Presidenti Nishani: SHISH nën presion, kam emra për Guvernator

Filed under: Intervista |

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, deklaroi dje se prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, nuk po bën politikë me arrestimin e deputetëve dhe se nëse do t’i jepej mundësia do ta propozonte sërish për të njëjtin post.

I ftuar në studion e emisionit “Fakt” në “UTV News” të gazetarit Çim Peka përballë analistëve, Nishani tha se nuk ka pasur informacione për arrestimin e Guvernatorit Fullani, ndërkohë që u shpreh se nuk i ka lënë shije pozitive fakti që vëmendja u përqendrua në fajësinë e Fullanit, ndërkohë që ende nuk është zbardhur mekanizmi i vjedhjes së Thesarit të BSH. Më tej Nishani tha se ka presion të vazhdueshëm ndaj Shërbimit Informativ, por ai garantoi se nga informacionet që ka në asnjë rast nuk ka shkelje ligjore.

Ndryshe nga Presidenti që e ka marrë lajmin e arrestimit të Guvernatorit nga media, kemi deklaratën e Kryeministrit që thotë: Po, unë kisha informacion për këtë arrestim! Fakti që kryeprokurori informohet ndërsa Presidenti nuk informohet, a ju bën të dyshoni se raportet mes Presidentit dhe prokurorit nuk janë të njëjtat si para 23 qershorit?
Unë nuk e di dhe nuk paragjykoj takimin që ka pasur prokurori i Përgjithshëm me Kryeministrin. Është krejt natyrshëm që të takohen, nuk paragjykoj sepse nuk di përmbajtjen e bisedës. Unë si President nuk kam pasur asnjë informacion që do të arrestohej Guvernatori i BSH. Jam takuar me prokurorin për çështje pune, ndoshta dhe vetë prokurori s’ka pasur dijeni për arrestimin, përderisa nuk më ka informuar.

Po pas arrestimit jeni takuar me prokurorin Llalla?
Jam takuar me prokurorin e Përgjithshëm dhe natyrisht edhe kemi diskutuar, por këto mbeten çështje të marrëdhënieve mes institucioneve.

Si e vlerësoni Prokurorinë në rastin e arrestimit të Fullanit?
Momenti që me ka shqetësuar mua është që e gjithë vëmendja dhe angazhimi u spostua nga prioriteti që duhet të merrte hetimi i vjedhjes, te fajësia apo pafajësia e Guvernatorit, mua nuk më lë një shije pozitive… Ai mund të jetë i fajshëm, por vetëm në momentin që do të zbardhet mekanizmi me të cilin është realizuar akti kriminal. Në moment që do të zbardhet mekanizmi i aktit kriminal, atëherë do të dalë përgjegjësia e gjithsecilit, nga roja i magazinës deri te Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Zoti President, thatë që prokurori gëzon mbështetjen tuaj dhe se nuk po bën politikë. Rasti i Guvernatorit, që në këtë moment i ka shërbyer thjesht largimit të Ardian Fullanit nga BSH, dhe rasti i ngritjes së akuzave ndaj tre deputetëve të Parlamentit, a ju duket që prokurori po bën politikë?
Ajo është detyra e prokurorit, të ngrejë akuza, dhe akuza e Prokurorisë nuk është fajësi. Prokuroria do të bëjë punën e saj, ka indicie dhe ka fakte, e merrtë pandehur në gjendje arresti apo të lirë, diku e regjistron si procedim penal. Ajo është puna e Prokurorisë në momentin që ka një vendim gjyqësor që përcakton fajësinë dhe pafajësinë, nga forma e vendimit gjyqësor gjykohet dhe niveli profesional i Prokurorisë. Por unë nuk shoh asnjë qëndrim politik të Prokurorisë.

Në rast se do të ishim sot sërish në fillimin e vitit 2013 dhe Presidenti Bujar Nishani do të ndodhet sërish para zgjedhjes së prokurorit të Përgjithshëm, do ta propozonit sërish Adriatik Llallën apo jo?
Patjetër do ta propozoja.

Ka një deklaratë të Kryeministrit për takimet që keni zhvilluar për zgjedhjen e Guvernatorit, që ndani të njëjtat pikëpamje. Takimi i dytë, zoti President, ka pasur të bëjë sërish për zgjedhjen e Guvernatorit?
Bisedat kanë qenë krejt normale dhe do të ketë dhe në të ardhmen takime dhe me përfaqësuesit e forcave politike për këtë çështje. Kanë qenë takime dhe shkëmbime idesh krejt korrekte. Unë kam shprehur qëndrimin tim që kam qenë dhe nuk jam për zgjedhjen e një Guvernatori të huaj, për faktin se besoj se shqiptarët kanë kapacitete për ta menaxhuar jetën e tyre dhe vendin e tyre.

Sa kandidatë kanë aplikuar te ju për Guvernator?
Deri dje kanë paraqitur kërkesën për t’u bërë Guvernator 31 kandidatura. Është deri ditën e diel afati i fundit për aplikimet.

Nga ato aplikime që ju kanë ardhur, zoti President, gjeni më të vërtetë kandidatura serioze?
Ju them shumë sinqerisht që nuk i kam shqyrtuar një për një, por ka absolutisht njerëz, me sa kam parë deri dje, që kanë begraund shumë të lakmueshëm, që unë i shikoj si Guvernator të mundshëm.

Që do të thotë që njërin prej tyre do t’ia propozoni Kuvendit?
Kjo nuk është përfundimtare.

Në një kohë që Presidenti duhet të propozojë një Guvernator të ri, është hapur një hetim i menjëhershëm për shefin e SHISH me pretendimin se ka shkelur ligjin. A ju duket se maxhoranca aktuale po ju dërgon një sinjal: nuk ju prek SHISH, më jep Guvernatorin që dua unë?!
Unë ju garantoj që as kam hyrë kurrë në jetën time politike dhe institucionale dhe nuk do të hyj kurrë në të tilla raporte. Ju kërkoj ndjesë, por po i quaj pazare. Sepse kam në këtë pikë parimet e mia që nuk çedoj dhe nuk ndryshoj, jam i gatshëm të jap gjithë seriozitetin tim, gjithë angazhimin tim. Jam për një proces përfshirës, në mënyrë që Parlamenti, maxhoranca dhe opozita të jenë të përfshirë, dhe nuk e kam fjalën për çështje numrash, por për një kredibilitet në funksion të institucionit të Bankës së Shqipërisë. Por ajo kërkon një zgjidhje dhe do të shkojë te zgjidhja kushtetuese dhe institucionale.

A po formësohet një metodologji parlamentare e kësaj maxhorance për të kapur institucionet me anë të hetimeve parlamentare, siç është kontrolli ndaj SHISH?
Që ka një presion ndaj SHISH, kjo është evidente dhe e vazhdueshme. Fusha që mbulon SHISH ka të bëjë me çështje të rëndësishme të sigurisë kombëtare dhe çdo vënie nën presion nga ana e politikës apo kushdo qoftë, natyrisht e dëmton procesin e garantimit të sigurisë kombëtare. Ju garantoj që në të gjithë dijeninë time si President i Republikës nuk kam konstatuar deri në këto momente asnjë akt, i cili është kryer në kundërshtim me ligjin dhe objektin e punës, dhe në kundërshtim me të gjitha procedurat që i ngarkohen Shërbimit Informativ për të përmbushur detyrën e tij. Këto janë informacionet që kam unë, pasi Presidenti nuk ndërhyn në veprimtarinë operacionale të SHISH.

Dy këshilltarë të Presidentit janë të angazhuar në strukturat e partisë më të madhe të opozitës. A e lejon ligji dhe angazhimi i këshilltarëve të Presidentit në një formacion politik e bën dhe Presidentin palë?
Këto janë reminishenca të kaluara kur ti nuk mund të ishe pjesë e një partie që je kundërshtare me mua. Nuk është Presidenti, Presidentit me ligj i ndalohet të jetë pjesë jo vetëm formale, por edhe aktive e politikës së një partie. Çdo punonjës i administratës publike nuk ka asnjë kufizim të tillë dhe punonjësit e Presidencës janë pjesë të këtyre detyrimeve. Mund të mos jesh formalisht pjesë e një partie, por mund të jesh mjaft aktiv. Por kjo nuk e ndan. Nëse legjislatori do ta kishte gjykuar që një individ që punon në institucionin e Presidentit nuk duhet të ishte pjesë e partive, duhet ta kishte shkruar në ligj, siç e ka bërë për ushtrinë dhe policinë. Unë nuk mund të ndërhyj dot në jetën private.