Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Bamirësi i arsimit kombëtar Ali Agjahu nga Elbasani

Filed under: Elita Kombit,Gjuha Shqipe,Kultura,Letersia,Rilindasit Shqiptare |

Nga Kastriot Dervishi

Ali Agjah Biçakçiu (1874-1918) apo njohur shkurt si Ali Agjahu është një humanist e filantrop elbasanas i cili gjithë pasurinë e tij ia dhuroi arsimit kombëtar shqiptar. Jeta e tij mori një drejtim të padëshiruar dhe fatkeq në vitin e turbullt 1914, në kohën kur kishte shpërthyer lëvizja rebele në Shqipërinë e mesme. U burgos prej tyre e më pas u zhvendos në Itali. Këtu hoqi keq dhe shëndeti iu përkeqësua vazhdimisht. Më 4.6.1918 përpiloi një testament në prani të Mustafa Krujës, Sif Nosit, Kostaq Cipos, Kostandin Kottes dhe Tefik Mborjes, sipas së cilin gjithë pasurinë e linte në dispozicion të arsimit kombëtar, nën kujdesin e një komisioni Aqif pashë Elbasani, Lef Nosi, Hysen Dakli, Taq Buda, Halim Bej Elbasani dhe Emin Matraxhiu.

Më 22.11.1918 Ali Agjahu mbërriti në Vlorë nga Italia, por nuk mund të jetojë veçse disa orë dhe vdiq në Sëmundoren Civile të Vlorës. U varros aty në një ceremoni madhështore në të cilën mbajtën fjalime Bexhet efendi Gjirokastra, Mustafa Kruja dhe Qemal Risilia.

Më 15 dhjetor 1922, Këshilli i Naltë i përfaqësuar nga Sotir Peci dhe Refik Toptani njohu vlefshmërinë e testamentit të Ali Agjahut.

Shumica e pronave të Ali Agjahut ndodhej në Nënprefekturën e Fierit, atë të Mallakastrës dhe në Belsh. Komisioni i Elbasanit caktoi më vonë sekretar Ymer Leksin.

Guri i parë i shkollës fillore femërore u vu më 31.1.1928, ndërsa punimet realisht nisën në vitin 1934. Për shkak të vjeljes problematike të të ardhurave, si një të një çështjeje tjetër mbi zbatimin e testamentit, punime të zgjatën në kohë. Kati i parë i shkollës në fjalë u përurua më 11.5.1937, pas ceremonisë së rivarrimit së Ali Agjahut. Të njëjtën ditë edhe njerka e tij Ismete Biçaku deklaroi se edhe ajo do ia falte arsimit kombëtar.