Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Programi politik i Rilindjes i rilindjes kombetare shqiptare shek XIX

Filed under: Rilindasit Shqiptare |

qeveria-e-vlores_delegacioni_arkiva_albert-vataj_p1080437Ideologjia e Rilindjes u konkretizua në programin e saj politik e kombëtar, i cili u përpunua gradualisht, duke filluar nga vitet 30-40 të shek. XIX dhe u pasurua gjatë zhvillimit të mëtejshëm të lëvizjes kombëtare. Thelbin e tij, si të çdo lëvizjeje tjetër nacionale, e përbënte formimi i shtetit kombëtar shqiptar.
Përpjekjet e para (pas atyre të periudhës së Skënderbeut, në shek. XV) për shkëputjen e Shqipërisë nga sundimi osman dhe për formimin e një shteti shqiptar u bënë në vigjilje të epokës së Rilindjes, në fundin e shek. XVIII dhe në fillimin e shek. XIX, kur u formuan dy pashallëqet shqiptare, ai i Shkodrës në veri (1771-1831) dhe i Ali pashë Tepelenës në jug (1787-1822). Megjithatë, këto dy pashallëqe, për një varg arsyesh të brendshme e të jashtme, nuk arritën të bashkoheshin (siç bënë Principata e Moldavisë dhe ajo e Vllahisë më 1859-1861) dhe të themelohej kështu, më herët se në vendet e tjera të Ballkanit, një shtet autonom shqiptar. Shqiptarët i shfaqën përsëri prirjet e tyre për t’u shkëputur nga Stambolli dhe, kur krerët e Jugut formuan, më 1828, Lidhjen Shqiptare, deklaruan se do të luftonin kundër Greqisë vetëm po të rrezikohej Shqipëria dhe jo Turqia. Kështu ata nxorën pothuajse krejtësisht Shqipërinë e Jugut nga kontrolli i Portës së Lartë. Ata kërkuan të vendosnin në vilajetin e Janinës një administratë të tillë civile, e cila t’u njihte të drejta të barabarta gjithë banorëve të këtij vilajeti, shqiptarëve e grekëve, myslimanëve e të krishterëve.

Bashkëkohësit shihnin në këto qëndrime të krerëve shqiptarë të Jugut prirjet nacionaliste, madje edhe synimin e tyre për pavarësi dhe për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, gjë që mund të arrihej nëse do të ishte vendosur një lidhje e ngushtë ndërmjet tyre dhe Pashallëkut të Shkodrës, i cili shtrihej në atë kohë pothuajse në gjithë Shqipërinë e Veriut. Për shkak të pavendosmërisë së vetë krerëve feudalë shqiptarë, që i trëmbeshin shkëputjes nga Perandoria Osmane, ky bashkim nuk u arrit dhe Shqipëria humbi atëherë mundësinë për të hedhur poshtë robërinë osmane.

Programi kombëtar i Rilindjes Shqiptare nuk lindi menjëherë në formën e tij të plotë. Fillimet e tij u hodhën nga mendimtarët e shquar shqiptarë, intelektualët rilindës në vitet 30-40 të shek. XIX. Ata përpunuan dora-dorës idetë për të drejtat e kombit shqiptar, i plotësuan me ato iluministe për shkollën e gjuhën shqipe dhe në përgjithësi për kulturën kombëtare, si edhe me kërkesat për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Edhe lëvizjet e para të viteve 30-40 të atij shekulli, që u shtrinë pothuajse në të gjitha trevat shqiptare, si dhe idetë e tyre për një administrim të veçantë për tokat shqiptare, për drejtimin e tyre nga vetë shqiptarët, madje, siç u kërkua gjatë kryengritjes së viteve 1843-1844, për një organizim të tillë të Shqipërisë si ai i shteteve fqinje, kishin karakter çlirimtar, shënuan një hap përpara drejt programit autonomist.

Me rritjen e lëvizjes kombëtare në vitet 70 të shek. XIX dhe veçanërisht në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), u përpunua në mënyrë të plotë programi kombëtar i Rilindjes Shqiptare për sigurimin e autonomisë territoriale-administrative dhe të pavarësisë së vendit nga sundimi i Perandorisë Osmane, i cili u pasurua e u zhvillua më tej në fundin e shek. XIX dhe në fillimin e shek. XX nga organizatat e tjera politike mbarëshqiptare. Në këtë program, ideologët rilindës, në përputhje me kohën e me rrethanat, përcaktuan rrugët nëpërmjet të cilave populli shqiptar, ashtu si fqinjët e tij ballkanas, do të arrinte të formonte shtetin e vet kombëtar e të bashkuar. Organizimin e shtetit shqiptar rilindësit e mendonin në të dyja format, të autonomisë dhe të pavarësisë. Autonomia dhe pavarësia janë konceptuar gjithmonë si dy etapa të zgjidhjes së çështjes shqiptare, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Por për një varg arsyesh, që kishin të bënin më shumë me rrethanat e jashtme ndërkombëtare, por edhe me raportin e forcave shoqërore e politike brenda vendit, platforma e autonomisë territoriale-administrative të Shqipërisë mbizotëroi gjatë gjithë Rilindjes, deri në nëntorin e vitit 1912.

Shteti autonom shqiptar, nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, vlerësohej nga mendimtarët rilindës si një organizim i përkohshëm e kalimtar, për të shkuar, në kushte më të favorshme ndërkombëtare drejt një shteti plotësisht të pavarur. Autonomia territoriale-administrative krijonte mundësitë që të ngriheshin institucionet juridike-politike dhe strukturat ekonomiko-shoqërore, që do të shërbenin si mbështetje për rendin shtetëror të pavarur, i cili do të vendosej sapo të krijoheshin kushtet e përshtatshme. Kjo ishte rruga që kishin ndjekur drejt pavarësisë edhe disa shtete të tjera ballkanike; ishte e natyrshme që shqiptarët të merrnin parasysh edhe përvojën e tyre.

Por në rastin e shqiptarëve kërkesa e autonomisë u kushtëzua, në një shkallë të konsiderueshme, nga një varg arsyesh të karakterit ndërkombëtar. Rilindësit mendonin se autonomia territoriale-administrative e Shqipërisë, nën sovranitetin e sulltanit, do të ishte një zgjidhje më e pranueshme për Portën e Lartë, sesa ajo e pavarësisë dhe e shkëputjes së plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Ata e shikonin autonominë si një masë që mund të pajtohej edhe me politikën e status quo-së së Perandorisë Osmane, të ndjekur nga Fuqitë e Mëdha. Një administrim autonom i Shqipërisë do t’u priste rrugën lakmive pushtuese të shteteve të reja ballkanike, të shfaqura qysh në vitet 40 të shek. XIX. Duke siguruar njohjen zyrtare nga Porta e Lartë dhe nga Fuqitë e Mëdha të të drejtave të shqiptarëve mbi trojet e tyre dhe të përkatësisë së tyre etnike shqiptare, autonomia territoriale-administrative e Shqipërisë nën sovranitetin e Perandorisë Osmane do të shmangte, sa të ishte e mundur më shumë, rrezikun e copëtimit dhe të aneksimit nga shtetet fqinje.

Organizimi i Shqipërisë si një njësi e veçantë shtetërore autonome, qoftë edhe brenda Perandorisë Osmane, do të mënjanonte gjithashtu rrezikun e identifikimit të saj me këtë Perandori, kur kjo të shthurej dhe zotërimet e saj të ndaheshin ndërmjet shteteve ballkanike.
Rilindja, edhe pse ishte në thelb një lëvizje ideore, karakterizohej gjithashtu nga veprime të armatosura të shtresave më të gjera të popullsisë kundër sundimtarëve osmanë. Rilindësit më të përparuar e vlerësuan lëvizjen e armatosur si një mjet të domosdoshëm për të siguruar të drejtat kombëtare dhe për çlirimin e vendit. Këto lëvizje të armatosura, që ndoqën njëra-tjetrën, gjatë shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, nisën me kryengritjet kundër reformave të Tanzimatit në vitet 30-40 e vazhduan deri te kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912, që çuan në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Forcat shoqërore të lëvizjes kombëtare

Rilindja Kombëtare ishte një lëvizje e re, e cila shënoi një etapë më të lartë, në krahasim me lëvizjet e mëparshme çlirimtare, edhe nga përbërja e forcave shoqërore që e udhëhoqën atë. Në periudhën e feudalizmit në krye të lëvizjeve çlirimtare qëndronin krerë feudalë ose fshatarë. Meqenëse atëherë vendi ishte i ndarë në njësi politiko-administrative të veçanta, pa lidhje me njëra-tjetrën dhe ku krerët hynin shpeshherë në konflikt me njëri-tjetrin, lëvizjet kundër zgjedhës së huaj bëheshin, si rregull, në emër të një njësie politiko-administrative të veçantë dhe synonin çlirimin e kësaj njësie e jo të të gjitha trojeve shqiptare. Edhe kërkesat e tyre ekonomike e politike ishin të kufizuara dhe me karakter lokal.
Ndryshe ndodhi në epokën e Rilindjes, kur lëvizja çlirimtare i kapërceu caqet lokale e krahinore, krijoi të gjitha kushtet e domosdoshme për bashkimin e forcave më të ndryshme shoqërore të kombit shqiptar rreth një programi dhe një qëllimi të vetëm.

Zhvillimi i ekonomisë së re të tregut solli ndryshime në strukturën shoqërore të vendit. U formua borgjezia kombëtare si një forcë e re shoqërore, e cila, në kushtet e një zhvillimi të dobët të kapitalizmit dhe të ruajtjes së mbeturinave të feudalizmit, ishte e lidhur edhe me pronën mbi tokën. Ajo përfaqësohej kryesisht nga tregtarët, zejtarët e pasur dhe pronarët e manifakturave, të punishteve e të fabrikave të para. Si një forcë që ishte e interesuar si për formimin e një shteti të bashkuar shqiptar, ashtu edhe për krijimin e kushteve për sigurimin e personit e të pronës dhe për zhvillimin e ekonomisë së tregut në përgjithësi, borgjezia, në radhë të parë intelektualët e dalë nga radhët e saj, luajtën një rol të rëndësishëm si në përpunimin e programit të lëvizjes kombëtare, ashtu edhe në drejtimin e saj.

Inteligjencia, e cila vinte jo vetëm nga radhët e borgjezisë, por edhe nga shtresat e tjera të popullsisë, zuri një vend të veçantë për nga roli i saj në lëvizjen kombëtare të periudhës së Rilindjes. Ajo luftoi e punoi për ngritjen dhe zhvillimin e arsimit kombëtar, për përhapjen e tij në popull, për lëvrimin e gjuhës e të kulturës shqiptare në përgjithësi, përpunoi idetë nacionale e ideologjinë e Rilindjes, programin kombëtar dhe mendimin politik shqiptar në të gjitha etapat e Rilindjes. Nga radhët e saj dolën edhe mjaft nga themeluesit e drejtuesit e organizatave kombëtare që udhëhoqën lëvizjen nacionale.

Në një vend si Shqipëria, ku bujqësia vijonte të mbetej sektori kryesor i ekonomisë, forcën më të madhe ekonomike e shoqërore e përbënin pronarët çifligarë, të lidhur me pronën mbi tokën, por edhe me ekonominë e tregut. Ndryshe nga pronarët e mëdhenj me origjinë feudale, që përfaqësonin një shtresë konservatore, e cila përgjithësisht mbështeste sundimtarët osmanë, çifligarët, edhe pse nuk kishin një fizionomi shoqërore homogjene, as pikëpamje politike të njëjta, ndjenin domosdoshmërinë e shndërrimeve ekonomike e politike në vend.
Përveç kësaj, çifligarët e rinj ishin të pakënaqur edhe nga paaftësia e Perandorisë Osmane për të mbrojtur tërësinë tokësore të vendit nga rreziku i copëtimit dhe i zhdukjes së shqiptarëve si komb, rrezik që filloi t’u kanosej, sidomos duke filluar nga mesi i shek. XIX. Grupe të veçanta të kësaj force shoqërore u përfshinë në programin kombëtar shqiptar dhe luajtën një rol të dukshëm në lëvizjen nacionale shqiptare në epokën e Rilindjes, kurse mjaft intelektualë, të dalë nga gjiri i kësaj shtrese çifligarësh, përqafuan idetë e reja, u bënë pionierë e ideologë të Rilindjes.

Për bashkimin politik të të gjitha forcave shoqërore të kombit, krahas rrezikut të jashtëm, ndikoi edhe një faktor tjetër, me karakter politik dhe ekonomik, siç ishte zbatimi i reformave (i Tanzimatit) në vitet 30-40 të shek. XIX. Tanzimati, krahas ndryshimeve në marrëdhëniet agrare, në administratë dhe në legjislacionin e Perandorisë Osmane, solli për shqiptarët dy rrjedhoja: zëvendësimin e drejtuesve të administratës lokale (që vinin nga paria shqiptare) me funksionarë turq, të cilët u vendosën në krye të administratës civile e ushtarake të Shqipërisë, dhe shtimin e shtypjes ekonomike e kombëtare mbi popullsinë. Të dy këta faktorë e zgjeruan bazën shoqërore të lëvizjes kombëtare.

Forcën kryesore njerëzore e luftarake të lëvizjes kombëtare të periudhës së Rilindjes e përbënin, si edhe në lëvizjet e mëparshme çlirimtare, fshatarësia dhe vegjëlia qytetare, të cilat përfaqësonin shumicën dërrmuese të popullsisë. Një vend të veçantë zinin në këtë lëvizje fshatarët pronarë e malësorët, që ishin edhe forca kryesore më e gjerë e lëvizjes kombëtare. Fshatarët pronarë, që përfaqësonin 5/6 e popullsisë agrare, i ndien më tepër se çdo shtresë tjetër pasojat rrënimtare të centralizimit të pushtetit perandorak osman dhe, njëlloj si forcat e tjera shoqërore, rrezikun e pushtimit të tokave të tyre nga shtetet fqinje dhe pasojat e politikës së këtyre shteteve për copëtimin e atdheut. Prandaj ata morën pjesë aktive në luftën kundër sundimtarëve të huaj osmanë, si edhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit.

Prej tyre doli edhe pjesa më e madhe e kurbetlinjve, të cilët, duke u kthyer nga vendet e mërgimit, ku kishin qenë në kontakt me idetë e përparuara të kohës, luajtën një rol të rëndësishëm në formimin më të shpejtë politik të bashkatdhetarëve, si nëpërmjet shoqërive të shtypit patriotik të mërgimit, ashtu edhe me qëndrimet e tyre të herëpashershme në atdhe. Me fshatarët bashkoheshin zejtarët e tregtarët e vegjël të qyteteve, që ishin të afërt nga gjendja ekonomike me ta.

Lëvizja kombëtare, me objektivat e saj themelorë, me luftën për çlirimin e Shqipërisë nga robëria e huaj dhe për ruajtjen e tërësisë së territoreve të saj, ishte një front i gjerë, i cili bashkoi shumicën dërrmuese të forcave shoqërore të vendit. Edhe udhëheqja e lëvizjes kombëtare nuk i takoi një force të vetme shoqërore. Në krye të saj dolën përfaqësues të borgjezisë, të inteligjencies, të çifligarëve (të bejlerëve) me prirje atdhetare, elementë të veçantë të parisë, klerikë atdhetarë, përfaqësues të fshatarësisë etj. Nga radhët e gjithë këtyre forcave dolën një varg i tërë mendimtarësh (që vinin sidomos nga inteligjencia), që u bënë udhëheqës ideologjikë, kulturorë e politikë, ndërsa nga grupet e tjera shoqërore dolën organizatorë dhe drejtues politikë e ushtarakë të lëvizjes kombëtare.

Karakteri demokratik dhe antifeudal i Rilindjes

Lëvizja Kombëtare Shqiptare e periudhës së Rilindjes pati përgjithësisht tipare demokratike e antifeudale, sepse drejtohej kundër ideologjisë së prapambetur mesjetare të sundimtarëve osmanë dhe kundër administratës së tyre shtypëse. Përgjithësisht programi politik i Rilindjes frymëzohej nga parimet demokratike të revolucioneve të Evropës Perëndimore, në të cilat disa nga mendimtarët rilindës kishin qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë.

Lufta kundër zgjedhës nacionale osmane për krijimin e një shteti të pavarur, që përbënte synimin themelor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ishte në vetvete një masë demokratike, e cila i dha asaj një përmbajtje të përgjithshme demokratike. Përmbushja e këtij objektivi do t’i hapte rrugën zhvillimit ekonomik e kulturor të vendit. Përveç kësaj, lëvizja kombëtare drejtohej kundër një force të caktuar shoqërore, kundër parisë gjysmëfeudale turko-osmane (me sulltanin në krye), që kishte pushtetin politik dhe shtypte e mbante të robëruar popullin shqiptar e ata joturq në tërësi. Kjo luftë, që i shkaktoi goditje të njëpasnjëshme gjithë sistemit ekonomik e politik gjysmëfeudal osman, e dobësoi atë dhe sundimin e tij në Ballkan, i dha lëvizjes së Rilindjes Shqiptare një karakter antifeudal.

Por, në një kuptim më të gjerë, fryma antifeudale e demokratike shfaqet në gjithë përmbajtjen e Rilindjes Shqiptare, në ideologjinë dhe në programin e saj, në lëvizjen kulturore, në luftën për lirinë e shkollës e të shkrimit shqip dhe në kërkesat programatike të organizatave kombëtare e të kryengritjeve shqiptare, që synonin ta fusnin vendin në rrugën e përparimit ekonomik e kulturor.
Megjithatë, Rilindja Shqiptare nuk doli nga suazat e lëvizjes kombëtare, ajo synonte të zgjidhte në radhë të parë çështjen nacionale dhe nuk arriti të merrte, si në vendet e tjera të Ballkanit, karakter agrar, të shtronte për zgjidhje edhe çështjen e tokës. Për këtë ndikuan një varg faktorësh, të cilët nuk ishin të pranishëm në vendet fqinje të Ballkanit.

Në këto vende (në Serbi, në Greqi e në Bullgari) klasa e çifligarëve feudalë osmanë shtypte ekonomikisht e politikisht popujt e tyre, jo vetëm me anën e pushtetit politik, por edhe si pronare e pjesës më të madhe të tokave. Për më tepër, ajo ishte me fe myslimane, ndërsa popujt e shtypur ishin të krishterë. Kështu që në këto vende konflikti nacional ndërmjet sunduesve osmanë dhe popujve të robëruar u mpleks edhe me atë shoqëror ndërmjet fshatarësisë së shtypur e çifligarëve turq, si edhe me kontradiktën fetare ndërmjet fshatarit të krishterë e çifligarit mysliman. Të tria këto kontradikta u shkrinë në lëvizjen kombëtare të këtyre popujve në një të vetme dhe i dhanë asaj në të vërtetë, megjithëse jo në mënyrë të shprehur, edhe karakter agrar.

Lëvizja Kombëtare Shqiptare u zhvillua në rrethana të tjera shoqërore dhe në një kuadër tjetër fetar. Në Shqipëri çifligarët ishin me kombësi shqiptare dhe në pjesën më të madhe me fe myslimane, pra me të njëjtën fe që kishte shumica e popullsisë së vendit. Për më tepër, një pjesë e tyre u përfshi në lëvizjen kombëtare. Përveç kësaj, edhe rrethet borgjeze, që morën pjesë në lëvizje, pjesërisht ishin vetë pronarë tokash dhe si rrjedhim bashkëpunuan me çifligarët. Nga ana tjetër, shumica e fshatarëve, që u rreshtuan në luftën për çlirimin kombëtar, ishin fshatarë të lirë individualë të zonave malore e kodrinore.

Ata nuk ishin nën varësinë social-ekonomike të pronarëve çifligarë, por vuanin nga shtypja e shtetit osman. Prandaj, këta fshatarë individualë u ngritën kundër kësaj shtypjeje të rëndë ekonomike e politike të Portës së Lartë, kundër politikës së egër fiskale, kundër shërbimit të detyrueshëm e të gjatë ushtarak, kundër shpërdorimeve të qeveritarëve dhe të derebejve që bashkëpunonin me ta për çlirimin e vendit. Fshatarësia, në përgjithësi, i drejtoi armët edhe kundër çifligarëve e parisë gjysmëfeudale, por në ato raste kur këta bashkëpunuan hapur me sunduesit osmanë dhe me ushtrinë e tyre që dërgohej për shtypjen e kryengritjeve.

Në zbehjen e konflikteve sociale dhe të luftës për tokën ndikoi edhe një faktor tjetër i natyrës politike. Në kushtet kur në Shqipëri sundonte një regjim mesjetar e despotik pushtues, me tiparet më të shëmtuara të dhunës ekonomike e politike (siç ishin taksat e rënda, diskriminimi politik, që arrinte deri në mohimin e vetëqenies së kombit shqiptar, ndalimi i mësimit të gjuhës amtare shqipe në shkolla, mungesa e të drejtave më elementare njerëzore, madje edhe masakrimi i popullsisë shqiptare me anën e ekspeditave ndëshkimore), dilnin në plan të parë kontradiktat nacionale midis popullit shqiptar dhe sundimtarëve osmanë.

Në këto rrethana nuk mund të shtroheshin për zgjidhje problemet ekonomiko-shoqërore të luftës kundër shtypjes gjysmëfeudale, duke përfshirë edhe çështjen agrare, të tokës; kështu Rilindja mori tërësisht karakterin e një lëvizjeje që duhej të zgjidhte, në radhë të parë, çështjen më të mprehtë politike, atë kombëtare, të zhdukte robërinë osmane, duke krijuar një shtet autonom ose të pavarur shqiptar. Si rrjedhim, aspiratat ekonomiko-shoqërore të fshatarëve dhe posaçërisht ato për tokën nuk u përfshinë në programet e Rilindjes.
Megjithatë, lufta e fshatarësisë dhe e vegjëlisë së qytetit kundër sistemit të rëndë shtypës ekonomik e politik osman dhe në radhë të parë kundër taksave e detyrimeve të tjera, kundër diskriminimit në lëmin politik, të arsimit e të kulturës, kishte karakter shoqëror e antifeudal. Kjo e përforcoi edhe më shumë kontradiktën kombëtare dhe i dha përmasa të gjera bazës sociale të lëvizjes rilindëse.

Iluminizmi

Iluminizmi ka qenë një lëvizje e borgjezisë evropiane në periudhën e përgatitjes dhe të kryerjes së revolucioneve të shek. XVIII-XIX. Ai drejtohej kundër rendit feudal dhe kulturës së tij, kundër obskurantizmit mesjetar e të gjitha formave të ideologjisë së prapambetur dhe përpiqej për përhapjen e arsimit e të diturisë. Jehona e këtij iluminizmi të vendeve evropiane, ashtu si ajo e ideve të mëdha të Revolucionit francez të 1789-s dhe të revolucioneve të 1848-s që tronditën Evropën, u ndie edhe në Shqipërinë e atëhershme, u pasqyrua në ideologjinë dhe në programin e Rilindjes Shqiptare. Shumë nga udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (në mënyrë të veçantë ideologët e Rilindjes) ishin frymëzuar nga këto ide përparimtare të revolucioneve evropiane dhe patën nxjerrë mësime prej tyre. Të panumërt ishin gjithashtu shqiptarët, madje edhe disa nga rilindësit e njohur, që kishin marrë pjesë në revolucionet kombëtare të shteteve fqinje, në ato grek, rumun e serb, si edhe në revolucionet e vendeve të Evropës. Këta u bënë të ndërgjegjshëm se idetë e këtyre revolucioneve duhej të përhapeshin e të përqafoheshin edhe nga shqiptarët.

Rilindja shënoi një hapje ndaj kulturës përparimtare botërore nga më të mëdhatë që kishte njohur kultura shqiptare deri atëherë. Ishte koha kur kombi shqiptar vendosi lidhje më të dendura me idetë dhe kulturën përparimtare të popujve të tjerë, përfitoi nga thesari i kulturës së Perëndimit dhe sidomos nga Rilindja Evropiane, nga iluminizmi i saj. Pikërisht nën ndikimin e këtyre faktorëve të rinj u formuan mendimtarët, ideologët dhe iluministët shqiptarë të epokës së Rilindjes.
Përhapja e dijeve, e arsimit dhe e kulturës kombëtare, që përbënte një nga drejtimet kryesore të Rilindjes e të iluminizmit shqiptar, vlerësohej nga mendimtarët rilindës si një nevojë që shtronte zhvillimi ekonomik, shoqëror e kulturor i vendit, si një kusht i domosdoshëm i përparimit material e shpirtëror të kombit shqiptar. Rilindësit e kuptuan këtë nevojë historike dhe iluminizmi i tyre i shërbente plotësimit të kësaj kërkese të shoqërisë shqiptare. Përhapja e kulturës dhe e arsimit kombëtar do të ndihmonin në emancipimin e popullit shqiptar nga fanatizmi, prapambetja, intoleranca e nga dasitë fetare, të mbjella nga sundimtarët osmanë.

Por iluminizmi shqiptar kishte disa tipare dalluese në krahasim me atë të vendeve të tjera, duke përfshirë këtu edhe vendet fqinje, që diktoheshin nga gjendja e kombit shqiptar në Perandorinë Osmane dhe nga politika e saj diskriminuese. Duke zbatuar parimin fetar në përcaktimin e përkatësisë etnike të popullsisë, qeveria osmane nuk e njihte kombësinë shqiptare, të cilën e ndante, sipas besimit fetar, në tri pjesë, që ajo i quante të ndryshme: myslimane, ortodokse dhe katolike. Si pasojë, sipas sistemit mesjetar e obskurantist të “miletit” (të kombësisë), të vendosur nga sulltanët osmanë, për turqit myslimani shqiptar, si i çdo kombi tjetër, ishte turk, ortodoksi grek e katoliku latin (italian).

Në përputhje me këtë parim, që mohonte qenien e shqiptarëve si një komb i vetëm, Porta e Lartë nuk lejoi të hapeshin në Shqipëri shkolla shqipe, por vetëm shkolla turke, greke, italiane ose austriake. Në qoftë se Turqia pranoi të hapej ndonjë shkollë e veçantë shqipe, këtë e bëri kur ishte e detyruar ose kur ia kërkonte interesi i çastit, madje priste rastin që t’i mbyllte ato. Prandaj, përhapja e arsimit dhe e kulturës kombëtare u bë një nga çështjet themelore të Rilindjes ndryshe nga ç’ndodhi, p.sh., në tokat greke e të kombeve të tjera ballkanike të Perandorisë Osmane, ku popullsisë i njihej e drejta të arsimohej në gjuhën e vet. Në këto kushte iluminizmi shqiptar nuk mund të mbetej thjesht një lëvizje kulturore. Iluminizmi e veçanërisht lëvizja për shkollën e për kulturën shqiptare mori karakter politik, sepse drejtohej kundër ideologjisë së prapambetur obskurantiste, ku përfshiheshin edhe ato ide konservatore klerikale, që mbështeteshin në interpretimin qëllimkeq të dogmave të veçanta të doktrinave fetare të të gjitha besimeve. Ajo drejtohej edhe kundër politikës tradicionale të asimilimit e të turqizimit të shqiptarëve, që ndiqte prej shekujsh Perandoria Osmane. Me karakterin e saj kombëtar shkolla dhe përgjithësisht kultura e Rilindjes u mbyllte dyert rrymave ideologjike shkombëtarizuese ngado që të vinin.

Shkolla kombëtare që kërkonin rilindësit e që kishte për qëllim arsimimin në gjuhën shqipe, duhej të ishte laike, të bëhej një vatër kulture, që të plotësonte nevojat e zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit dhe, njëherazi, një vatër e atdhetarisë dhe e bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Rrjedhimisht, kërkesat për shkollën dhe për letërsinë shqipe nuk kishin karakter thjesht kulturor. Iluminizmi shqiptar kishte edhe një karakter politik, u bë armë e fuqishme e luftës çlirimtare. Gërshetimi i shumanshëm i veprimtarisë kulturore-arsimore me veprimtarinë politike përbën një nga veçoritë e iluminizmit të Rilindjes Shqiptare dhe të lëvizjes kombëtare të asaj periudhe. Në fazën e fundit të saj, nga gjithë pjesët përbërëse të kulturës shqiptare, mori përparësi zhvillimi i kulturës politike, që u dha tonin dhe frymën patriotike gjithë përbërësve të tjerë. Me rritjen e ngarkesës politike të kulturës në fundin e shek. XIX dhe në fillimin e shek. XX u forcua roli i shtypit dhe sidomos i publicistikës, jo vetëm me numrin e madh të botimeve brenda e jashtë vendit, por edhe me përmbajtjen kryesisht atdhetare. Fryma patriotike u ndje edhe në letërsinë artistike, duke i dhënë asaj një angazhim më të madh e më të drejtpërdrejtë në lëvizjet e mëdha politike të kohës, në luftën për çlirimin kombëtar.

Duke përhapur në popull arsimin dhe përgjithësisht kulturën në gjuhën shqipe e me frymë atdhetare, rilindësit synonin të shpejtonin zgjimin e tij kombëtar, të ndihmonin në ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes politike dhe të arrinin aftësimin e shqiptarëve për një jetë shtetërore të pavarur. Kjo lëvizje u bë pjesë e pandarë e luftës për çlirimin kombëtar dhe pati jo vetëm ushtarët, por edhe dëshmorët e saj. Me këtë mision të shkollës e të kulturës shqiptare shpjegohet edhe lufta që u bënë atyre dhe atdhetarëve rilindës Porta e Lartë, Patrikana greke e qarqet shoviniste të shteteve fqinje, të cilat shihnin tek ato një pengesë të fortë për politikën dhe për planet e tyre aneksioniste ndaj trojeve shqiptare.