Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Arrestohet shefi i stacionit policor të Divjakës, dyshohet se dekonspironte aksionet

Filed under: Ekskluzive |

DIVJAKE – Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, arrestoi sot shefin e stacionit policor të Divjakës, Gjergji Çelaj, pasi dyshohet se dekonspironte aksionet policore, kundër aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.

“Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Punëve të Brendshme ekzekutoi Urdhrin e Prokurorisë për zbatimin e vendimit të masës së sigurimit personal “Arrest me burg”, marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Lushnje, në ngarkim të punonjësit të policisë N/Komisar Gjergji Fatmir ÇELAJ, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Divjakë. Çelaj akuzohet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Nxjerrjes së sekretit” parashikuar nga nenet 248, 259 dhe 294 të K.Penal.”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Arrestimi i Gjergji Çelaj u bë sepse në kohë të ndryshme përgjatë vitit 2014, ka favorizuar persona që ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në zonën e Divjakës. Në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme monetare, nga pronarët e disa pikave të basteve që ushtronin aktivitet të paligjshëm, dyshohet se Gjergji Çelaj dekonspironte operacionet e Policisë së Shtetit, për goditjen e këtij aktiviteti të paligjshëm.