dhe ai kishte gjithë të drejtën e tij ta shpërngulte administratën dhe forcat ruajtëse të qytetit, kudo që ai e shihte të arsyeshme.

Megjithatë edhe zbulimi i kalasë së Korçës nuk dha rezultat. Ajo nuk kishte qenë kala e banuar. Lagjet e varoshit mbetën sërish pa kala. Atëherë përse lagjeve të fshatit Peskëpi u ishte dhënë ky emër?

Ndoshta Karmici (drejtori i shkollave greke te Korçës) do të ketë patur dijeni mbi ekzistencën e kalasë së Korçës. Në vitin 1888, kur ai shkroi librin e tij, “Gjeografia e Korçës dhe e rrethit”, në fshatin Peskëpi pati dyndje të të ardhurve nga fshatrat përreth. Gjatë ndërtimit të banesave mund të jenë zbuluar fragmente muresh të kalasë, por Karmici nuk mund ta dinte nëse kjo kala ishte e banuar ose jo, por me sa kuptohet ka patur dëshirën që këtë kala t’ia bashkëngjiste historisë së fshatit Peskëpi. Mëhallave të këtij fshati: “Penço”, “Mando”, “Manço”, “Qiro” dhe “Mano”, Karmici u shtoi edhe mëhallën “Kala”. Pas kësaj lindën dhe lagjet me emrin “varosh”. Tashmë, gjithçka ngjason me një stisje dhe asgjë më shumë.

Gjithsesi, koha për gjetjen e kalasë mbetet e pakufizuar, por deri sa të gjendet ajo, historia e lagjeve të varoshit mund të rrëfehet vetëm si përrallë. /tesheshi.com/