95 vjet më parë, italianët “shpallën” Tiranën kryeqytet

Filed under: Historia e Shqiperise |

tirona-ime
Luela Myftari Gjyshi i tij ka qenë kryetar i parë i Bashkisë së Tiranës pas luftës. Babai i tij ka qenë ai që e ka mësuar se imazhet dhe librat janë të rëndësishëm. Vjen nga familja që hapi librarinë e parë në Tiranën e atyre viteve. Ai është Gazmend Bakiu, historian, koleksionist dhe pinjoll i një familjeje të vjetër tiranase. Vjen sot në 95-vjetorin e Tiranës kryeqytet, jo vetëm me një rrëfim, por edhe me disa nga fotografitë bardhezi të Tiranës së atyre viteve. Ai do të na tregojë se mungesa e një plani urbanistik, që të mbrojë ato pak gjëra që kanë mbetur nga Tirana e vjetër dhe rivitalizimi i një pjese të mirë të atyre objekteve, që mund të rilindin duke mbartur histori, mungon në dosjet e këtij kryebashkiaku, por domosdoshmëria për të, është e madhe.Ata që e njohin historinë e Tiranës, njohin shumë mirë edhe dy faza të këtij qyteti, atë të një kryeqyteti të përkohshëm dhe atë të një kryeqyteti të përhershëm. Ju si historian, dhe si autokton në këtë qytet si do t’ua përcillnit lexuesve këto dy faza? Ç’është në të vërtetë 11 shkurti?

Historia e Shqipërisë në vitet 1920-1925 është tejet interesante. Më 21-31 janar 1920 u zhvillua Kongresi i Lushnjes. Në kushte shumë të vështira për vendin, shqiptarët u bënë bashkë dhe shkruajtën një faqe të ndritur në histori. E themi këtë pa pasur frikë se biem në mitizim apo folklorizëm. Krerët tanë, politikanët e kohës e kuptuan se duhet të bëheshin bashkë dhe t’i dilnin zot vendit, me përkushtim. Që të kthehem te pyetja juaj, duhet thënë se Kongresi i Lushnjes nuk e shpalli Tiranën kryeqytet. Kryeqytet asokohe ishte Durrësi. Këshilli i Naltë dhe qeveria u nisën për të shkuar atje, mirëpo forcat italiane nuk i lejuan. Atëherë, ata vendosën që të shkojnë në Tiranë. Këtu, zotë të vendit ishin Toptanët. Një nga personalitetet më të rëndësishëm, ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, ishte nip Toptanësh (nga e ëma), dhe ndikoi qartas në këtë vendimmarrje. Që asokohe ai ishte një ndër politikanët kryesorë të vendit. Kështu, Këshilli i Naltë dhe qeveria vendosën të marshojnë në Tiranë, sepse kjo ishte zgjidhja logjike në atë situatë, ngado që ta shikoje. Qyteti paraqitej shumë mikpritës dhe popullsia gjithashtu. Në mënyrë të çuditshme, po plotësohej profecia e Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali Vrionit, që Tirana të ishte kryeqyteti i Shqipërisë, e thënë kjo që në vitin 1877. Më 11 shkurt 1920, Këshilli i Naltë dhe qeveria hynë në Tiranë, duke e shpallur kryeqytet të përkohshëm, mes entuziazmit popullor. Ata u vendosën te ndërtesa e nënprefekturës (sot e shembur), e cila ishte pikërisht aty ku sot gjendet Biblioteka e vjetër, te “Sheshi i Flamurit”. Që nga ajo ditë e madhe sot mbushen 95 vjet dhe ky është një përvjetor i shënuar.

Po kryeqyteti i përhershëm?

Pas vrullit të parë patriotik filloi një luftë e ashpër politike. Edhe për kryeqytetin e përhershëm filluan debatet, të cilat u pasqyruan edhe në fushatën elektorale të vitit 1923. Forcat politike, sipas ndarjeve krahinore dhe partiake mëtonin të zgjidhnin Shkodrën, Vlorën, Elbasanin, ose Durrësin si kryeqytet. Pra, kishte disa mundësi, por patjetër Tirana kishte dhënë prova se po funksiononte si kryeqytet, pa përmendur këtu pozitën krejt të favorshme gjeografike të saj. Pra, ishte e avantazhuar. Zgjedhjet i fitoi Ahmet Zogu dhe më 31 janar 1925, Tirana u shpall kryeqytet i përhershëm. Kjo ndodhi në 5-vjetorin e përfundimit të Kongresit të Lushnjes, i cili kishte hapur një faqe të re në historinë e Shqipërisë. Që nga ajo kohë e deri më sot kanë kaluar plot 90 vjet.

Ju jeni djali i kryebashkiakut të parë të Tiranës së pasluftës. Gjithë këto vite, çfarë kanë lënë pa bërë kryetarët e Bashkisë së kryeqytetit për t’i rikthyer dinjitetin dhe për të mos shkatërruar disa vlera historike të tij? Çfarë do të duhet të bëjmë apo të shpëtojmë?

Pyetja është shumë e gjerë dhe ngërthen një periudhë gati 70-vjeçare; pra e pamundur për t’u përgjigjur brenda një paragrafi. Gjithsesi, shkurtimisht mund të thuhen disa gjëra. Nuk mund të mohohet se punë janë bërë, në periudha të ndryshme, ashtu siç nuk mund të mohohet që shkatërrime vlerash historike (me apo pa dashjen e kryetarëve të Bashkisë) kanë ndodhur. Megjithatë, pak është bërë për ruajtjen dhe rivitalizimin e vlerave historike të Tiranës. Nëse do të dëgjohet më shumë zëri qytetar, nëse do të bëhet një projekt-plan, se çfarë do të ruajmë, çfarë do të rivitalizojmë dhe çfarë do të rikthejmë nga vlerat e humbura të kryeqytetit, atëherë gjërat mund të bëhen më mirë. Mund të fillojmë që nga Republika.

Në nderim të Republikës?

Po. Shpallja Republikë e Shqipërisë, për herë të parë në histori, ndodhi më 21 janar 1925, në 5-vjetorin e fillimit të Kongresit të Lushnjes. Herën e dytë u shpall republikë popullore më 11 janar 1946, për të kaluar në republikë popullore socialiste në vitin 1976. Hera e tretë që vendi ynë u shpall republikë ka qenë më 29 prill 1991. Ne tanimë jetojmë në republikën e tretë. Mirëpo, ne nuk kemi ndonjë festë, apo rrugë, apo shesh për nder të Republikës, ashtu siç ndodh kudo në vendet republikane nëpër botë. Sepse kjo është diçka e përgjithshme anekënd globit, si në shtetet me regjim monarkik, ashtu edhe në ato me regjim republikan. Kështu ka ndodhur dikur edhe te ne. Në kohën e Republikës së parë, një rrugë kryesore quhej rruga e “Republikës”; në kohën e Republikës së dytë, një kinema quhej kinema “Republika”, madje kishte edhe një festë për ditëshpalljen e Republikës. Kurse tani përgjatë Republikës së tretë nuk kemi asgjë të këtij lloji.Ajo që asnjëherë nuk është përmendur në media është fakti se Gazmend Bakiu, që të gjithë e njohin si historian dhe koleksionist i fotografive të vjetra të Tiranës, është gjithashtu edhe pinjoll i asaj familjeje, që ka hapur librarinë e parë në këtë qytet. Asnjëherë më parë nuk është folur për këtë librari. Po si mundej që një kryeqytet i atyre viteve të mos kishte një librari kur përpjekja për ta pasur një të tillë datonte edhe më herët. Për këtë sot, do të na rrëfejë më shumë nipi i Hasan Bakiut, një nga figurat që ka kontribuuar shumë në mësimin e këndimit shqip, siç thuhej dikur. Gazmend Bakiu, sot rrëfen librarinë e parë në shqip dhe një nga librat më të vjetër, që ka mbetur në Bibliotekën Kombëtare me vulën e librarisë së parë të kryeqytetit.

Çfarë ju kanë thënë prindërit dhe gjyshërit për librarinë e parë në Tiranë?

Libraria e parë në Tiranë lidhet me Hasan Bakiun (1869-1944). Ai ka qenë im gjysh, por unë e kam njohur vetëm nëpërmjet fotografive, sepse ai kishte vdekur përpara se të lindja unë. Sipas dokumenteve historia e tij është shkurtimisht kështu: Në Manastir (në vitet 1880-86) dhe në Greqi (1895-96), ai kishte rënë në kontakt me patriotë shqiptarë, të përkushtuar ndaj çështjes tonë kombëtare, prandaj këtu në Tiranë, së bashku me patriotë të tjerë punonte për mëvetësinë e Shqipërisë. Ndër të tjera, Hasani shpërndante fshehurazi abetare e libra shqip. Kjo gjë në vitet 1900 ishte me shumë rrezik, pasi më e pakta rrezikoje një burgim të gjatë. Me shpalljen e Hyrjetit (kushtetutës) së Perandorisë Osmane, në vitin 1908, ai u bë një ndër themeluesit e shoqërisë “Bashkimi”, dhe hapi në një pjesë të dyqanit të tij një librari, meqenëse kjo gjë tani nuk ishte zyrtarisht e ndaluar. Në atë kohë libraria quhej libratoria “Bakiu”.

Por, libratoria nuk pati një fat të mirë atë kohë…

Po, libraria u dogj nga ekspedita ndëshkuese e Shefqet Durgut Pashës më vitin 1910, ndërsa Hasan Bakiu u arrestua për t’u dënuar në gjyqin ushtarak të Elbasanit. Pasi u lirua, ai e rihapi libratorinë, por herën e dytë ajo u dogj nga rebelët e Haxhi Qamilit, më vitin 1914. Këta të fundit e arrestuan përsëri së bashku më patriotë të tjerë. Megjithatë, ai e rihapi përsëri librarinë në vitet 1916-17, e cila ishte e vetmja në Tiranë deri në vitin 1926.

Libra për Tiranën

Në qendrën kulturore “Ten”, sot në ora 11:00 promovohen disa botime mbi Tiranën. Aktiviteti kulturor “Promovimi i botimeve për Tiranën”, është një kontribut për të shtuar pasurinë bibliografike të historisë së Tiranës. Librat do të pasqyrojnë momente të ndryshme, të rëndësishme të zhvillimit të jetesës, do të pasqyrojnë fusha të ndryshme të jetës social-kulturore në qytet, në aspektin politik, ekonomik, kulturor, drejtimin dhe qeverisjen lokale. Hyrja është e lirë.

Antologjia

Prezantimi i një antologjie që shpalos plot 150 vjet të mendimit shqiptar, është si një lloj enciklopedie, që nxjerr nga pluhuri i harresës dhe i ostracizmit më të plotë, ku i kishte lënë regjimi komunist autorët e spikatur të viteve 30-të dhe produktit elitar të mendimit, që ata prodhuan. Si trashëgimi mendore që ka nevojë të trupëzohet në dijet kulturore, edukative dhe historike të brezit të sotëm e të ardhshëm, kjo enciklopedi prezantohet gjithashtu sot në qendrën letrare “Ten”.

Ekspozita për Tiranën

Me rastin e 95-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet inaugurohet sot në “Ten” në kuadër të projektit artistiko-kulturor ekspozita me fotografi dhe piktura “Tirana kryeqytet 11 shkurt 1920”. Dy ekspozita me tematikë të kthimit të Tiranës në qendër të rëndësishme urbane. Një ekspozitë do të jetë me fotografi të periudhës nga autorë të ndryshëm të kohës. Në këto foto do të pasqyrohet ndryshimi dhe zhvillimi i madh, që pësoi Tirana pas marrjes së saj të statusit të veçantë si kryeqytet. Ndërsa në ekspozitën tjetër do të pasqyrohen punime në fushën e pikturës me peizazhe, godina, rrugë karakteristike të Tiranës etj. Në këto piktura do të ketë momente të zhvillimeve të para të jetës në qytet, por edhe të gjendjes aktuale ku janë integruar arkitektura dhe urbanistika e momenteve të para të lindjes së Tiranës si kryeqytet.

Bujar Çiçi, tironsi 2014

Grupimi i tironsve, siç e quajnë ata njëri-tjetrin, në fund të çdo viti vendosin të nxjerrin një personazh. Edhe në vitin që sapo shkoi, ata kanë votuar në faqen e tyre shumë të klikuar dhe shumë të azhurnuar edhe në rrjetet sociale. Për vitin që shkoi duket se personazhi më i dashur i kryeqytetasve është këngëtari i muzikës popullore tiranase Bujar Çiçi.Bashkia filloi të ndërtohet më 12 maj 1930, dhe përfundoi më 1 shtator 1931, datë kur u përurua në prani të princeshave, me një ceremoni të posaçme, nga kryebashkiaku dhe njëkohësisht prefekti i Tiranës Rexhep Jella. Ndërtesa më e bukur në Tiranë, Bashkia e vjetër që dominonte në sheshin “Skënderbej”, duke i diktuar frymën perëndimore nuk është më. Por pranë saj, në shesh ishin Pazari i Vjetër, Kisha e Ungjillëzimit, kafja e famshme “Kursal”, dhe ndërtesa të tjera me vlerë. Me akte të njëpasnjëshme kriminale, të gjitha u rrafshuan, veç Xhamisë së Et’hem Beut dhe Sahatit, që tani gjallojnë nën hijen e ndërtesave të larta. Dhe një nga humbjet më të mëdha të kryeqytetit ka qenë pa dyshim shembja e Bashkisë.