Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Filed under: Gjuha Shqipe |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

440634792lajmetari440634792Zhvillimi i hovshëm e cilësor i kulturës, i letërsisë dhe i shkencës mbi bazën e shndërrimeve të thella historike ekonomiko-shoqërore që janë kryer në Shqipërinë socialiste e që kanë sjellë ndryshime të thella edhe në vetëdijen gjuhësore të popullit tonë, i ka dhënë një shtysë të fuqishme e të pandërprerë njësimit të gjuhës letrare kombëtare shqipe, themelet e së cilës janë hedhur që në kohën e Rilindjes.Masat e gjera popullore, në kundërshtim me pikëpamjet e ngushta lokaliste, kanë luftuar për një gjuhë letrare të njësuar dhe kanë përkrahur me dashuri çdo përpjekje që i ka shërbyer këtij qëllimi. Duke përmbushur gjithnjë më mirë kërkesat e shumanshme të të gjitha fushave të veprimtarisë shoqërore, gjuha letrare shqipe ka arritur një shkallë të tillë zhvillimi, që na lejon të pohojmë shkencërisht se populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar, norma kombëtare e së cilës është kristalizuar në të gjitha hallkat kryesore të strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore e në disa hallka të veçanta ndodhet në fazën e fundit të kristalizimit. Kjo gjuhë letrare përdoret sot pothuajse nga të gjithë shqiptarët brenda e jashtë Republikës Popullore të Shqipërisë dhe është bërë modeli i normës gjuhësore të përbashkët për të gjithë ata që shkruajnë shqip.

Pas vendimeve të Konsultës shkencore të Prishtinës (1968), si rezultat i zhvillimit kulturor të shqiptarëve dhe i përpjekjeve të vetëdijshme të punonjësve të kulturës, të arsimit dhe të shkencës, kjo gjuhë letrare e njësuar po përdoret pothuajse pa përjashtim edhe nga shqiptarët që jetojnë në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë – në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi, në të gjithë veprimtarinë shoqërore, ndër të tjera edhe në gjinitë e ndryshme të letërsisë artistike, në prozë e në poezi, gjë që dëshmon si për gjerësinë, ashtu edhe për thellësinë e përvetësimit të normës letrare kombëtare. Ky është një hap i rëndësishëm si për zgjerimin e funksioneve kombëtare të shqipes letrare, ashtu edhe për pasurimin e saj. Përpjekje për të përdorur gjuhën letrare të përbashkët shqipe vihen re edhe tek arbëreshët e Italisë.

Kjo shkallë zhvillimi e shqipes letrare, ndër të tjera kërkon që edhe rregullat drejtshkrimore të jenë sa më të njësuara e të qëndrueshme me qellim që të ndihmojnë për ngulitjen sa më të thellë dhe për përvetësimin sa më të lehtë të normave të gjuhës letrare të shkruar e njëkohësisht të ndikojnë për njësimin e mëtejshëm edhe të normave të drejtshqiptimit.

Per këtë, me nismën e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, u mblodh në Tiranë prej 20 deri më 25 nëntor 1972 Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ku u përfaqësuan gjerësisht forcat e shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare.

Ky Kongres, si forumi më i lartë shkencor, analizoi e diskutoi gjerësisht parimet themelore, çështjet e përgjithshme dhe shumë zgjidhje të veçanta të drejtshkrimit të shqipes, si edhe probleme të tjera teorike e praktike, që kanë të bëjnë me normën letrare në përgjithësi.
Kongresi i Drejtshkrimit, duke u bërë një shqyrtim shkencor për-gjithësues nivelit të zhvillimit të gjuhës së sotme letrare shqipe, prirjeve të evolucionit të saj dhe në mënyrë të veçantë gjendjes së drejtshkrimit,
konstaton:

1. Shqipja letrare e kohës sonë ka hyrë tashmë në fazën më të lartë të zhvillimit të saj, në fazën e kristalizimit të plotë e përfundimtar. Ajo funksionon si një gjuhë letrare e përbashkët dhe e njësuar në të gjitha sferat e veprimtarisë shoqërore. Kjo shkallë e lartë zhvillimi kërkon edhe përcaktimin e normave drejtshkrimore sa më të plota, sa më të njësuara dhe të qëndrueshme.
Përpara Çlirimit ritmet e zhvillimit të gjuhës letrare kombëtare, për shkak të kushteve historike-shoqërore të vështira, kanë qenë të ngadalshme. Por, më gjithë pengesat që u janë vënë shkollës shqipe dhe përpjekjeve për njësimin e gjuhës letrare amtare, populli shqiptar arsimdashës e ka ruajtur atë si gjënë më të shtrenjtë edhe në çastet më të rënda të jetës së tij historike dhe ka luftuar pareshtur për ta pasuruar e për ta ngritur në nivelin e një gjuhe të përbashkët kombëtare sa më të njësuar e të përparuar.

2. Njësimi i drejtshkrimit ka qenë kurdoherë pjesë e pandarë e këtyre përpjekjeve. Drejtshkrimi ka ecur përpara krahas zhvillimit të vetë gjuhës, është përsosur vazhdimisht në saje të zhvillimit të shkencës gjuhësore shqiptare dhe është përvetësuar e ngulitur nga shkolla jonê e re, nga shtypi e botimet e të gjitha llojeve. Ashtu si gjuha letrare në përgjithësi, edhe drejtshkrimi i saj ka qenë i pashkëputur nga gjuha e popullit. Përhapja dhe zbatimi i një drejtshkrimi të njësuar në të gjitha sferat e veprimit të fjalës së shkruar ka ndihmuar për përvetësimin e ngulitjen e normave të gjuhës letrare.

Drejtshkrimi nuk është vetëm një çështje shkencore, por edhe një problem i rëndësishëm shoqëror, sepse është shprehje e drejtpërdrejtë e njësimit të gjuhës letrare kombëtare, e cila luan një rol të dorës së parë në formimin e vetëdijes kombëtare, në zhvillimin e jetës mendore.

3. Projekti i ”Rregullave të drejtshkrimit të shqipes” që u botua më 1967 në Tiranë, u mirëprit nga bota shkencore, arsimore e kulturore shqiptare dhe gjeti një miratim të përgjithshëm teorik dhe praktik. Pari¬met themelore mbi të cilat mbështetet ky Projekt, ndërtimi i tij, si edhe zgjidhjet kryesore u vlerësuan shkencërisht të drejta. Kjo tregon se ai është mbështetur në realitetin gjuhësor dhe është hartuar mbi baza të drejta teorike-metodologjike. Zbatimi i rregullave të drejtshkrimit të 1967-s ka sjellë rrafshimin e mëtejshëm të shumë lëkundjeve drejtshkrimore dhe ka njësuar pothuajse plotësisht gjuhën e të gjitha botimeve shqipe. Puna për të përvetësuar e për të venë në jetë rregullat e drejtshkrimit solli një përmirësim të dukshëm dhe njësim të mëtejshëm të gjuhës së teksteve shkollore, të shtypit e të letërsisë artistike, të dokumenteve e të shkresave zyrtare etj. Ajo u bë një mjet i gjallë për të përmirësuar më tej mësimin e gjuhës shqipe në të gjitha shkollat, si në qytet, ashtu edhe në fshat

4. Rreth Projektit janë zhvilluar diskutime brenda dhe jashtë Republikës Popullore të Shqipërisë, në shtypin shkencor e në shtypin masiv, si edhe në konsulta të gjera të mësuesve të gjuhës e të letërsisë shqiptare e të punonjësve të tjerë të kulturës. Ky diskutim popullor e ka pasuruar më tej mendimin shkencor për problemet e drejtshkrimit të shqipes dhe ka sjellë një ndihmë të vlefshme për përmirësimin e mëtejshëm të tij. Kjo rrahje e gjerë krijuese e pikëpamjeve shkencore, e cila u plotësua, u thellua e u përgjithësua teorikisht në këtë Kongres, u jep zgjidhjeve drejtshkrimore një karakter të thellë popullor e objektiv dhe i bën ato t’i qëndrojnë provës së kohës.

Në dritën e të gjitha këtyre dhe në përputhje me mendimin e përgjithshëm e me argumentimet shkencore që u shprehën Në referatin ”Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj”, në kumtesat e në diskutimet, duke u mbështetur edhe në parashtresat e dy komisioneve të veçanta të shqyrtimit të vërejtjeve, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

vendosi:

I

1. Rregullat e drejtshkrimit të mbështeten sa më gjere në trajtat e përbashkëta të gjuhës kombëtare shqipe.

2. Parim themelor i rregullave të drejtshkrimit të shqipes të jetë parimi fonetik. Ky parim do të zbatohet në të gjitha rastet kur shqiptimi letrar paraqitet i njësuar; në këtë mënyrë do të vendoset një lidhje e ngushtë midis formës së shkruar dhe formës së folur të gjuhës letrare. Kur në shqiptimin letrar ka variante normative, drejtshkrimi do të mbështetet tek ajo trajtë që është më e përgjithshme dhe që pajtohet me prirjen e zhvillimit të sistemit fonetik të gjuhës letrare.

3. Meqenëse shkrimi pasqyron jo vetëm strukturën fonetike, por edhe veçoritë e strukturës gramatikore, leksikore e fjalëformuese të gjuhës, rregullat e drejtshkrimit do të mbështeten edhe në parimin morfologjik, i cili kërkon që fjalët dhe pjesët e tyre përbërëse të sistemit trajtëformues e fjalëformues të shkruhen njësoj, pavarësisht nga ndryshimet tingullore që shkaktohen nga ligjet e gjalla fonetike që veprojnë në gjuhën tonë. Parimi morfologjik do të zbatohet në ato raste kur parimi fonetik do të çonte në errësimin e në prishjen e strukturës së sotme morfologjike e fjalëformuese të fjalës.

4. Parimi historik-tradicional do të pranohet në pak raste, kur në gjuhën letrare ka një traditë shkrimi të vjetër, të ngulitur prej kohësh.

5. Rregullat e drejtshkrimit të jenë sa më të thjeshta, të qarta e përgjithësuese. Të ketë sa më pak rregulla e sa më pak përjashtime.

6. Rregullat e drejtshkrimit të jenë sa më njësuese: të pakësohen në masën më të skajshme zgjidhjet e dyfishta.

7. Duke marrë parasysh gjendjen e sotme të normës gramatikore, për t’iu përgjigjur nevojave të praktikës, në “Rregullat e drejtshkrimit” të përfshihet një kapitull, ku të trajtohen çështje gramatikore që lidhen ngushtë me drejtshkrimin.

8. Rregullat e drejtshkrimit të zanoreve e të bashkëtingëlloreve të ndërtohen e të renditen sipas çështjeve fonetike.

9. Kongresi shpreh kërkesën që:

a) duke u mbështetur në parimet e përgjithshme dhe në zgjidhjet kryesore të Projektit të vitit 1967, brenda vitit 1973 të hartohen përfundimisht ”Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe”;

b) në bazë të ~”Rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe” brenda vitit 1974 të hartohet ”Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe*;

c) për të kodifikuar plotësisht normat e gjuhës letrare të folur e të shkruar, brenda vitit 1975 të hartohen “Rregullat e drejtshqiptimit” dhe “Rregullat e pikësimit të gjuhës shqipe”.

II

Në hartimin përfundimtar të “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes” të kihen parasysh këto kërkesa të Kongresit:

1. Zgjidhja e të gjitha problemeve të veçanta të drejtshkrimit të bëhet në sistem, duke ndjekur një vijë konsekuente jo vetëm brenda nënsistemeve të gjuhës, por duke pasur parasysh edhe lidhjet midis këtyre nënsistemeve.

2. Për drejtshkrimin e zanoreve:

a) Të jepen rregulla sa më konsekuente për shkrimin e zanores ë të patheksuar, sidomos në trup të fjalës, duke marrë më shumë parasysh parimin fonetik (shqiptimin e sotëm letrar) dhe duke përcaktuar më qartë rastet e zbatimit të parimit morfo1ogjik, në përputhje me pikat I,1 dhe I,2 të kësaj Rezolute. Në përgjithësi, pasqyrimi në drejtshkrim i zanores ë të patheksuar të udhëhiqet nga synimi për rregulla sa më të njësuara.

b) Rënia e zanoreve të patheksuara gjatë shqiptimit për arsye të elizionit, të mos pasqyrohet në shkrim; fjalët dhe trajtat e tyre gramatikore të shkruhen gjithnjë të plota.

c) Grupet e zanoreve ue, ye, ie të ruhen të plota në shkrim.

ç) Në pajtim me traditën, për të shmangur homoniminë si edhe për të ruajtur strukturën e formimit, trajtat e shkurtra proklitike të përemrave ia, iu, të shkruhen me i dhe jo me j (ia, iu dhe jo ja, ju).

3. Për drejtshkrimin e bashkëtingëlloreve:

a) Bashkëtingëlloret e zëshme në fund dhe para një bashkëtingëlloreje të shurdhët në trup të fjalës të ruhen në shkrim si të tilla, pavarësisht nga mënyra e shqiptimit.

b) Drejtshkrimi i parashtesave sh-/c-/zh- dhe s-/z- të njësohet në përshtatje me natyrën e tingullit nistor të temës, së cilës i shtohet parashtesa.

c) Te emrat që mbarojnë me i të theksuar, kur kjo në trajtat e tyre të ndryshme morfologjike ndiqet nga një zanore tjetër, të mos shkruhet -j- (liri – liria, shtëpi – shtëpia).

ç) Të ruhet bashkëtingëllorja nj në trup të fjalës te emrat si brinjë, shkronjë etj. dhe të përcaktohet norma në mbaresën e shumësit me -nj ose -j për emrat e tipit ari, bari, ulli, ftua, përrua etj. si edhe për mbiemrat e tipit i ri. Zgjidhjet të jenë në pajtim me prirjet e zhvillimit të strukturës fonetike dhe morfologjike të shqipes letrare.

d) Grupet e bashkëtingëlloreve mb, nd, ng, ngj të ruhen kurdoherë të plota në shkrim.

dh) Çështja e takimit të dy shkronjave që mund të lejojnë lexim të dyfishtë, të studiohet dhe të zgjidhet në pajtim me kërkesat e sistemit fonetik e morfologjik dhe duke mbajtur parasysh edhe anën praktike të saj.

e) Te foljet me temë më -t në vetën e tretë njëjës të së pakryerës dëftore, lidhore e kushtore, kjo bashkëtingëllore, në pajtim me prirjen e sotme të normës morfologjike, të ndërrohet në -s, për të shmangur kështu takimin e dy t-ve: fliste, priste, shëtiste (dhe jo flitte, pritte, shëtitte).

4. Për shkrimin e fjalëve dhe të emrave me prejardhje të huaj:

a) Për fjalët me burim nga gjuhët klasike, drejtshkrimi i shqipes të bazohet në trajtat e këtyre gjuhëve dhe jo në trajta që paraqesin veçori fonetike të kësaj ose asaj gjuhe nëpërmjet së cilës ka ardhur fjala në gjuhën shqipe.

b) Për ata tipa fjalësh, shqiptimi letrar i të cilëve është i njësuar dhe i përgjithësuar me kohë, ky kriter të jetë vendimtar në caktimin e trajtës së tyre drejtshkrimore; kështu të shkruhet aksion, funksion; biçikletë, çimento; kontroll, llogari etj.

c) Te fjalët e huaja që kanë ia, ie, io, iu me i të patheksuar në trup të tyre, të ruhet në shkrim zanorja i, pavarësisht nga shqiptimi i saj si j në disa prej këtyre fjalëve.

ç) Emrat e përveçëm të huaj të shkruhen duke u mbështetur në traditën e përdorimit të tyre në gjuhën shqipe dhe duke marrë parasysh shqiptimin në gjuhën përkatëse.

5. Në “Rregullat e drejtshkrimit” të trajtohen këto çështje grama-tikore:

a) Përcaktimi i mbaresës së shumësit (ë, a ose zero) te emirat femërorë, tek të cilët vihen re luhatje.

b) Përkimi i mbiemrave e i përemrave me emrat mashkullorë që e bëjnë shumësin me -e (male, kujtime).

c) Shkrimi i nyjës së përparme.

c) Shkrimi i trajtave të veçanta të disa klasave të caktuara leksiko-gramatikore, si p.sh. urdhërorja e disa foljeve, trajta e pashquar e disa emrave mashkullorë në njëjës etj.

6. Për shkrimin e fjalëve bashkë ose ndaras dhe bashkë ose me vizë në mes:

a) Shkrimi i fjalëve bashkë, ndaras ose me vizë në mes të zgjidhet në bazë të konceptit shkencor mbi fjalën dhe veçoritë e saj në gjuhën shqipe, si një njësi tërësore e mbyllur fonetike, gramatikore e semantike.

b) Të përkrahet prirja e shqipes letrare drejt njëfjalësimit të disa togfjalëshave, veçanërisht të disa shprehjeve ndajfoljore, parafjalore e lid-hëzore.

7. Për përdorimin e shkronjave të mëdha:

a) Kriteri bazë i përdorimit të shkronjave të mëdha të jetë dallimi i emrave të përveçëm nga emrat e përgjithshëm.

b) Njësimi i rregullave të përdorimit të shkronjave të mëdha të mbështetet edhe më shumë në traditën tonë drejtshkrimore.

c) Pjesët përbërëse të emërtimeve zyrtare të organeve shtetërore, të institucioneve arsimore-shkencore, të ndërmarrjeve e të qendrave të punës të shkruhen më shkronjë të madhe: Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Instituti Albanologjik, Teatri Popullor, Shtëpia Botuese e Librit Shkollor etj.

ç) Të njësohet më tej drejtshkrimi i emrave gjeografikë, i datave, i ngjarjeve dhe i periudhave historike.

8. Për ndarjen e fjalëve në fund të rreshtit:

a) Ndarja e fjalëve në fund të rreshtit të mbështetet kryesisht në ndarjen e fjalëve në rrokje, duke marrë parasysh edhe strukturën morfologjike të fjalës. Por asnjëherë në fund të rreshtit të mos mbetet një shkronjë e vetme e po kështu të mos kalojë në rreshtin tjetër një shkronjë e vetme, qoftë edhe zanore.

b) Për rastin kur ndërmjet dy zanoreve ndodhen dy a më shumë bashkëtingëllore, ndarja në fund të rreshtit të jetë e lirë, mjafton që bashkëtingëllorja e fundit të kalojë në krye të rreshtit e ndjekur të paktën nga një zanore (të lejohet ndarja ko-krra dhe kok-rra, ve-gla dhe veg-la).

c) Dyshkronjëshat në fund të rreshtit nuk ndahen.

III

Duke e vlerësuar gjuhën letrare të njësuar si një nga arritjet më të mëdha të shoqërisë sonë socialiste në lëmin e kulturës, si kurorëzimin e përpjekjeve të pareshtura të shumë brezave që, edhe në kohët më të errëta, e ëndërruan këtë ditë dhe punuan me vetëmohim për ta bërë sa më të afërt, Kongresi i bën thirrje gjithë popullit shqiptar që ta përdorë gjuhën letrare të njësuar si një mjet të fuqishëm të përparimit shoqëror dhe ta shohë kujdesin për zhvillimin e lulëzimin e saj të pandalshëm si detyrë të vazhdueshme.

1. Në mënyrë të veçantë Kongresi u bën thirrje:

a) Shkollës shqiptare, si vatra themelore e formimit gjuhësor të brezave të rinj, që i edukon ata me dashuri për gjuhën amtare dhe u zbulon thesarin e pashtershëm të saj, ta vlerësojë përvetësimin e normave të njësuara të gjuhës letrare e të drejtshkrimit të miratuar nga Kongresi si detyrë themelore dhe të zbatojë plotësisht rregullat e reja të drejtshkrimit, duke filluar nga viti 1973-74.

b) Institucioneve të teksteve shkollore, që të përgatisin dhe të botojnë tekste ndihmëse dhe mjete të tjera të nevojshme për përvetësimin dhe zotërimin praktik të normave të gjuhës letrare dhe të drejtshkrimit të saj.

c) Shkrimtarëve shqiptarë, të cilët më fjalën e gjallë artistike luajnë një rol të dorës së parë në kristalizimin dhe ngulitjen e normës letrare kombëtare, të punojnë me këmbëngulje për zbatimin e përhapjen e normës drejtshkrimore të njësuar.

ç) Institucioneve botuese, që t’i zbatojnë me përpikëri rregullat e drejtshkrimit dhe të ndihmojnë gjallërisht për përhapjen e normave letrare dhe për ngritjen e kulturës gjuhësore të popullit.

d) Enteve shtetërore, organizatave shoqërore, institucioneve të shkencës e të kulturës, që të marrin masa për të zbatuar në gjuhën e shkruar rregullat e drejtshkrimit.

dh) Radio-televizionit, teatrit, kinematografisë, që të zbatojnë rregullat e drejtshkrimit dhe rregullat e drejtshqiptimit për të ndihmuar në përhapjen dhe ngulitjen e normave të trajtës së folur të gjuhës letrare.

e) Institucioneve shkencore-arsimore që merren me studimin e gjuhës shqipe, që t’u kushtojnë vëmendje të vazhdueshme problemeve të drejtshkrimit dhe të ndërmarrin studime të mëtejshme në këtë fushë.

2. Kongresi porosit që, duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj si edhe çështjet e reja që nxjerr praktika gjuhësore, “Rregullave të drejtshkrimit” t’u bëhen, në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet dhe plotësimet e duhura.

Kongresi shpreh besimin e tij të plotë se kjo thirrje do të përkrahet me entuziazëm dhe do të frymëzojë arsimtarët, shkrimtarët, punonjësit e shkencës dhe të kulturës, gjithë inteligjencën dhe të gjitha masat punonjëse, që me veprimtarinë e tyre krijuese ta zhvillojnë, ta pasurojnë e ta ngrenë gjithmonë më lart gjuhën tonë letrare kombëtare.