Ndahet nga jeta në moshën 63-vjeçare aktori Fadil Kujovska

Filed under: Kronika e zeze |

cache-210-166-strict-143018
TIRANE- Është ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare aktori i njohur Fadil Kujovska, i njohur më së shumti për rolin e Cukut në filmin “Dy herë mat”. Aktori prej 2 vitesh vuante nga një sëmundje e pashërueshme, ndërsa ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme në banesën e tij në kryeqytet.Fadil Kujovska do të përcillet në banesën e fundit ditën e sotme në orën 14:30, por pa një ceremoni shtetërore, pasi ky ka qenë edhe amaneti i tij. Jeta dhe rolet e aktorit Fadil Kujovska

Fadil Kujovska ka lindur më (14 shkurt 1951) në Tiranë aktor i mirënjohur shqiptar. Kreu studimet e larta për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve dhe më 1974 filloi punë në Televizionin Shqiptar, më pas më 1975 interpretoi në Teatrin e Gjirokastrës, ndërsa nga viti 1978 ishte aktor në Teatrin Kombëtar. Spikati si aktor i planit komik e satirik. Kujovska u dallua veçanërisht për karakterizimin e figurave që vinin nga shtresat e ulëta shoqërore apo rangjet administrative. Më 1978 krijoi shëmbëllimin e figurës së njohur të Shvejkut në komedinë e Gjikë Kurtiqit “Miq të paftuar”, nxitur nga romani i mirënjohur i Hashekut “Ushtari i mirë Shvejk”. Plastika, gjestet dhe mimika, të përpunuara me shije, krijuan gjasa që ky rol të vetëshprehej si duhej në epërsitë e mundshme të të dhënave natyrore të aktorit.

Po në 1978 interpretoi rolin e Hoxhë Qitapit në dramën “Besa e Madhe” të M. Markajt. Një vit më pas luajti me vërtetësi rolin e kinezit Shun në dramën “Furrnalta” të R. Pulahës, me të cilin spikati për shfrytëzimin me mprehtësi të dyplanësive, për plastikën shprehëse, qëndrimin tallës dhe sensin humoristik. Më 1982 i dha jetë njërit prej roleve të tij më të goditur, atij të Ser Tobit në komedinë “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit, duke mishëruar tipin e fisnikut pijanec, ithtar epikurian, rrëmujaxhi, që i gëzohet jetës dhe qejfit me tepri, sikundër qesh e shpotit hidhtas “viktimat” e rangjeve të tij.

Me interpretimin e doktor Adhamudhit në komedinë “Pas Vdekjes” të A. Z. Cajupit (1984) ai arriti të krijojë plot bukuri skenike tipin e pseudointelektualit dhe pseudopatriotit shqiptar, duke shfrytëzuar me zgjuarsi elementet tjetëruese dhe kundërshtitë komike, plastikën shprehëse, një të folur prej megalomania që e diskreditonte paq krenarinë e tij “pseudo”-je. Origjinal dhe i veçantë ka qenë edhe në interpretimin e rolit të Poçarit në dramën “Monsetrati” të Roblesë (1985), atë të prefektit Vehip në komedinë “Karnavalet e Korçës” të S. Comores nga Teatri Kombetar (2003).

Fadil Kujovska luajti role me trill e fantazi; ishte intuitiv, spontan dhe kishte nur komik. Ka interpretuar edhe në filma artistikë si dhe në disa filma televizivë.

Filumena Marturano – (2009) teatër
Trapi i vjeter – (2005)
Parullat – (2001)…….Pashku
Borxhliu – (1998)
Kolonel Bunker -(1998)
Pak freskët sonte – (1994)…kinezi
Nata e dymbëdhjetë – teatër-komedi
Historiani dhe kameleonët – (1989)
Shkëlqimi i përkohëshëm – (1988)
Tela për violinë – (1987)
Dy herë mat – (1986)…..Cuku
Kush vdes në këmbë-(1984)
Duaje emrin tënd-(1984)…………..llogaritari
Dasma e shtyrë – (1984)
Dita e parë e emrimit – (1981)……..Shoferi
Agimet e stinës së madhe – (1981)…..Mehill Bani, tekniku i ures