19 vitet e betejës së Ramës për të shkatërruar Teatrin Kombëtar…dhe batuta përçmuese për Violeta Manushin!

Filed under: Arti,Kinematografia,Kultura |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Ishte viti 1999 kur Edi Rama, Ministër Kulture, nisi betejën e tij me artistët përmes promovimit të reformës së tij për Teatrin si dhe ristrukturimin e pagesës së artistëve. Të parët që e kundërshtuan këtë reformë të Ramës, ishin artistët e TOB të cilëve iu bashkuan shpejt edhe ata të Teatrit Kombëtar. Kishin nisur thashethemet rreth idesë së prishjes së Teatrit dhe ngritjes atje të një kulle në katin e parë të së cilës do të ndërtohej edhe Teatri. Por artistët u bashkuan kundër kësaj nisme të Ministrit të Kulturës dhe në mbështetje të tyre ishin shumë intelektualë të tjerë si Fatos Lubonja, MaksVelo, Artan Lame, Artan Shkreli e të tjerë.

Beteja e Ramës me artitsët dhe intelektualët përfundoi me ndërmjetësimin e Kryeministrit të kohës, Ilir Meta. Artistët pranuan ftesën e Ilir Metës për dialog dhe çështja u mbyll aty pa shkuar deri tek prishja e Teatrit.

Historia do të përsëritej në vitin 2002, në përpjekjen e dytë të Ramës, tashmë Kryetar Bashkie, i cili tentoi sërish prishjen e Teatrit. Të gjithë ata që mbajnë mend dy përplasjet e Edi Ramës me artistët, e kujtojnë me siguri batutën e turpshme të tij përballë artistëve të cilët u përbetuan se kurrë nuk do të lejonin prishjen e Teatrit. Kur artistët i thanë Ramës se: TK jo vetem nuk duhet te prishet, por duhet të kthehet në një muze të artit skenik”, Rama iu përgjigj: – Po ç’do varni aty, brekët e Violeta Manushit? Pati një reagim shumë të ashpër jo vetëm të aktorëve dhe artistëve, por të gjithë aktorëve të shoqërisë, intelektualë, por edhe politikanë. Mbahet mend edhe fjalori fyes ndaj aktorit të ndjerë Agim Qiriaqi në betejat për të mbrojtur Teatrin, ku Rama i tha nëpër dhëmbë: “Po ti paske mbaruar fare!” Por ishte një fjali që mundën ta kapin edhe kamerat. Megjithatë, Rama i humbi dy beteja me artistët për prishjen e Teatrit.

Ndërkohë ai ka fituar beteja të tjera pasi ka mundur të prishë Kinema 17 Nëntorin dhe ndryshe nga sa pati premtuar, atje nuk është ndërtuar kinema, aty është veçse një kullë. Të njëjtin fat pati edhe Kinema Republika mbi të cilën u ndërtua një tjetër kullë. Është prishur së fundmi edhe stadiumi Qemal Stafa dhe atje po ndërtohet një kullë. Fasada e arkitektit italian, Gerando Bosio, në stadiumin Qemal Stafa, është zhdukur.

Rama sot është Kryeministër dhe nuk i duhet pushteti i askujt për të finalizuar projektet e tij. Tashmë ai mund ta shembë Teatrin me ligj, sepse deputetët e tij pritet ta japin shpejt votën për projektligjin e jashtëzakonshëm që është hartuar vetëm për të legjitimuar shembjen e godinës së Teatrit./