Themeluesit e mësonjëtores së parë shqipe në ekspozitë

Filed under: Gjuha Shqipe |

niko-kotherja-413x620
Nga Valeria Dedaj

Niko Kotherja, drejtor i Muzeut Kombëtar të Arsimit, Mësonjëtorja e Parë Shqipe tregon për përgatitjet që ka nisur tashmë ky institucion në përkujtim të figurave, që kanë kontribuar në hapjen e shkollës shqipe. Për herë të parë studentët e Universitet të Arteve po përgatisin një ekspozitë me vizatime dhe portrete të themeluesve të parë të mësonjëtores. Mësonjëtorja e Korçës është shkolla e parë e gjuhës shqipe. Është hapur para 129 vjetësh, në 7 Mars të vitit 1887, në shtëpinë e dhënë nga Diamanti Terpo. Drejtori i parë i saj ka qenë Pandeli Sotiri. Kur ai nisi mësimin fillimisht kishte vetëm 35 nxënës.

Niko, a data 7 Mars po afron, por çfarë aktivitetesh do të bëhen në Muzeun e Arsimit, Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë?

Përgatitjet për 7 Marsin tashmë kanë nisur. Nga ana logjistike dhe teknike, këto ditë përfundon pastrimi total i të gjithë godinës, një punë që zhvillohet në formë periodike në godinë, brenda dhe jashtë saj. Rreth datës 7 Mars do të ketë aktivitete të shumta që do t’i japin vlerën, vëmendjen dhe respektin që vërtet meriton godina, ngjarja dhe personalitetet që e ngritën atë. Disa studentë të Universitetit të Arteve po përgatisin një ekspozitë me vizatime të portreteve të themeluesve, kontribuuesve, mësuesve e nxënësve të parë të Mësonjëtores. Kjo ekspozitë do të qëndrojë për disa ditë në ambientet e sallave të ekspozitave brenda Muzeut. Të rinj po përgatisin punët e tyre, duke pasur ndihmën dhe përkrahjen e Muzeut edhe në sigurimin e fotografive origjinale ku do të bazohet puna e tyre.

Është për t’u theksuar se është hera e parë që artistë të rinj në një ditë të shënuar si 7 Marsi të organizojnë dhe të hapin një ekspozitë me punët e tyre kushtuar kësaj ngjarjeje, pasi vite të tjera kemi pasur ekspozita, por që nuk kishin qenë të lidhura drejtpërdrejt me idenë e shkollës së parë shqipe, apo nuk kanë e qenë të organizuara nga të rinjtë, të cilët ende nuk kanë dalë nga auditorët e universiteteve. Përgjatë 7 Marsit vizitorët mund të ndjekin ekspozita të koleksionistëve me materiale dokumentare lidhur me shkollat e para shqipe, si dhe luftën patriotike të shqiptarëve. Gjithashtu, për t’i sjellë publikut materiale autentike dhe tejet interesante do të kontaktojmë me drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave-Arkivi Qendror i Shtetit Tiranë për të huajtur prej tyre disa dokumente origjinale që mendojmë t’i ekspozojmë në datat rreth 7 Marsit. Këto materiale janë të pa ekspozuara ndonjëherë në origjinalin e tyre dhe kjo do të sillte ndjeshëm një reagim dhe kuriozitet për vizitorët e qytetit dhe jashtë tij.

Si është gjendja e objekteve që ruhen në këtë institucion?

Për momentin në muze janë rreth 45 objekte, që janë relike të figurave të shquara të Mësonjëtores së Parë Shqipe dhe janë në gjendje shumë të mirë, të ruajtura dhe të ekspozueshme. Objekti i parë ka ardhur në maj 2013, që njëkohësisht është dhe i pari objekt që hyri në Muze, si material me vlerë muzeale, si artefakt. Më parë, Muzeu nuk kishte të ekspozuar asnjë relike apo objekt. Dhe kjo ka qenë bërë prezent dhe nga mediet e shkruara dhe vizive. Duke qenë se objektet kanë qenë të ruajtura nga pasardhësit e personaliteteve, sot ndaj tyre nuk shihet një nevojë emergjente për restaurim.

Së fundmi, u komentua dhe pllaka e Mësonjëtores së Vashave, e cila u gjend sërisht! Por a ka materiale që nga inventarët që keni bërë për Muzeun mungojnë?

Po, u komentua çështja e pllakës përkujtimore të Mësonjëtores së Vashave. Fatmirësisht, ajo u gjet dhe do të vendoset në vendin e saj, në vendin që i takon dhe aty ku e kemi vendosur në vitin 2011, kur ishte përvjetori i 120 i çeljes së saj. Në lidhje me inventarin e Muzeut ku unë punoj nuk ka asgjë të rëndësishme për të shënuar, pasi dhe sipas inventarit duke e konsultuar atë në gjendje fizike e të prekshme, nuk kishte asnjë objekt me vlerë muzeale, siç thashë më lart. Në inventar janë vetëm pak libra, që ende sot janë në Muze, si pjesë e bibliotekës së Muzeut që ka filluar të ndërtohet në vitin 2013.

Së fundmi, a keni ndonjë tezë historike për të cilën po punoni?
Studiuesi gjithnjë është duke iu kushtuar një apo disa temave. Këtu përjashtim nuk bëj as unë. Kërkimet e mia gjithë këtë kohë janë drejtuar nga rrugëtimi i shkollave të para shqipe pas Mësonjëtores së Korçës dhe këto kërkime do të shtojnë më shumë fondin e arkivit të Muzeut. Dhe këtu bëhet fjalë për një punë kolosale të evidentimit dhe pasqyrimit të pothuaj gjithë shkollave të para shqipe, që nga Kukësi e deri në Konispol. Materiali për to është duke u evidentuar dhe më pas do të fillojë mbledhja e tij për t’u vendosur në dosjet përkatëse të arkivit që po ngremë në këtë institucion. Njëkohësisht, kam duke punuar mbi monografi të disa figurave të shquara të lëvizjes patriotike e kombëtare, mbi historinë e fotografisë në Korçë dhe mbi skenarë dokumentarësh, që trajtojnë çështje të historisë dhe personaliteteve të saj. Gjithë dita është një angazhim i madh për t’iu gjendur afër kulturës, trashëgimisë kulturore dhe asaj çka mund të dokumentoj dhe shkruaj për të qenë në shërbim të studiuesve të tjerë apo të pasionuarve pas historisë.

Mësonjëtorja e parë shqipe

Mësonjëtorja e Korçës ishte qendër e rëndësishme për formimin kulturor dhe ngritjen e ndërgjegjes dhe moralit në popull. Ajo nxiti edukimin patriotik të brezit të ri e të masave të gjera. Shkolla tërhoqi interesin dhe admirimin e shumë shqiptarëve, nën shembullin e saj u frymëzuan më vonë edhe banorë të viseve dhe trevave të tjera shqiptare. Veç të tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu, që nga ajo ditë, 7 Marsi festohet në Shqipëri, si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.